Pazar shqiptarësh!

Nga Nertil Agalliu

Përtej kundërshtive politike, në horizont duket se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike do të bashkëqeverisin edhe pas zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit. Forca politike që do të fitojë më shumë mandate do të gëzojë postin e kryeministrit, ndërsa torta do në ndahet në dysh dhe PD do të jetë pjesë e qeverisë së ardhëshme, edhe po nuk fitoi dot mandatet e para.

Të ashtuquajturit ministra teknik, ku vetëm emërtimin kanë si të tillë, të gjithë kanë një të kaluar me opozitën e djeshme. E them e djeshme, pasi opozita e tashme është në qeveri dhe praktikisht vendi ynë po mbetet për herë të parë pa një opozitë që nga 1991. Asokohe qeveria përbehej nga deputetë të PD dhe PS ndërsa postin e kryeministrit e mbante socialisti Ylli Bufi. Kjo qeveri ishte e shkurtër, rreth 6 muaj, pasi Partia Demokratike duke bashkëqeverisur me socialistët kuptoi se po shkonte drejt shuarjes si forcë politike.

Sot duket një dejavu i 1991, ku në pushtet janë 3 forca politike, PD-PS-LSI dhe vendi praktikisht është pa një opozitë. Kjo martesë me shkesë Rama-Basha duket tepër artificiale, por funksionale. Kështu Partia Demokratike ka arritur të marrë disa poste kyçe në qeveri si Ministrinë e Brendshme, atë të Drejtësisë, Zv.Kryeministrin por edhe institucione si Avokaten e Popullitin apo kreun e KQZ.

Kaq mjaftonë për të kuptuar se ata të dy po bashkëqeverisin ashtu siç ndodhi në Kosovë mandatin e kaluar. Koalicionet e mëdha, që kanë përfshirë Ballkanin e kanë zanafillën në Kosovë, ku PDK  dhe LDK, nisën të bashkëqeverisin, dhe deri diku ishte një shembull i mirë për të kaluar kalvarin e moskompromisit në politikën e Ballkanit.

Sot në Kosovë, është thyer çdo tabu në marrëveshjet politike, ku krahu i luftës i ndarë që pas mbarimit të saj, janë bërë bashkë, pa kushte. E njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë, ku krahu politik i ndarë pas rëniës së komunizmit pas 20 viteve u bë bashkë. Opozita në Shqipëri pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit me gjasa nuk do të jetë as PS, dhe as PD, por LSI, dhe faktorë të tjerë politik. LSI do të vuaj për një kohë të gjatë, atë që kaloi simotra e saj në Kosovë, AAK e Ramush Haradinaj, i cili ngeli jashtë në marrëveshjen mes PDK dhe LDK, në mandatin e shkuar.

E njëjta gjë pak a shumë po kalkulohet edhe në Tiranë. Për herë të parë, LSI, do të jetë e vetme në opozitë me presidetin në pushtet, që do të bëjë oponencën e madhe të dy partive të bashkuara.

Mbetet për tu parë nëse bashkëqeverisja do të zgjas shumë dhe nëse LSI, do të arrijë sërish t’i imponohet dy të mëdhenjëve, sa pa votat e saj nuk mund të formohet një qeveri e ardhëshme dhe se martesa e dy të mëdhave nuk do të zgjas më shumë se një gjysëm mandati parlamentar.

Në fund të fundit të gjithë e dimë, që sidomos në Ballkan, pazari politik është pjata e parë që kur serviret e hanë të gjithë…Shqipëria nuk bënë përjashtim.

SHKARKO APP