PD sulmon sërish Klan: “Servil i qeverisë, ka ngjallur urrejtjen e rrjeteve sociale”

 

Pas sulmeve për Laguna Blu dhe atë të lejeve të ndërtimit në Tiranë televizioni Klan është sulmuar sërish nga selia Blu. këtë radhë nga organi i saj zyrtar Rilindja Demokratike. "Televizioni i “pavarur” Klan vijon censurën ndaj opozitës" thuhej në një lajm të publikuar në faqen online të kësaj gazete. Shqetësimi këtë radhë ka qenë koha e limituar që i lihet në lajmet e këtij ekrani opozitës.

"Në edicionin e lajmeve të djeshme ky televizion i jepte hapësirë qëndrimeve të PD vetëm 30 sekonda. Nga këto, 20 sekonda ishte konferenca e Nënkryetarit të PD, Paloka, dhe vetëm 10 sekonda për qëndrimin e mbajtur nga anëtarja e Këshillit Bashkiak, Bozdo. Ndërsa konferenca për shtyp ku denoncoheshin pasojat e djegies së laboratorit të kriminalistikës në Ministrinë e Brendshme nuk u pasqyrua fare nga  ky televizion. I kthyer në një televizion krejtësisht qeveritar, Klan vijon me devotshmëri sjellje servile ndaj pushtetit, të cilat konvertohen në leje ndërtimi dhe abuzime të tjera me trojet publike, të cilat, të gjitha do të vijojnë të denoncohen" shkruhet në artikull. 

Por nga rasti i Klan RD ka kaluar në akuzë kundër të gjitha mediave: "Qeveria ka vënë në kontroll përmes presioneve dhe joshjeve thuajse të gjitha mediat dhe televizionet. Askush nuk del dot jashtë gardhit të qeverisë dhe të gjitha janë kthyer në filial të turpshëm të portalit qeveritar “Transparenca.al”. Më në fund RD i referohet edhe rrjeteve sociale: "Censura që Klan i bën opozitës është një njollë turpi për këtë televizion dhe për këtë mjafton të shikosh edhe urrejtjen në rrjetet sociale të qytetarëve ndaj vijës editoriale të turpshme dhe servile të këtij televizioni". (lapsi.al)

SHKARKO APP