PD e humbi edhe një shans me plehrat
Këtu problemi është tek PD-ja që edhe pasi ka zbritur nga kali s’po di të luajë as rolin e të penduarit. Edhe në këtë debat, kur e pati në dorë dhe gurin dhe arën, pasi Basha guxoi të shfaqte shenja reflektimi dhe dha sinjale se më ne fund po e kuptonte dënimin plebishitar që i bënë shqiptarët tre vite më parë, PD u njësua sërish me imazhin e Berishës.
Nga Andi Bushati
Partia Demokratike ka humbur një tjetër shans në parlament për të sinkronizuar interesin e saj me atë të publikut. Të gjithë ata demokratë reformatorë, apo ata qytetarë të çoroditur në kërkim të një fije të vogël shprese, që u ngazëllyen sadopak nga falja e mefshtë që kërkoi Lulzim Basha, janë ndjerë të zhgënjyer. Nëse kryetari i PD-së pranoi gabimin e vitit 2011, kur qeveria “Berisha” i hapi rrugë importit masiv të plehrave në Shqipëri, nëse ai ngjalli një rreze të vogël besimi se mund të shohë me sy kritik nga e shkuara, çudia zgjati fare pak.
Besimndezurit kanë marrë një dush me ujë të ftohtë kur kanë parë gjëmimin proliks të Sali Berishës në sallën e kuvendit. Të gjithë ata e kanë vështirë ti përgjigjen një pyetje të thjeshtë: pse edhe sot në Kuvend, rolin e korifeut, PD-ja ia besoi Sali Berishës, njeriut të zhytur deri në fyt në aferën e plehrave? A nuk kishte ajo një figurë më të re dhe më ta papërlyer që të mishëronte linjën e ndjesës së kryetarit dhe jo atë të pandjeshmërisë së liderit?
Qoftë po të donte edhe duke gënjyer, qoftë po të donte edhe vetëm taktikisht, opozita mund të kishte folur në parlament me gojën e një njeriu të pastër, me atë të një deputeti të ri, që nuk kish ngritur kartonin në vitin 2011, me atë të një të zgjedhuri që nuk ishte pjesë e mëkatit. Ajo mund të qe prezantuar me një figurë që nuk simbolizonte historinë e kësaj partie që është tallur me importin e plehrave më keq se Edi Rama, duke e kundërshtuar fort në opozitë (2004-ën) dhe duke i shqyer dyert kur u rikthye në pushtet, 7 vite më pas.
Por, asgjë e tillë nuk ndodhi. PD-ja humbi një tjetër rast duke vërtetuar, fatkeqësisht, se nuk ka propozim alternativ përpos Berishës, se ai është edhe shiu edhe dielli, edhe e mira edhe e keqja, edhe pushtetari edhe opozitari edhe plehraxhiu edhe pastruesi. Edhe kësaj here për tu përleshur me një Edi Ramë të përdhosur, të dërrmuar nga gënjeshtrat e veta, të shndërruar në lolo nga piruetat e panumërta, të vulosur si hajdut nga etiketimet që kishte bërë vetë, doli prapë ai, i njëjti, i pavdekshmi, i vetmi. Natyrisht të gjithë që kanë ndjekur parlamentin e kanë pasur të lehtë të kuptojnë se nuk kishte kamerdare më të madhe shpëtimi, për kryeministrin e kapur në flagrancë, sesa ti nxirrje përpara Berishën. Në vend që të përgjigjej për mashtrimet e veta, për talljen me votuesit, për përqeshjen e vendimin e parë të qeverisë rilindëse, për Ramën qe një luks që të ballafaqohej me kundërshtarin e plakur nga mëkatet, me atë që kish lënë malin e plehrave në Elbasan dhe që i kishte hapur me firmën e tij rrugën e djegies dhe groposjes së tyre në këtë vend.
Por, këtu problemi nuk është tek ata që parlamentin e shohin nga ekrani. As tek militantët mjedisorë apo qytetarët e thjeshtë që i tremben sëmundjeve që kërcënojnë jetën e fëmijëve të tyre.
Ata i njohin mirë fajtorët. Prandaj, të gjithë pezmin e tyre prej të papërfaqësuarish ata e kanë treguar duke shkruar emrat e deputetëve mbi kazanët e plehrave, të gjithë imagjinatën e tyre ata e kanë shprehur me posterat satirikë në Instagram, të gjithë mllefin e tyre e kanë derdhur me statuse në Facebook. Ndoshta edhe zemërimin e tyre do të dinë ta derdhin në protesta, të zhgënjyer dhe të lodhur nga kjo kastë politikanësh, që në pushtet janë aleatë me plehrat, me interesat e mafies dhe me zarfet që shpërndan ajo, ndërsa kur kthehen në opozitë bëjnë të penduarin.
Këtu problemi është tek PD-ja që edhe pasi ka zbritur nga kali s’po di të luajë as rolin e të penduarit. Edhe në këtë debat, kur e pati në dorë dhe gurin dhe arën, pasi Basha guxoi të shfaqte shenja reflektimi dhe dha sinjale se më ne fund po e kuptonte dënimin plebishitar që i bënë shqiptarët tre vite më parë, PD u njësua sërish me imazhin e Berishës.
Duke humbur kështu një shans të rrallë për veten. Por, mbi të gjitha duke i dhënë mundësinë Edi Ramës, të na predikojë ne, pas dhjetëra e dhjetëra mashtrimesh, se megjithatë, ka edhe më keq se ai. (Lapsi.al)