Për ata që po nxisin urrejtje dhe përçarje etnike, prisni përballjen e madhe të 25 qershorit
Nga Vangjel Tavo
Të dashur miq!
Kemi me dekada që përpiqemi të punojmë e ta çojmë vendin përpara me mund, ide, strategji, impakt progresiv e të civilizuar, duke i dhënë forcë e ndihmuar njëri-tjetrin, e duke ushqyer shpresën që Shqipërinë tonë ta bëjmë ashtu siç ajo e meriton, evropiane dhe të zhvilluar. Fatkeqësisht, në shumë raste, rrugën e progresit e ka penguar mendësia e prapambetur dhe vogëlsia e sulmeve individuale të cilat nxisin një frymë negative, urrejtje, smirë, dhe padyshim vrasin shpresën për të cilën ne të gjithë po luftojmë kaq shumë për ta mbajtur gjallë.
Fatkeqësisht, pas kaq shumë viteve demokraci, mendësia e prapambetur e disa segmenteve dhe filozofie të caktuar nxit urrejtjen individuale, përçarjen etnike, diskriminimin njerëzor, dhe përdor përbaltjen për integritetin e politikanit, por edhe të njerëzve të thjeshtë të cilët kanë bindjet e tyre personale të garantuara nga çdo liri universale e njeriut.
Kohët e fundit, me keqardhje kam parë që sulmet ndaj LSI-së, si edhe figurës dhe personalitetit tim shtohen çdo ditë. Unë personalisht nuk shqetësohem aspak nga çdo lloj gënjeshtre, shpifje, sajese, lajmi të rremë apo të stisur, veçse ndjej keqardhje për habitatin e mjerë ku disa elementë të dëshpëruar strehohen për të thurur intriga dhe shpenzojnë net pa gjumë për të trilluar sulme individuale të turpshme herë me miell, të frymëzuar nga pluhurosja e mendimeve të tyre të vjetra, e herë me numra telefoni shtyrë nga xhelozia që askush nuk i bie numrit të tyre. Unë nuk shqetësohem për asnjë sulm të tillë, i cili vjen si pasojë e faktit të padiskutueshëm që LSI është e do të jetë forca e parë politike në qarkun e Gjirokastrës , por nuk mund të lejoj në asnjë mënyrë që këta “gaztorë” bajatë të ofendojnë popullin e mrekullueshëm dhe krenar të Labërisë, Gjirokastrës, Dropullit, apo çdo bashkie e zone të qarkut tonë.
Ju ftoj të përballemi në ide, por mos ma baltosni Labërinë me shpifje të pathëna nga unë apo askush tjetër nga familja ime politike. Ju sfidoj të përballemi në çdo zgjedhje por mos ma cënoni emrin, identitetin, krenarinë dhe integritetin e Labërisë dhe mbarë trevës së Gjirokastrës. Më sulmoni mua nëse mundeni, por mos shpifni kundër motrave dhe vëllezërve të mi lab, dropullit dhe gjirokastrit, të cilët i kam dashur e do i dua deri sa të kem jetë, të cilëve i kam shërbyer me mendje dhe zemër për më shumë se 20-të vite në politikë, të cilëve do vazhdoj ti përkushtohem e ti respektoj me të gjithë qenien time.
Unë e konsideroj veten si një njeri të privilegjuar sepse në këto 21 vite të rrugëtimit tim politik, e këtij besimi të madh që më kanë dhënë njerëzit e thjeshtë, të gjithë komunitetet në Gjirokastër më kanë hapur shtëpitë dhe më kanë dhënë besimin dhe respektin e papërshkrueshëm. Këtë privilegj të madh asnjëherë nuk do mundem t’ua shpërblej aq sa duhet, por u jam përulur dhe vazhdoj t”u përulem me respektin dhe me vlerat e mia më njerëzore.
Vendlindja ime është Dropulli, por une me krenari jam shqiptar, lab, gjirokastrit, dhe bir i cdo komuniteti në mbarë këtë qark tejet të vyer për mua.
Jam ulur në sofrat e çdo shtëpie e kam ndarë gëzimet dhe hidhërimet me çdo njeri. Këtë respekt dhe privilegj nuk do e harroj kurrë, ndaj askush të mos guxojë të ofendojë vëllezërit dhe motrat e mia në këtë qark i cili është zemra e jugut të Shqipërisë, madje edhe vetë zemra ime.
Unë jam bir i Labërisë, ndaj shpifja juaj e fundit nuk ze vend në asnjë shtëpi të vëllezërve të mi.
Ju sulmoni pa integritet ndërsa unë ju sfidoj burrërisht dhe fisnikërisht: Prisni përballjen e madhe; Prisni datën 25 qershor dhe mësoni e kuptoni njëherë e përgjithmonë se sa shumë Vangjel Tavo e do këtë trevë dhe se sa njerëzit e thjeshtë të kësaj treve e duan birin, mikun dhe vëllain e tyre.
Edhe pak ditë na ndajnë nga fitorja e madhe dhe nga heshtja juaj shumë e gjatë!