Pengmarrësi
Nga Ylli Dylgjeri –
Sa më shumë Shqipëria i afrohet zgjedhjeve të 25 prillit, aq më shumë po bëhet e qartë që Rama po sillet me Shqipërinë si një pengmarrës i vërtetë. Gjithmonë e ka konsideruar këtë vend dhe këtë popull viktimën e tij të marrë peng për ta keqtrajtuar. Dhe ky zakon nuk po i del edhe tani që ndjen fundin e pushtetit të tij. Përkundrazi! E ka kthyer pengmarrjen në mjetin kryesor që shpreson t’i sigurojë edhe mandatin e tretë.
Mori peng zgjedhjet me votimet e stilit “tërmet gjiknurian”. Dhe deformoi rezultatin në qëverisje.
Mori peng administratën duke instaluar qeverisje me nepotizëm, me kushërinj e krushqi jetuesish, bashkëjetuesisht e ish-ësh.
Mori peng stabilititetin afatgjatë të financave publike me rritjen e pafre të borxhit të shtetit dhe konçensioneve.
Mori peng xhepat e biznesit dhe qytetarëve me rritjen
e taksave dhe shpërdorimet me tendera.
Mori peng ajrin dhe dritën e qyteteve, e sidomos të Tiranës, me projektet rilindase të betonizimit dhe kullëzimit të qyteteve.
Mori peng lirinë e mediave.
Mori peng reformën në drejtësi duke urdhëruar kalimin kontrabandë të gjyqtarëve e prokuroëve rilindas.
Nuk ndali këtu. Tani po përdor edhe dy pengmarrjet e fundit që të shtijë në dorë mandatin e tretë, duke mos u ndaluar as para vdekjes.
Mori peng fatkeqët dhe të pastrehët nga tërmeti i nëntorit 2019. Pasi bëri pozat e “shpirtdhimbsurit“ (kushedi sa herë të improvizuara para sufllaqexhinjve të tij) përballë shpirtdjegurve nga tërmeti, e shndërroi programin e rindërtimit në një pengmarrje të vërtetë, që sa më shumë të zvarritë nevojtarët pas vetes deri në zgjedhje. Që viktimat të kujtojnë se vetëm prej “këtij Zoti” do të kenë një strehë mbi kokë, përndryshe janë të humbur rrugëve. Dhe kuptohet e gjitha në këmbim të votës pro pengmarrësit më 25 prill.
Dhe më e fundit “ëndrra e tij përdëllyese” për t’i sjellë këtij populli vaksinën, që po e pret si i eturi për ujë në mes të shkretëtirës. “Kjo është ëndrra që më le pa gjumë për momentin, se si të sigurojmë sasinë e vaksinave për virusin vrasës”, thotë pengmarrësi që edhe këtë fatkeqësi të shëndetit nuk ngurron ta kthejë në pengmarrje në këmbim të reklamës për të dhe votës.
Merr peng Partinë Socialiste, heq e vë kë ti dojë qejfi
në drejtim pa asnjë konsultim e mbledhje strukturash.
Prandaj, askush të mos harrojë mësimin kryesor në çdo krizë pengmarrjeje: Asnjëherë nuk i hapet rruga shantazhit të pengmarrësit. Përkundrazi, pengmarrësit i pritet çdo mënyrë për t’u kthyer përsëri si pengmarrës.
Mos harrojmë që më 25 prill kemi në dorë të çlirohemi nga shantazhi i pengmarrësit.