Pasqyrë mediatike e zhvillimeve post-BREXIT

Nga Albana Bano

Duke ditur rëndësinë dhe interesin e publikut për daljen e UK nga Bashkimi Evropian, në vijim do të gjeni një përmbledhje të lajmeve nga mediat britanike (BBC) dhe nga ato të BE-së (Euobserver):

Referuar lajmeve dhe analizve të BBC, BREXIT, pra dalja nga BE e Mbretërisë së Bashkuar (MB/UK), do të jetë realisht më e komplikuar sa ç`duket. Kjo pasi referuar ekspertëve të BE-së, vetë neni 50 i Traktatit të Lisbonës (që sanksionon të drejtën e shteteve anëtare për t`u shkëputur nga Unioni) është shumë i përciptë dhe lë vend për interpretime të ndryshme. Një pjesë e zyrtarëve të BE-së pretendojnë që ai (neni 50) mund të aktivizohet dhe me një njoftim informal të krerëve të BE-së mbi vendimin e MB-së për t`u shkëputur nga Bashkimi Evropian. Të tjerë thonë se për të nisur negociatat e largimit nga Unioni, nevojitet patjetër një njoftim zyrtar nga ana e UK.

Diskutime të mëdha ka dhe mbi natyrën e marrëdhënieve me BE-në. Midis përkrahësve të BREXIT, dallohen dy rryma: njera synon shkëputjen politike të MB nga Bashkimi Evropian por jo daljen nga tregu i përbashkët. Të tjerë dëshirojnë shkëputjen e plotë, dhe nënshkrimin e një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në jashtë tregut të përbashkët.

Ish-kryebashkiaku i Londrës Boris Johnson, është shprehur në favor të shkëputjes politike të vendit të tij, por kundër daljes nga tregu i përbashkët. Një opsion i tillë, kërkon që Mbretëria e Bashkuar të vazhdojë të kontribuojë në buxhetin e  përbashkët të BE-së, si dhe të pranojë të drejtën e punësimit për qytetarët e Unionit. Kjo është një pikë shumë e debatueshme, për vetë faktin se e drejta për t`u punësuar në UK sjell rritjen e numrit të emigrantëve, përkundër dëshirës dhe vullnetit politik të përkrahësve të fushatës BREXIT.

Ndërkohë, ministri gjerman i Financave Wolfgang Schaeuble, ka folur për mundësinë e një “anëtarësie të asociuar” të UK. Nuk dihet ende mbi naturën e kësaj lloj anëtarësie.

Nga ana tjetër, referuar EUObserver, Komisionerja e BE-së për Tregtinë Cecilia Malmstroem, shpjegon se negociatat e daljes së MB do të jenë shumë më të gjata e të vështira nga ç`mendohet. Ajo informon se UK nuk mund të nisë negociatat për të bërë biznes/tregti me Unionin pa u përmbyllur plotësisht procesi i largimit nga BE-ja. Me t`u shkëputur nga Bashkimi Evropian, sipas të drejtës komunitare, Mbretëria e Bashkuar do të kthehet në një vend të tretë. Në këtë pikë, deri në arritjen e një marrëveshje midis palëve (BE-UK), bashkëpunimi tregtar do të zhvillohet duke u bazuar në rregullat dhe tarifat e përcaktuara nga Organizata Botërore e Tregtisë (OBT). Kjo do të thotë se MB do të trajtohet njëlloj si gjithë vendet e treta në marrëdhënie me Unionin, në përputhje me parimin e mos-diskriminimit midis anëtarëve të organizatës (OBT-së).

Ndërkohë, në Bashkimin Evropian ka nisur diskutimi dhe mbi përdorimin e gjuhës angleze në institucionet e BE-së. Shumë zyrtarë të Unionit kërkojnë heqjen e gjuhës angleze nga komunikimi dhe hartimi i dokumentave në Bruksel. Kjo pasi nuk ka asnjë prej 27 vendeve anëtare që ta ketë shpallur anglishten si gjuhë zyrtare në Bashkimin Evropian.

Së fundi, krerët e lartë të BE-së janë shprehur se procesi i shkëputjes së MB është i pakthyeshëm; ndërsa në Londër u zhvillua sot protesta e radhës kundër BREXIT.

SHKARKO APP