Pas Berlinit, Rama humbet edhe Parisin

Nga Gentian Gaba – Pas çajit me presidentin e Turqisë Erdogan, darkës me bazë dentali me kryeministrin e Greqisë Mitsotakis, Rama udhëtoi drejt Gjermanisë, në kërkim të një dore të mirë fati.

Veçse fati nuk i buzëqeshi, pasi edhe pse është një forcë e panjohur, kjo shtrëngesë e mbinatyrshme jep gjithmonë reston kur përderësi korr atë që mbjell. Një débâcle (humbje) që u bë e qartë nga mungesat në takimet që Rama zhvilloi në Gjermani, por edhe nga vetëdenoncimi në Instagramin e tij, ku ndryshe nga sa kishte ndodhur në rastin e Erdoganit dhe Mitsotakis, të cilat u shoqëruan me fotografitë respektive, nga ekspedita teutonike u publikua një foto në të cilën kryeministri shfaqet në një pozë krejt i vetëm.

Një vetmi që e mundon dhe që përfaqëson më së miri standin e raporteve me partnerët europian, pasi tashmë Berlini nuk është e vetmja ‘patate e nxehtë’ për Ramën.

Franca, në kryeqytetin e të cilës Rama ka kaluar disa vite, është një tjetër vend i fuqishëm i BE-së që po përjeton fundin e iluzioneve mbi figurën e kryeministrit dhe rolin e tij.

Nuk bëhet fjalë vetëm për qëndrimet e presidentit Macron, i cili pranoi se e kishte të vështirë të çelte negociatat me Shqipërinë për sa kohë bashkëqytetarët tanë kërkonin në numër rekord azil politik, por për një cikël të ri qëndrimesh të mediave frënge, të cilat po zbulojnë çfarë fshihet pas portretit të ‘artistit’ që iu është imponuar ndër vite.

Në fillim ishte gazeta prestigjoze ‘Le Monde’, që pas shembjes së Teatrit Kombëtar e pagëzoi veprimin e qeverisë si ‘një akt barbar’.

Më vonë, në shtatorin e nxehur nga tensionet midis Francës dhe Turqisë, ‘Le Monde diplomatique’ i dedikon një artikull vendit tonë, në të cilin theksohet se arratia nga Shqipëria u rrit në nivele të larta kur Rama erdhi në pushtet, për të vijuar me PPP-të e dala jashtë kontrolli dhe klientelizmin e qeverisë socialiste.

E përjavshmja franceze ‘Marianne’, media më e fundit që ngre një ‘j’accuse’ ndaj kryeministrit shqiptar, njeh publikun e atjeshëm me çështjen Tahiri, kryebashkiakët në aromë krimi dhe ndërtimit që funksionon si lavatriçe e parave të pista.

Ndanë përshkrimit të keqqeverisjes, ‘Le Monde diplomatique’ sikurse edhe ‘Marianne’, vendosin theksin te marrëdhëniet e Ramës me Erdoganin, dhe përdorimit të këtij të fundit si shantazh ndaj BE-së.

Natyrisht këto shkrime vijnë si pasojë e ndjeshmërisë së lartë që ka tema e Turqisë në Francë; me muaj dy shtetet janë në një përballje të ‘ftohtë’ për shkak të Libisë.

Megjithatë, pozicioni ambig i Ramës kundruall Erdogandit, vizita në Turqi ndodhi pak ditë pas mbledhjes së EUROMED 7 në Korsikë, nga ku Shefi i Elizesë kishte fshikulluar presidentin turk, e ka ekspozuar kreun e qeverisë shqiptare ndaj një vendi që e ka trajtuar me bujari, duke kontribuuar jo pak në sendërgjimin e një imazhi ndërkombëtarë shumë larg realiteti të këtushëm.

Ndryshim i narrativës mbi Ramën, pjesë e ekuacionit të komplikuar libik, i vendos në pikëpyetje objektivat integruese të Shqipërisë, e cila rrezikon të paguajë faturën e eksperimenteve diplomatike të kryeministrit.

Ky i fundit, i vetëdijshëm për humbjen e pafajësisë në sytë e ndërkombëtarëve dhe në pamundësi për të përmbushur detyrat e shtëpisë të kërkuara me ngulm nga Brukseli (sepse përkojnë me një bjerrje të menjëhershme pushteti për kreun e sallaksve), gjen te Erdogani një strehë për dështimet e tij të brendshme.

Një kurs që përbën hapa mbrapa për Shqipërinë; sepse një shtet i vogël, në të cilin ekonomia vuan nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, nga rënia e sistemit të drejtësisë dhe hemoragjia e ikjeve, jo vetëm nuk mund të heqë dorë nga demokracia dhe boshti Euro-Atlantik, sado i vështirë të jetë për t’u ndjekur, por duhet të refuzojë çdo aventurë që bazohet te shantazhi dhe jo te arritja e standardeve.

Dhe nëse Rama, ndryshe nga shqiptarët, ka alternativa të tjera përveç Brukselit, t’i ndjekë pas 25 prillit. Kur pas Berlinit, Parisit, të ketë humbur edhe Tiranën.

SHKARKO APP