Patozi: Ambasadori Lu të jetë i drejtë me palët

Nga Astrit Patozi*

Kisha kërkuar të flisja sot për rendin e ditës, por një zhvillim dramatik i ditës së djeshme, më bëri që ta ndryshoj temën e diskutimit tim. E kam fjalën për protestën e turpshme dhe skandaloze të kryetarit të Bashkisë së Tiranës përpara Gjykatës Administrative. Një tragji-komedi rilindase, akti i parë i së cilës u luajt mu në mes të Tiranës, pikërisht në castin që ambasadorët Lu dhe Vlahutin po u shpjegonin deputetëve të opozitës efektet pozitive që do të sillte reforma për drejtësi.

Nuk besoj se jam i vetmi që më janë kujtuar gjyqet e famshme ndaj kundërshtarëve të regjimit komunist në vitet 1945-46, që zhvilloheshin nën thirrjet “tradhtarët në litar” të turmave të ekzaltuara. Përfundimet e tyre diheshin, sepse vetëm drejtësi nuk mund të pritej dhe nuk mund të kishte. Dhe pyetja që të vjen vetiu ndër mend është, a mund të presësh ndonjë gjë të mirë nga kjo qeveri, edhe sikur ta votonim, jo nesër, as pas një muaji, por qysh sot, reformën për drejtësi? Kam frikë se prognoza është shumë e zymtë.
Eshtë e paprecedent në Shqipëri, që një pjesë e shtetit të ngrihet në revoltë kundër pjesës tjetër. Kemi parë dhe bërë shumë në këto vite, padyshim. Kishim shkuar deri tek protestat para Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. E kemi bërë herë ne, e herë Partia Socialiste, kur kemi qenë në opozitë. Edhe kjo vetë, sipas meje, nuk është ndonjë histori për tu krenuar. Por është gjithësesi e pakrahasueshme, sepse tek e fundit ishin partitë ato që ishin të pakënaqura dhe kishin hesape me institucionet. Kurse dje në protestë ishte bashkia më e madhe e vendit, pushteti më i rëndësishëm pas kryeministrit, bashkë me një pjesë të parlamentit, që ishte ngritur kundër pushtetit gjyqësor.

Për të cilin po thuhet se është problemi kryesor që ka Shqipëria sot. Kam shumë rezerva për gjykatat dhe prokurorinë, por kur shoh turma militantësh të hakërryer në dyert e tyre, që asnjëherë nuk është e vështirë t’i mbledhësh, jam në të gjitha rastet me drejtësinë. Sepse besoj që ky është fundi i shtetit.

Ndaj unë sot ftoj ministrin e Drejtësisë të prononcohet. Ai nuk mund të fshihet, por duhet t’i dalë zot institucioneve të linjës. E ka detyrim kushtetues, por edhe politik e moral, po të doni. Dy ditë më parë reagoi për rrahjen barbare të një gazetari sportiv, për shkak të një ndeshje futbolli. Dhe kërkoi dënimin ekzemplar të dhunuesve. Mirë bëri, e vlerësoj shumë si gjest, por kjo që ndodhi dje është më e rëndë. Eshtë e vërtetë, se aty nuk u rrah njeri, dhe as u vra dikush, por mendoj se dje u dënua me vdekje pushteti gjyqësor, më në mes të ditës dhe mu në mes të Tiranës, në syrin live të kamerave dhe të publikut.

Duhet t’ia kisha kërkuar distancimin të parit kryeministrit, por nuk e bëj dot, pasi kam bindjen që ai vetë qëndron prapa këtij agresioni të paimagjinueshëm mbi drejtësinë. Se në mos është vetë regjizori i asaj shfaqjeje të neveritshme, Edi Rama shkëlqen me miratimin në heshtje që i bën atij krimi politik, dhe jo vetëm, që po konsumon i përzgjedhuri i tij në bashkinë e Tiranës. Sepse në cdo vend tjetër normal kryeministri, ose do ta kishte shkarkuar në vend, ose do ta kishte cuar për ndjekje penale kryebashkiakun revolucionar. Por edhe po të mos e bënte ai, do të kishte dalë i gjithë populli në rrugë dhe do t’i kishte përmbysur të dy. Kurse tek ne, për shkak se jemi një vend anormal, dishepulli i Ramës është shndërruar në heroin e ditës dhe në starin e shtypit, duke u krekosur si kaposh nga mëngjesi deri në darkë për atë që ka bërë. Dhe kjo mendoj është e padurueshme.

