Paralajmërim i frymës antiperëndimore të opozitës pas 21 Qershorit
Nga Mero Baze
Romana Vlahutin, përfaqësuesja e Bashkimit Europian në Shqipëri është sulmuar nga Sali Berisha, si bashkëpunëtore e kryeministrit Edi Rama. Si shkak formal, Berisha ka gjetur faktin se ambasadorja u ka rekomanduar qytetarëve kërkimet në Google, për tu bindur për emrat e kandidatëve që do të votojnë më 21 Qershor. Sipas Berishës ky është një rekomandim që ndihmon Edi Ramën, pasi kështu fshihen kandidatët e inkriminuar.
Logjika e sulmit duket se nuk ka lidhje fare me faktin që ka përzgjedhur për të sulmuar ambasadoren, pasi të përdorësh Googel-in për të njohur potilikanët në Shqipëri, në radhë të parë do të thotë të lexosh gjithë thashethemet e Sali Berishës për politikanët. Nga ana tjetër, deri tani kandidat të inkriminuar legalisht janë vetëm tre kandidat të PD-së, që janë në proces hetimor dhe në gjykatë për korrupsion dhe një kandidat i Kurbinit, i cili është detyruar të ketë indentitet të ri, për të mos u identifikuar nga Google kush ka qenë.
Nuk përjashtohet mundësia që dhe dikush nga e majta të ketë probleme me të shkuarën e tij, por problemi i Berishës nuk është ky.
Berisha duket se po përgatitet për diçka më serioze në sulmin ndaj përfaqësuesve të Perëndimit në Shqipëri, sidomos ndaj misionit të Bashkimit Europian dhe atij të ODIHR.
Për aq përvojë politike sa ka ai, e ndjen rezultatin e zgjedhjeve dhe po përgatitet për mënyrën se si ta menaxhojë atë pas 21 qershorit. Pika më delikate, e cila vë në pozitë të vështirë dhe Bashën është qëndrimi i ndërkombëtarëve. Duke qenë se procesi i zgjedhjeve po shkon normalisht dhe nuk ka në horizont shenja tensionimi, Berisha po kërkon të etiketojë dhe “njollosë” paraprakisht faktorin ndërkombëtar në Tiranë, për të qenë në rregull për atë që ai do ta konsideroj “komplot” të Edi Ramës me ndërkombëtarët kundër zgjedhjeve në Tiranë.
I qartë në skenarin e tij se pas 21 Qershorit do rinxjerrë opozitën nga Kuvendi dhe do qëndrojë në rrugë për të kërkuar “votat e vjedhura”, Berisha po përpiqet të përgatitë qysh tani të vetët, që armiku kryesor i opozitës është ambasadorja Romana Vlahutin, e cila sipas përshkrimeve që ai bën dhe në disa takime me opozitën, nuk ua ka pranuar argumentet kundër qeverisë Rama- Meta, sepse sipas Berishës ajo bën lojën e Edi Ramës.
Ky etiketim brutal bëhet publikisht dhe si fakt i kryer, për të mos i lënë kohë as Bashës të marrë ndonjë qëndrim tjetër ndaj saj, por për t’i diktuar pozicionin e armikes së opozitës.
Të njëjtin problem Berisha e ka dhe me zonjën Glover, “armiken” e tij në dispozicion për çdo palë zgjedhje, prej vitit 1996 nga e cila nuk ka shpresë se mund t’i japë një dorë skenarit të tij për të justifikuar humbjen. Duke qenë i qartë se ODIHR dhe zyra e Bashkimit Europian janë referenca të pakundërshtueshme për Perëndimin pas zgjedhjeve, ai po përpiqet t’i zhvlerësojë qëndrimet e tyre paraprakisht, për të ecur me skenarin e egër të bojkotit dhe rrugës pas zgjedhjeve.
Një tjetër arsye, përse Berisha sulmon ambasadoren Vlahutin është dhe stili i saj i drejtpërdrejt me institucionet e shtetit shqiptar dhe sidomos zyrat e Prokurorisë dhe Gjykatave, në kërkesën e saj për të ndëshkuar peshqit e mëdhenj të politikës. Ka shumë gjasa, që njerëzit e Berishës në Prokurori të Përgjithshme apo ndonjë institucion tjetër të drejtësisë, t’ia kenë raportuar këmbënguljen e ambasadores Vlahutin për të bërë betejë me politikanët përgjegjës të këtij vendi nën shembullin e Sandrit, si një presion të saj për ngushtimin e lakut rreth tij.
Duke mos pasur shanse të ketë kontakte institucionale me të dhe duke qenë larg shpresës për të pasur sërish një vend në zyrat e shtetit shqiptar, Berisha po merr përsipër të bëjë “rrugaçin” e opozitës, për ta orientuar atë në një betejë me faktorin Perëndimor në Tiranë, të cilin tani e shikon jo vetëm si një avokat të qeverisë, por mbi të gjitha si një armik të tij personal, që kërkojnë ta sakrifikojnë.
Nuk besoj se ambasadorja Vlahutin do shqetësohet seriozisht se mos ka thënë diçka gabim në intervistën që ka tërbuar Berishën. Berisha më mirë se ajo, mund tu dëshmojë shqiptarëve për lidhjet e krimit me politikën nëse shkon para drejtësisë, por jo nga kati i 14-të i qendrës së biznesit ku rri si llomotitës me pagesë. Problemi i tij nuk është çfarë ka thënë ambasadorja e BE-së, por çfarë po bën dhe çfarë mund të bëjë ajo kundër projektit të tij politik. Berisha dhe Perëndimi janë në rrugë të kundërt me njëri-tjetrin në këtë vend dhe kanë së paku prej vitit 1996 që përplasen. Kjo është vetëm një sirenë parlajmëruese për qasjen antiperëndimore që opozita po planifikon pas 21 Qershorit.
TEMA