PD-ja frikësohet për të shtunën. Basha: Mos shkelni as barin e kryeministrisë!

Një opozitë serioze, e përkushtuar ndaj elektoratit të saj dhe popullit të pakënaqur me qeverisjen, kur bën thirrje për protestë parashikon të gjithë skenarët e mundshëm. Kur opozita akuzon dhe bërtet se “vendin e drejton krimi, mafia, droga dhe po vjedhin pasuritë e popullit”, nuk ka vend për protestë, por për demonstratë. E ku ka më rrezik për njerëzit se sa kur krimi e droga drejtojnë vendin, siç flet kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Nëse varfëria mbetet në kufinjtë e mbijetesës, nëse gjithë pushtetet po i merr Edi Rama, nëse droga është kthyer në biznes qeveritar, nëse mediat kryesore i ka blerë kryeministri me leje ndërtimi, koncensione apo vendime me nga 5 milion euro me një ligj të veçantë, nëse “tepsinë” e pushtetit e ndan kryeministri me militantët e PS-së, nëse korrupsioni kap vlera galopante, etj siç reciton Lulzim Basha, atëhere populli ka të drejtë të bëjë ç’të dojë me qeverinë e tij. Gjithnjë nëse është i revoltuar me kryeministrin.

Por mësohet se Lulzim Basha ka porositur drejtuesit e PD-së se hajdeni e më dëgjoni mua kur të flasë kundër kryeministrit Rama dhe më pas ikni në shtëpi. Bile mblidhni edhe shishet e ujit që do hidhen në bulevard nga etja. Asnjë fije bari mos shkelni para zyrës së kryeministrit!

Të shtunën njerëzit do vijnë nga ana e anës, me makina, motora, me trena e me autobuzë. Edhe me biçikleta. Do të dëgjojnë Lulzim Bashën kur të “dërmojë” me fjalë e me një zë të çjerrë drithërues, Edi Ramën dhe pastaj njerëzit do turren për të kapur ndonjë automjet që të kthehen prapë në shtëpi, ku nuk do kenë drita, ku do mungojë ushqimi, ku prapë do jenë të papunë e ku prapë pa asnjë shpresë.

Ndërsa Edi Rama të shtunën do të drekojë në Korçë, kurse Lulzim Basha do jetë të shtunën në darkë në Laguna Blu në Qerret, buzë detit. Ose në Hollandë, tamam në qytetin hollandez Utrecht ku ishin këto ditë ministri Xhafaj, ministrja Gjonaj dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Ndaj hajdeni të shtunën, popull opozitar, pa fjalë! Vetëm bërtisni e dilni në fotografi. Asnjë shishe mos e hidhni! Asnjë cigare në sheshin para kryeministrisë mos lini në bulevard.

 

SHKARKO APP