Ftoj po ashtu Presidentin e Republikës që t’u dalë në krah gjyqtarëve. Jo për orët dhe
makinat e shtrenjta, as për vilat luksoze, apo pasuritë e pajustifikuara, por që të kryejnë të pakërcnuar detyrën e tyre. Për aq kohë sa të jenë në ato funksione. është kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe i takon ta bëjë dhe të qëndrojë fort. Opozitën gjithashtu, Partinë Demokratike, në radhë të parë, si lokomotiva dhe forca udhëheqëse e saj. Nëse opozita hap rrugë kur para syve të saj ekzekutohet njëra nga shtyllat e sistemit, megjithë difektet që mund të ketë, mos prit që dikush tjetër ta bëjë. Të mos kemi asnjë kompleks se kush e dha lejen ose pse e dha lejen. Ne nuk mbrojmë cështjen, por parimin. Nuk ka shumë rëndësi përmbajtja e vendimit, tek e fundit për atë punë është gjykata, të vendosë se kush ka të drejtë. Por gjykatat nuk mund të vendosin nën trysninë e një pushteti, që sillet si bandë, i cili dje kishte fytyrën dhe gjuhën e lëshuar të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Kam edhe një kërkesë për ambasadorët e perëndimit në Shqipëri, në mënyrë të vecantë për zotin Lu dhe zonjën Vlahutin. Ata kanë qenë të mirëpritur në investimin e tyre për reformën në drejtësi, e cila kemi rënë dakord të gjithë se është e nevojshme për vendin. Dje ishin mysafirët e grupit tonë parlamentar dhe patëm një diskutim të hapur dhe të frytshëm për atë që pritet prej nesh. Por me zhvillimet e fundit, ata mendoj se duhet të japin garanci, jo thjesht për opozitën, por për shumicën e qytetarëve shqiptarë, se kjo reformë nuk do të keqpërdoret kundër tyre, nga një pushtet arrogant, i cili dje tregoi kthetrat dhe dhëmbët. Ndryshe, ata do të bekonin kërbacin e një regjimi të dhunshëm, që shkel me këmbë mbi cdo ligj dhe parim.

Nëse do bënim një analogji me vendin e bekuar që përfaqëson zoti Lu, është njësoj sikur kryetari i bashkisë së Nju Jorkut të merrte me vete gjysmën e kongresmenëve të partisë së vet bashkë adiministratën dhe të shkonte të protestonte para gjykatës, që fjala vjen Donald Trump, apo dikush tjetër, të mos ndërtonte aty ku nuk kishte qejf ai. Në Bronx, në Brooklin apo Manhattan, pak rëndësi ka. Jua them cfarë do të kishte ndodhur. Do ta arrestonin pa dalë nga zyra. Por edhe sikur kjo të mos ndodhte, do të ngrihej në këmbë e gjithë Amerika dhe do ta merrte përpara, që të mos gjente vrimë ku të futej. Natyrisht, që unë nuk pretendoj aplikimin e standarteve të larta amerikane në Shqipëri, por edhe Shqipëria nuk është xhungël, ku mjafjon të jesh në pushtet, dhe mund të bësh gjithcka.
Ndaj edhe ftesa ime për të nderuarit ambasadorë është që të mos heshtin para kësaj që po ndodh edhe para syve të tyre, sepse kjo do ta kompromentonte shumë pozicionin e një arbitri të paanshëm. Sepse, të paktën unë, investimin e tyre të gjatë dhe persistent e kuptoj si një dëshirë qëllimmirë që ky vend t’i afrohet perëndimit, dhe jo republikave të bananeve.

Ndërkohë, kam edhe edhe një vërejtje për kolegët që morën pjesë në atë shfrim mizor dufesh politike. Nuk e kam zakon të merrem me asnjeri personalisht. Por ju nuk duhet të ishin aty. Sepse deputetët nuk mund të keqpërdoren nga një ceguevarist i vogël politik edhe sikur t’u besohet gazetave që thonë se mund të bëhet një ditë kryeministër, sepse as kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Edhe nëse ju ka marrë në telefon Edi Rama, ju përsëri nuk duhet të shkonit aty. Se kryeministri duhet ta dijë se ju, se mazhoranca pra, nuk mund të jeni kurrësesi edhe qeveria edhe gjykata, edhe policia edhe prokuroria, edhe parlamenti, edhe shoqëria civile. Ajo kohë ka marrë fund, ndonëse ju po përpiqeni ta risillni duke na kujtuar lincimet mizore dhe publike të 45-ës. Mos mendoni kurrë se pushteti të jep automatikisht monopolin e të drejtës dhe të vërtetës absolute.

Unë e kam të qartë se prej tre vjetësh, që kur fituat zgjedhjet, ju keni shumë gjëra në dorë në këtë vend. Keni në dorë të grabisni taksa dhe prona, të shpallni pa garë tendera dhe koncensione, që qelben korrupsion, të ndani paratë e trafiqeve dhe të drogës me bandat e krimit, të jeni edhe miqtë dhe sponsorët e Eskobarëve të Ballkanit, e plot zullume të tjera të kësaj natyre. Por duhet të dini gjithashtu se nuk na keni në dorë, as jetën dhe as liritë tona. Të cilat të jeni të sigurt se do t’i mbrojmë me cdo cmim.

