Pensionisti

 

HABERET E MITROS

Nga Mitro Çela

Koha vënde-vënde! E mora qetë-qetë rrugën brigjeve të Liqenit Artificial. Kalova shkollën “Uillson”. Bëra ca të përpjeta e të tatëpjeta. Diku mu prenë gjunjët. Thashë të ulem. Buzë një kodrine më zuri sytë një kafene. Thashë:

-Tavolinat plot-kafeja e kolme.

Zura vend. Një kamariere me pak cica të fryra si mollë pe Korçe, më erdhi vërdallë pa ma varur. Nuk ja mora për ters. Bile mu duk sikur mu vardis dhe instinktivisht futa gishtat mes flokëve. Dikur, në rini duart shkonin poshtë. Në pleqëri- ngjiten lart. Kaluan 20 minuta. Mora guximin dhe I fola çupës:

-Jam edhe unë për kafe?

-Boll i lëpive flokët,- nuk ka kafe për ty?

-Po pse?

-Është kafe me skonto për pensionistët?

-Edhe unë pensionist jam?

-Qofsh me shëndet. Lokali ynë nuk është han me dy porta! Ka rregulla. Duhet të regjistrohesh. Duhet të marrësh kartë regjistrimi. Duhet edhe miratim liste në Këshillin Bashkiak të Tiranës që mblidhet një herë në tetë muaj?!

Nga tavolina ngjitur ma bënë me shenjë. Ishin katër të moshuar. I bënë rixha kamarieres. Ajo solli kafenë dhe mu drejtua mua:

-Kafja e fundit?! Nuk dua të të shoh përsëri këtu?!

-E dimë që shkruan habere,- foli pensionisti i parë.- Më quajnë Latif. Të të tregoj një haber për veten time? Kam mbetur vetëm. Fëmijët në Amerikë. Plakës unë i them mirmëngjezs! Ajo përgjigjet-plaç të preftë?! Më dërgoi djali një celular. Në tre muaj më telefonoi tre herë vetëm djali. Bëra një marifet. Bleva një celular te dytë. Herë pas here i bie telefonit që më bleu djali:

-Alo… Latif? E pive kafenë, mo ditëzi?

-Alo…E piva Latif mavria, e piva!-Vetëpërgjigjet Latifi duke vënë në vesh celularin që kam blerë vetë.

-Mua më quajnë Zef!- Ndërhyri pensionisti i dytë.-Shkoj në kishë herë pas here. Një ditë pashë një zonjë nja 70 vjeçe që u fut të rrëfehet tek prifti. Bëra monolog me veten:

-Çfarë mëkati mund të ketë bërë një zonjë plakë që rrëfehet?…

-Asnjë.

-Po pse shkon në dhomën e rrëfimit?…

-Shkon të rrëfehet, vetëm e vetëm që të shkëmbejë dy pare muhabet me priftin!

-Unë po ngrihem,- tha pensionisti që u prezantua me emrin Isa.- Kam ditën e pensionit. Ka ndryshuar shumë Shqipëria. Vetëm barankat ku marrim pensionet-janë po ato. Një sallon i ngushtë. I ndarë me një gardh me dhoga. Përpara rrinë ulur, mes defterëve postjerer. Pesë gjashtë penxhere me hekura. Në dimër të kap tartakuti- brisk i ftohti. Në verë në mbyt vapa.

-Nuk thua shyqyr që merr ato të shkreta para,- tha me qesëndi një nga pensionistët,- ti kërkon qiqra në hell. Pak halle ka qeveria, dashke edhe salltanete për të marrë pension?

-Ore dëgjoni mua, që e kam marrë dikur pensionin në Llakatund. Mos i bini të mirës me shkelma. Në Tiranë kemi baraga. Në qyteza, pensionet merren në stalla!…

SHKARKO APP