Pas grekëve, frikë dhe nga dhuratat e turqve
Nga Lorenc Vangjeli
Pas grekëve, frikë dhe nga dhuratat e turqve.
Edhe Virgjili, poeti i madh latin që ka shkruar këtë frazë të famshme duket se ka qenë ballkanas. Të paktën në mendim. Sepse në Ballkan është e rrezikshme të marrësh, të bësh e të presësh dhurata kur ato bëhen mes fqinjëve. Të paktën kështu ka qenë që prej kohësh që popujt e Ballkanit mbajnë mend njëri-tjetrin si fqinjë e vazhduan edhe kur popuj të tjerë, shekuj më pas, ju afruan grekëve dhe shqiptarëve për të fqinjëruar me ta. Në fillim sllavët e pastaj edhe osmanët.
Presidenti Erdogan që tha se e ndjente veten si në shtëpinë e tij në Tiranë (një gjë të tillë e kishte thënë pak kohë më parë edhe në Iranin historikisht armiqësor me vendin e tij, por dhe kudo gjetkë që Fatihët e dikurshëm osmanë kishin jetuar me shpatë në dorë) hapi një thes të madh me dhurata në Tiranë. Në këmbim të faljes së namazit kur të ndërtohet Xhamia e Madhe e Tiranës dhe të largimit nga Tirana të kundërshtarëve të tij politikë, ideologjikë dhe fetarë në Ankara.
Dhuratat janë si kuajt, nuk shihen kurrë nga dhëmbët. Por vetë kuajt, edhe kur dhurohen, duhen parë më vërejtje. Eshtë e rrezikshme t’u hipësh menjëherë. Më parë duhet garanci se ku të çojnë dhe nëse duan të të çojnë në drejtimin që ke zgjedhur më parë. Ndaj nuk është keq të lexohet dhe njëherë Virgjili sepse ngjan se latinët e vjetër dinin shumë më shumë për botën sesa njerëzit e botës së sotme të kompiuterave dhe ngrohjes globale.
Javanews.al