PD, sherret e grave deputete fshehin luftën e brendshme në parti
“Prej kohësh në PD është instaluar si formë karriere brenda partisë, fakti që të bësh ato që thotë kryetari pa asnjë sens analitik dhe pa vënë asgjë në dyshim. Kjo praktikë duket se vijon edhe pas ardhjes së Bashës në krye të PD-së, praktikë kjo që tashmë po shpërfaqet edhe midis grave brenda kësaj force politike”…
Nga Armando Meta
SPECIALE JAVANEWS/ Protesta e Forumit të Gruas Demokrate përballë Kryeministrisë, si reagim ndaj asaj që ato e vlerësuan si kundërshtim ndaj gjuhës së përdorur nga kryeministri Rama në Kuvend, duket se ka nxjerrë në pah edhe çështje rivalitetesh brenda partisë më të madhe të opozitës.
Në këtë protestë u vu re qartë se mungonin disa figura mjaft të spikatura të PD-së si Majlinda Bregu dhe Jozefina Topalli, të cilat më pas nuk ngurruan të shprehin rezerva të thella për mënyrën e organizimit të kësaj proteste, si dhe fjalorit të përdorur nga folëset në podium, duke e cilësuar këtë protestë si “të dështuar”. Protesta në fjalë ishte thirrur nga deputetja e PD-së, Albana Vokshi dhe në të ishin të pranishme edhe disa figura të tjera gruas demokrate si deputetet e PD-së, Albina Deda, Arbjola Halimi, sekretarja për marrdhëniet me publikun Grida Duma, etj.
Replikat në distancë me njëra tjetrën mes grave demokrate, duket se janë vetëm “maja e ajsbergut” e shkaqeve të këtyre përplasjeve të kahershme, por që tani kanë gëluar edhe publikisht. Gjithshka duket se lidhet me hapësirat që kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u ka dhënë këtyre grave brenda PD-së.
Topalli
Prej kohësh, ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli është e mënjanuar nga Basha. Konfliktet mes tyre kanë gjeneruar që gjatë qeverisjes së PD-së, kur Basha ishte ministër dhe Topalli kryetare e Kuvendit. Por këto përplasje u bëne edhe më të ashpra dhe më publike, pasi Basha u bë kryetar i PD-së. Ai e izoloi Topallin nga procesi i riorganizimit të PD-së, si dhe ja zbehu asaj peshën dhe rolin brenda PD-së. Kjo gjë që solli edhe kundër reagimin e Topallit, e cila thuajse vazhdimisht e kritikon publikisht Bashën, si për mënyrën e drejtimit të partisë, ashtu edhe për faktin se lëvizjet e tij duhej të ishin radikale.
Bregu
Në një pozitë të zbehtë brenda PD-së duket se është edhe Majlinda Bregu. Ajo thuajse është spostuar nga jeta organizative e PD-së, duke mos e angazhuar edhe në fushatën për zgjedhjet vendore. Edhe roli i saj si deputete është lënë mënjanë dhe thuajse mbahet larg nga proceset vendimarrëse në PD. Ashtu si dhe Berisha, Basha pretendon se i merr vendimet me kryesinë e vogël, një strukturë kjo inegzistente në statutin e PD-së. Ka qenë pikërisht fakti që Basha merr vendime pa u konsultuar me kryesinë dhe grupin parlamentar të PD-së, gjë që ka sjellë në disa raste edhe kritikat e Bregut ndaj tij.
Vokshi & Co.
Nga ana tjetër konstatohet se Basha ka promovuar disa figura të tjera brenda PD-së si Albana Vokshi, Grida Duma, Albina Deda, Arbjola Halimi etj.,, të cilat duket se kanë ngjallur jo pak reagim brenda komunitet të grave demokrate në PD. Duket se është pikërisht kjo arsyeja ajo që ka bërë që të ngjallen jo pak pakënaqësi të shprehura së fundmi edhe publikisht mes deputeteve të PD-së. Kjo lloj pakënaqësie shprehet se edhe në Kuvend. Deputetet e PD-së thuajse nuk komunikojnë fare me njëra tjertrën, madje as në kafe nuk ulen bashkë. Shpesh konstatohet se ato më mirë ulen në kafe me deputete të pozitës, sesa me njëra- tjetrën.
Prej kohësh në PD është instaluar si formë karriere brenda partisë, fakti që të bësh ato që thotë kryetari pa asnjë sens analitik dhe pa vënë asgjë në dyshim. Kjo praktikë duket se vijon edhe pas ardhjes së Bashës në krye të PD-së, praktikë kjo që tashmë po shpërfaqet edhe midis grave brenda kësaj force politike.