Patozi: Më keq seç duket, nuk kemi Prokurori fare
Nga: Astrit Patozi
Sot gjendemi në situatën paradoksale, kur njëra palë thotë se më në fund kemi prokurorinë që duam, kurse tjetra që kjo është më e keqja në Shqipëri, që nga koha e Ismail Qemalit, sepse e ka futur të gjithën në thes “Sulltani”.
Të dyja palët ia fusin kot dhe nuk thonë të vërtetën, sepse në fakt ne nuk kemi prokurori fare. Sepse po të kishim, të paktën do ta merrnim shpejt një përgjigje në është autentik apo falso “Babalja”.
Do të ishte minimumi për të krijuar një ide paraprake ndaj një çeshtjeje shumë sensitive, që mban pezull zhvillimet politike dhe sociale në vend. Do t’i jepte mundësinë publikut që të paktën të mos shikonte sërish këtë shfaqje të shpifur me dy gjela majë plehut, që i hakërrehen njëri-tjetrit, por vetëm njërin prej tyre.
Në kushtet e mosbesimit të plotë nga njëra palë, po të kishim prokurori, kjo e fundit do të kishte pajtuar me kohë agjencinë më të specializuar perëndimore në lëmin e përgjimeve dhe nuk do të shtynte ditët kot me procedura rutinë dhe thirrje dëshmitarësh. Natyrisht, ka nga ata që thonë se qeveria e kap lepurin me qerre dhe na duhet veç të presim e të shikojmë.
Por në ka një rast në botë që nuk duhet humbur asnjë sekondë, nëqoftëse pretendojmë për shtet, është pikërisht ky. Sepse është njësoj si të shkojë në spital dikush, që i ka plasur apandesiti, dhe të mos e fusin në sallë të operacionit, por t’i japin paracetamol për t’i qetësuar dhimbjet. Dhe kur prokurori nuk ka, si i bëhet, e marrim me qera apo e japim me konçension?
*Ish-deputet i Partisë Demokratike