Pastrimi i partisë, Basha ndjek precedentin “Rama”

“Nisma e Bashës ka mbi vete barrën e rëndë të frymës konservatore që mban gjallë prania e Berishës në PD. Jo më kot, edhe sot, kur kemi hyrë në vitin e tretë nga largimi i ish-kryetarit, Jozefina Topalli vijon të deklarojë publikisht se po të mos jetë Berisha, PD e merr lumi”…

Nga Skënder Minxhozi/

Në një ditë kur asamblea socialiste dhe grevat në rrugët e Tiranës paralizuan vëmendjen e opinionit publik, Lulzim Basha ka bërë një propozim i cili nuk bëri shumë zhurmë. Por që në fakt përbën një lëvizje të fortë potenciale të timonit, në drejtim të forcimit të pozitave të tij në PD. Sipas propozimit të Bashës, 35% e të propozuarve në listat e zgjedhjeve të ardhshme duhet të vijnë nga rradhët e Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Çka do të provokonte, në rast se do të aplikohej siç është parashikuar, një fluks të madh figurash të reja dhe të panjohura në grupin e ardhshëm parlamentar të PD.

Nuk duhet shumë fantazi që të kuptosh qëllimin e kësaj nisme të re të Lulzim Bashës. Prej muajsh ai ndodhet nën një trysni në rritje, nga figurat e vjetra të PD, për anemi dhe mungesë peshe në drejtimin e partisë. Edhe rezultati i zgjedhjeve të fundit lokale, të parat që ai drejtoi personalisht në rang kombëtar, nuk e ndihmuan forcimin e pozitës së tij, në kundërvënien ndaj Topallit dhe disa drejtuesve të tjerë me peshë në parti.

Afrimi i të rinjve në grupin parlamentar shënon mënyrën më graduale dhe të mirëmenduar të kryetarit Basha, për të promovuar në perspektivë një gjeneratë të re politikanësh. Me shpresën se ciklet politike dhe natyrore do të puqen dikur, për të larguar nga skena ata që sot e luftojnë orë e çast nga brenda strukturave drejtuese të PD. Në këtë pikë, kreu i sotëm i PD po ndjek në heshtje shembullin e kundërshtarit të tij Rama një dekadë më parë, kur mori në dorë frenat e PS dhe nisi të filtrojë mbështetësit e tij në forumet drejtuese të partisë socialiste.

Natyrshëm, rruga që Basha po shkel sot, krahasuar me Ramën vite më parë, është një shteg i përpjetë dhe jo një e tatëpjetë e butë dhe pa pengesa. Sepse Edi Rama nisi ta imponojë gjeneratën e përkrahësve të tij në Partinë Socialiste, pa praninë fizike të paraardhësit të tij brenda strukturave drejtuese. Dhe kur paraardhësi quhet Sali  Berisha, procesi është shumë më i komplikuar sesa kur ai mban emrin Fatos Nano.

Spostimi vullnetar i ish-kryetarit historik të PS nga jeta aktive politike, e bëri shumë më të lehtë ngritjen dhe afirmimin e një brezi të ri politikanësh, në rangjet e larta të partisë. Çka nuk është sot rasti i Bashës, të cilit i duhet të luftojë së pari me hijen e rëndë dhe të kudondodhur të Berishës, e më pas me sfidën komplekse të përtëritjes së një partie, që fjalën “rinovim” e ka pasur një tabu të vjetër.

Nisma e Bashës ka mbi vete barrën e rëndë të frymës konservatore që mban gjallë prania e Berishës në PD. Jo më kot, edhe sot, kur kemi hyrë në vitin e tretë nga largimi i ish-kryetarit, Jozefina Topalli vijon të deklarojë publikisht se po të mos jetë Berisha, PD e merr lumi. (Java)

SHKARKO APP