Dhe në fund kam dy fjalë lidhur me debatin e këtyre ditëve për sovranitetin. I cili ka shpërthyer pas lajmit për pjesëmarrjen e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin në mbledhjet e grupeve më të mëdha parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë. I mirëkuptoj kolegët që e kanë shprehur ose jo publikisht shqetësimin e tyre për këtë zhvillim të paprecedent, por më shumë bie dakord me zotin Lu që thotë se situatat e pazakontë, duan ndërhyrje të pazakonta.

PO, le ta pranojmë me dhimbje që kjo është pasqyra e një katandisjeje të frikshme, ku kemi përfunduar si pakuptuar të gjithë. Sepse, për fat të keq, Shqipëria nuk është vend normal dhe nuk gaboj aspak po të them se meritën kryesore për këtë anormalitet quazidemokratik e ka kjo mazhorancë. Sepse duam apo s’duam ne, sovranitetin e këtij vendi, më shumë se kushdo tjetër e përfaqëson qeveria. Dhe për sa kohë ajo do të gjendet nën kompleksin e mëkatarit, që është gati të bëjë urën, vetëm që të mos ia quajnë për të madhe aferat, nuk duhet pritur që këtë gjendje ta ndryshojë opozita, për sa kohë ajo të jetë e tillë.

Personalisht, mendoj se koncepti i sovranitetit ka ndryshuar shumë dhe nuk mund të jetë më ai i shekullit të kaluar, dhe kjo nuk vlen vetëm për vendet e vogla si Shqipëria, por ndoshta edhe për vetë fuqitë e mëdha. Por përtej kësaj, unë vetë do të falja pa asnjë pendesë një pjesë nga sovraniteti i vendit tim, nëse nga kjo humbje do të kishte më pak korrupsion, më pak koncensione abuzive, me pak arrogancë dhe arbitraritet, më pak taksa që nuk vidhen, ma pak dhunë dhe presion ndaj drejtësisë dhe medias, më pas ose aspak shfaqje të pështira se ajo e djeshmja para Gjykatës Administrative, më shumë liri mendimi dhe tregu, më shumë humanizëm dhe më shumë mirëqenie dhe paga të larta për shqiptarët.

Para disa muajsh pata një takim informal me dy udhëheqës të Vetëvendosjes së Kosovës, që kishin ardhur në Tiranë për të shpjeguar aksionin e tyre kundër asaj që ata e quajnë “Zajednica”. Besoj se jemi të gjithë në një mendje se ata janë sovranistët më të shquar në trevat shqiptare. Dhe u thashë mes të tjerash, që ju në Kosovë keni shpëtuar nga disa sëmundje tonat, pikërisht për shkak të sovranitetit të cunguar. Sepse, ndryshe nga ne, që kemi pasur sovranitet të plotë, keni qenë të kufizuar në marrjen e disa vendimeve. E them me dhimbje këtë, por kjo është e vërteta me tranzicionin tonë.

Ne kemi marrë edhe po vazhdojmë të marrim vendime të rënda kundër vetvetes. Sepse sipas meje sovraniteti as hahet, as shijohet, as merret me vete në shtëpi apo në varr, as u lihet trashëgim fëmijëve, të cilët mund të zgjedhin një vend tjetër më të jetueshëm, nëse ti ua bën ferr të ardhmen. Sic po ua bëjmë në një farë mënyrë, ndaj edhe shumica po kërkojnë të ikin një orë e më parë nga Shqipëria. Sepse ai nuk ka asnjë kuptim, nëse nuk shërben për ta bërë më të pasur, më të lirë dhe më të drejtë këtë vend. Sepse unë për vete nuk pres që të jem krenar për Shqipërinë, vetëm pse kombëtarja e futbollit është kualifikuar në Kampionatin Europian, madje nuk do të mjaftonte dhe sikur ajo, prishur mos qoftë, të shpallej kampione e kontinentit. Ndaj edhe më duket jo racional ky “vajtim” solo apo në kor për sovranitetin sot, pasi kemi abuzuar tmerrësisht shumë me të në këto vite.

Për të gjitha këto asye, gjykoj se do të ishte e mirëpritur cdo lëvizje politike që i shërben shërimit të plagëve të thella, që i janë shkaktur sistemit gjatë tranzicionit tonë të vështirë. Në këtë aspekt, e shikoj edhe reformën në drejtësi, por duke i qëndruar fort bindjes sime se ajo gjithësesi do të ishte e pamjaftueshme. Jo thjesht për atë maskaradë që ndodhi dje në dyert e gjykatës. Por sepse ky vend ka nevojë për një shkundje të thelle, një kontratë të re sociale, një reformë të plotë kushtetuese, ku reforma për drejtësi të jetë vetëm një kapitull i saj.

*Fjala e Astrit Patozit mbajtur ne Kuvend me 12 Maj 2016

SHKARKO APP