Papa Françesku, kandidat për Nobelin e Paqes

 

Papa Françesku është një nga kandidatët për Çmimin Nobel të Paqes për këtë vit. Emri i Kardinalit argjentinas Horge Bergoglio, ishte pak i njohur jashtë vendit të tij para se Papa Benedikti të jepte dorëheqjen. Zgjedhja-surprizë u bë në Vatikan, më 13 mars të vitit 2013, kur kardinali aegjentinas u bë Papa i parë jo-europian pas rreth 1 mijë e 300 vjetësh duke marrë emrin Papa Françesku i Parë. Në fjalimin e tij para 200 mijë njerëzve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, papa argjentinas theksoi mesazhin e tij kryesor, se misioni i Kishës është të mbrojë të varfërit dhe njerëzit në nevojë.

Papa Françesku ka bërë thirrje vazhdimisht gjatë papatit të tij, për paqe në Lindjen e Mesme. Në maj të vitit të kaluar ai vizitoi territoret palestineze dhe Izraelin, duke u ndalur në murin ndarës mes Izraelit dhe Bregut Perëndimor.

Si një udhëheqës shpirtëror i të vuajturve, Papa vizitoi ishullin italian të Lampeduzës, për të nderuar qindra emigrantët që humbën jetën, në rrugëtimin e tyre nga Afrika për në Europë.

Papa vizitoi këtë  vit Kubën, duke ndihmuar në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes ishullit të Karaibeve dhe Shteteve të Bashkuara. Muajin e kaluar papa bëri një vizitë historike mjaft të suksesshme në Shtetet e Bashkuara. Ai foli në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork, ku i bëri thirrje udhëheqësve botërorë të elimojnë armët bërthamore dhe vlerësoi marrëveshjen bërthamore me Iranin. Ai kritikoi etjen pa kufi për pasuri dhe pushtet, duke thënë se lakmia e tepruar e njerëzve është duke shkatërruar burimet natyrore të planetit tonë dhe po i keqëson gjendjen e të varfërve.

SHKARKO APP