Papa,apel i zjarrtë pro familjes
Kur Papa flet lirshëm, pa lexuar, ai mund t'i habisë disa njerëz. Kjo ndodhi edhe në festën e familjes në Filadelfia. Atje, Papa Françesku bëri në fund një deklaratë të zjarrtë pro familjes -pa e lexuar fjalën e tij.
Në fund, Papa Françesku i çuditi të gjithë. Gati dy orë me radhë e pati ndjekur ai festën e familjes në Ditën Botërore të Familjes, në Filadelfia. Kur Papa u ngjit pastaj në podiumin e oratorit, në mënyrë spontane ai e la mënjanë tekstin e përgatitur dhe foli pa lexuar. Familja është "një fabrikë e shpresës". "Le të kujdesemi dhe ta mbrojmë familjen, sepse ajo do të thotë e ardhmja jonë", kërkoi Papa para dhjetëra mijëra vetëve në festën e familjes në Filadelfia.
Pajtim megjithë dallimet
"Jeta familjare mund të bëjë që të vërviten pjatat, fëmijët mund të të shkaktojnë dhimbje koke – për vjehrrat as po nis fare të flas." Megjithatë ia vlen të luftosh për familjet. Papa u bëri thirrje dëgjuesve në të gjithë botën që të shohin anët e mira të familjes. "Në një familje ka gjithmonë jetë, sepse dashuria e Zotit e hap derën për jetën", tha ai. Papa u bëri thirrje njerëzve, që pas një grindjeje të mos e përfundojnë kurrë ditën pa vendosur sërish paqe. Fjala e tij u kthye në një apel të zjarrtë dhe entuziast për familjen, që bëri për vete njerëzit në të gjithë botën.
Më parë, para meshës përmbyllëse të Ditës Botërore të Familjes në skenë dolën yje si Andrea Bocelli, Aretha Franklin ose Juanes. Gjashtë familje katolike nga të gjitha kontinentet folën për përvojat e tyre në situata të ndryshme jetësore – si një çift i ri pak para martesës ose një nënë që e rrit e vetme fëmijën e saj handikapat.
Papa shprehet në mbështetje të migrantëve në SHBA
Më parë, në një takim me migrantë Papa pati bërë thirrje për përpjekje të përbashkëta për lirinë e fesë. Eshtë e nevojshme, që "njerëz të feve të ndryshme t'i bashkojnë zërat e tyre, për të kërkuar paqe, tolerancë dhe respektim të dinjitetit dhe të drejtave të të tjerëve", tha Papa. Ai e dënoi që "feja të përdoret si pretekst për urrejtje dhe sjellje brutale" ose që me "tirani moderne" të bëhen përpjekje për të shtypur lirinë e fesë. Dalja e Papës ishte një nga momentet kulmore në Ditën Botërore të Familjes në Filadelfia. Njëkohësisht, për Papën ajo ishte mbyllja e një udhëtimi të gjatë. Për nëntë ditë me radhë argjentinasi vizitoi Kubën dhe SHBA.
Pjesëmarrja e Papës në takimin në SHBA kishte një karakter simbolik, po të kemi parasysh sinodën për martesën dhe familjen në Romë javën e ardhshme. Mesazhi që mbetet nga udhëtimi deri tani më i gjatë në botën e jashtme të Papës është megjithatë para së gjithash politik. Në pritjen në Shtëpinë e Bardhë, para Kongresit të SHBA dhe në Kombet e Bashkuara Papa mbajti fjalime historike dhe që u ndoqën me shumë vëmendje. Apelet e tij për një botë më të drejtë, për paqen, mbrojtjen e ambjentit dhe luftën kundër varfërisë dhe urisë e tërhoqën shumë vëmendjen dhe u përshëndetën.