Pas “grushtit” të BE vjen “shuplaka” e Komisionit të Venecias!

Nga Kastriot Islami

Komisioni i Venecias, duke analizuar të gjithë ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor dhe në Kushtetutë, për më tepër në rrethanat e mungesës së Gjykatës Kushtetuese dhe në presencë të një parlamenti me legjitimitet të dyshimtë, dhe në kushtet kur maxhoranca ka dhunuar një marrëveshje politike të arritur nga palët për të kryer në mënyrë konsensuale ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor, përmes publikimit të një qëndrimi parimor demokratik dhe komentesh të detajuara teknike për procedurat e ndjekura, ka konfirmuar të gjithë shqetësimet e opozitës dhe ka hedhur poshtë të gjithë veprimet antidemokratike, antikushtetuese dhe anti-integruese të Ramës…

Komisioni i Venecias, duke ju përmbajtur me rigorozitet parimeve të Kodit Etik për zgjedhje të lira e të ndershme, ku ndër të tjera thuhet qartas se “ndryshimet në kodin zgjedhor s’duhet të bëhen më vonë se një vit para zgjedhjeve”, i ka konsideruar ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutë, me arrogancë dhe kokëfortësi nga Edi Rama, si:

• të njëanshme;
• të nxituara;
• pa konsultimet e nevojshme;
• përmes një procesi jo-gjithëpërfshirës;
• ndryshimet kushtetuese kundër rregullave demokratike;
• ndryshimet në Kodin Zgjedhor e Kushtetutë që kanë hyrë në fuqi pasi procesi zgjedhor kishte filluar;
• mos respektim të stabilitetit të kodit zgjedhor, thelbësor për të përjashtuar çdo manipulim të zgjedhjeve;
• ndryshime kundër standarteve të Këshillit të Europës për zgjedhje të lira e të ndershme, që rekomandon se sa “më afër zgjedhjeve të miratohen ndryshimet në legjislacionin zgjedhor, aq më shumë mund të ndikojnë ato në cilësinë dhe rezultatin e zgjedhjeve…”

Komisioni i Venecias, duke respektuar sovranitetin e vendit ka deklaruar nga ana tjetër se: Përmbajtja e ndryshimeve apo me saktë Kushtetueshmeria e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutë mund të konfirmohet vetëm nga GJK e cila mungon në Shqiperi…shenjë e mungesës së shtetit ligjor!

Komisioni i Venecias, duke ruajtur paanësinë dhe integritetin e tij, ka dhënë në mënyrë profesionale se si duhet të veprohet në mënyrë realiste në të ardhmen nga aktorët politikë vëndas për zgjedhjet e ardhshme…:

• këshillon që të gjithë autoritetet politike të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë çmos për të zbatuar ligjin zgjedhor në kohë; ato duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në një mënyrë transparente, për të sqaruar ndikimin e ndryshimeve, dhe po ashtu administratës zgjedhore duhet t’i sigurohen mjetet e mjaftueshme për t’i zbatuar ato;
• gjykon se ndryshimi i formulës së koalicioneve ka pak gjasa të ndikojë në rezultatin zgjedhor, ndoshta i konsiderueshëm në përcaktimin e maxhorancës fituese nëse diferenca mes palëvë konkuruese është e vogël;
• gjykon se është e vështirë të parashikohet efekti i listave pjesërisht të “rënditura”;
• këshillon që liderët e partive politike të përmbahen nga të qenit kandidatë në disa zona elektorale;
• këshillon që të sqarohet ndikimi i ndryshimeve në lidhje me koalicionet të parashikuara në nenin 96 të Kushtetutës për emërimin e Kryeministrit pas zgjedhjeve…;
• rekomandon që në cdo rast të shmanget çdo ndryshim i mëtejshëm i legjislacionit zgjedhor përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare…

Komisioni i Venecias dhe ODIHR rekomandojnë, që pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021:

• të hiqet mundësia që liderët e partive politike të garojnë në disa zonat elektorale;
• të respektojë të drejtat e barabarta për palët në një koalicion për të apeluar veprimet dhe vendimet e koalicioni;
• të jepet mundësia që kandidatët individualë të paraqesin ankesa ndaj ndarjes së mandateve brenda një liste;
• të sqarohet përkufizimi i pragut për zgjedhjet lokale në kuptimin që ai zbatohet në nivel lokal, nëse është e nevojshme përmes një rregulloreje;
• të rishikohet neni 67 (4) i Kodit Zgjedhor që të zvogëlohet numri minimal i kandidatëve të paraqitur në listë;
• të konsiderohet të bëhet një përjashtim nga pragu kombëtar 1% për pakicat kombëtare;
• të vazhdojë adresimin e rekomandimeve të ODIHR-it lidhur me zgjedhjet.

Si përfundim mund të thuhet se kundër ndryshimeve të njënashme dhe arrogante të Edi Ramës në Kodin Zgjedhor, duke rrezikuar rëndë zgjedhjet e ardhshme, të lira e të ndershme, është pozicionuar edhe një institucion tjetër europian, Komisioni i Venecias, që gëzon reputacion përsa i përket profesionalizmit dhe integritetit në fushën e hartimit dhe zbatimit demokratik të ligjeve…Pas “grushti” që erdhi këto ditë nga BE, qëndrimi i Komisionit të Venecias është një “shuplakë” e fortë kundër Ramës… Njëkohësisht këto dy qëndrime të partnerëve tanë kundër marrëzive makiavelike dhe frikës nga ndëshkimi të Ramës, janë një alarm i madh për të gjithë shqiptarët për koston e këtyre marrëzive: Shqiptarë, mbroni demokracinë se përndryshe do të mund të humbni të drejtën për të lëvizur lirisht në vëndet e BE!

SHKARKO APP