Papa Françesku në OKB: Luftë varfërisë dhe kujdes me klimën

Një ditë pas daljes historike para Kongresit amerikan, Papa Françesku, mbajti fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara, ku apeloi për të luftuar betejën e varfërisë dhe ndryshimet klimatike.

“Shenjtëria juaj! Ju falënderoj që me këtë vizitë bëtë historinë”,- me këto fjalë iu drejtua Ban Ki-moon udhëheqësit shpirtëror të katolikëve.

Papa Françesku ishte i ftuari i nderit, që hapi punimet e sesionit të 70-të OKB-së.

“Organizata e Kombeve të Bashkuara duhet të bëjë më shumë përsa i përket pabarazisë midis kombeve, e kjo bëhet fillimisht duke krijuar barazi në mesin e anëtarëve tuaj.

Ndërkombëtarët duhet të kujdesen për zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve dhe duhet të sigurohen, që njerezit të mos u nënshtrohen sistemeve shfrytëzuese, të cilat gjenerojnë varfëri më të madhe”,- tha Ati i Shenjtë.

Përveç pabarazisë, Ati i Shenjtë deklaroi se ndryshimet klimatike janë një tjetër kërcënim për njerëzimin.

“Kriza ekologjike dhe shkatërrimi në shkallë të madhe i biodiversitetit mund të kërcënojnë seriozisht ekzistencën tonë”,- tha Papa.

Papa Françesku vlerësoi arritjet e Kombeve të Bashkuara dhe përpjekjet e saj për të zgjidhur konfliktet, e po ashtu respektimin e të drejtave të njeriut.

Por, Ati i Shenjtë qortoi ashpër fuqitë botërore të Këshillit të Sigurimit, për dështimin e tyre në gjetjen e një zgjidhjeje paqësore të luftës në Lindjen e Mesme, duke iu referuar në mënyrë specifike Sirisë dhe Irakut.

Përsa i përket marrëveshjes bërthamore me Iranin, Papa Françesku vlerësoi hapin e fundit si “dëshmi të potencialit të vullnetit politik”.

Por ai kundërshtoi me forcë ndërtimin e armëve bërthamore, duke thënë se ky mbetet një nga shqetësimet e tij të vazhdueshme.

“Është nevojë urgjente për të pasur një botë pa armë bërthamore. Duhet të jeni të kujdesshëm në ndalimin e kësaj artilerie të rrezikshme, me qëllim ndalimin e plotë të këtyre armëve”,- tha Papa.

SHKARKO APP