Për “bulldogët” dhe “derrat e kënaqur” të pushtetit kriminal

Nga Aleksandër Biberaj

Po bëhet java nga keqtrajtimi barbar dhe vrasja makabre e Klodian Rashës, e, ndërkohë, ajo që vihet re në vazhdimësi, gjë të cilën e them me shumë keqardhje, është se reagimi i pushtetit kriminal në raport me këtë ngjarje dhe me protestat e rinisë që shoqëruan këtë ngjarje, është po aq kriminal, sa edhe vetë vrasja e Klodianit.

Gjeneral Lleshaj, një ushtar i bindur i Ramës, por edhe i krimit, priti shefin e tij që të kthehej nga shopingu në SHBA për t’ia dhuruar “kokën në tepsi”, që pastaj ai t’ia tregonte botës. Dukej ashiqare se ajo ishte një dorëheqje e turpshme, e detyruar, e urdhëruar dhe Lleshaj vazhdon akoma pa kërkuar falje publike për vrasjen e Klodianit nga Policia e tij e inkriminuar dhe gjuan me top, nga frëngji të ndryshme televizive, gjyle kundër popullit opozitar dhe opozitës, pa dhënë asnjë shpjegim se ç’bëri për 2 vjet në postin e ministrit, përveç zhytjes së mëtejshme të vendit në kanabis, droga të rënda, krime, si dhe “mbytjes” së opozitës, popullsisë civile dhe bizneseve me gaz lotsjellës…

Akoma edhe sot e kësaj dite, Kryeministri që shkoi te familja Rasha nuk u ka kërkuar falje publike qytetarëve dhe shoqërisë shqiptare për aktin kriminal që ka kryer uniforma e shtetit të tij, me inspirim dhe frymëzim direkt të tij. Kryeministri nuk ka kërkuar falje për shokun psikologjik dhe frikën që i shkaktoi vrasja e Klodianit një brezi adoleshentësh dhe të rinjsh, për shokun që i shkaktoi një shoqërie të tërë të traumatizuar nga një tranzicion i stërzgjatur dhe i tmerrshëm 30-vjeçar, por edhe nga pandemia që po e torturon botën prej gati një viti.

Edhe vizita në familjen Rasha, që u iniciua nga “shkesë pajtimi”, ngjan më shumë me veprime hienash që bëjnë gjithçka për interesa e tyre karrieriste apo ekonomike, duke e intimiduar dhe kompleksuar edhe më shumë familjen e Klodianit për të shkruar edhe letër publike. Fillimisht, pas vrasjes pati stepje dhe frikë nga qeverisja e krimit, por shumë shpejt u “ngjallën” edhe “bulldogët” e dhjamosur, edhe hienat e pushtetit, dhe filluan të belbëzojnë nëpër mediat e tyre televizive, duke ndotur edhe më tepër ambientin, tashmë të intoksikuar dhe traumatizuar nga vrasja e Klodianit.

Ata ngjajnë në të vërtetë si vrasës me pagesë që lëvizin nga njëra studio në tjetrën, duke hedhur tymuese nëpër studio televizive si gazi lotsjellës që hedh Policia ndaj të rinjve. Po t’i vësh re, ligjërimet e tyre janë të urdhëruara dhe sinkron, pasi të gjithë recitojnë të njëjtën kasetë pa asnjë lloj logjike apo kauze. Ata të gjithë vetëm belbëzojnë sipas modelit “Po, por…”, “Jo, por…”, “jo, por të presim hetimet”, “po, por s’e dimë si ka qenë puna, si ka ndodhur ngjarja”, “jo, por polici mund të ketë qenë i dehur”, “po, por pse të digjet pema e Vitit të Ri”, “jo, por do mbeten fëmijët pa festuar Vitin e Ri”, “po, por pse të prishet atmosferën e festave të fundvitit” e kështu me radhë jemi të dënuar të dëgjojmë lloj-lloj broçkullash idiote nga më të paturpshmet.

Ndërkohë që po kjo Polici e inkriminuar po dhunon çdo ditë adoleshentët dhe rininë, duke i zhdëpur në dru dhe shoqëruar pa të drejtë nëpër komisariatet e Tiranës, pa bërë asgjë e në kundërshtim me ligjin. Nuk mjaftohen vetëm me të rinjtë, por shoqërojnë dhe keqtrajtojnë edhe gazetarë dhe përfaqësues të medias. Askush nga “bulldogët” nuk e hap gojën për dhunën policore. Këtu nuk bëhet më fjalë vetëm për jetën e Klodianit, por bëhet fjalë për një gjeneratë adoleshentësh dhe të rinjsh të frustruar nga ky regjim kriminal dhe të terrorizuar po nga kjo Polici e inkriminuar, një rini pa asnjë shpresë për të ardhmen, pa kushte arsimore dhe shëndetësore, pa punësim dhe pa mundësi punësimi, pa ekonomi dhe e zhytar në një varfëri ekstreme.

Klodiani punoi gjithë ditën si murator dhe u vra kur doli nga shtëpia të pinte një kafe dhe një cigare, po në derë të shtëpisë. Sot, rinia nuk po proteston vetëm për Klodianin që u vra nga Policia, por proteston për gjeneratën “Klodiane” që po vritet me një mijë mënyra çdo ditë nga Edi Rama dhe banda e tij qeverisëse. Dhe kryevrasja e një brezi është kur i vret shpresën, dhe kur e detyron me hir apo pahir që të braktisë vendin dhe të largohet në emigracion. Përse “bulldogët e pushtetit” nuk e hapin gojën për këtë gjeneratë, apo se vetë janë të dehur nga pushteti pa fund dhe nga paraja pa fund, të cilat nuk i kishin imagjinuar as në ëndrrën e ëndrrave.

“Bulldogët e pushtetit” urrejnë të rinjtë që protestojnë dhe familjet e tyre, të cilët më punë të ndershme nuk u krijojnë dot kushte fëmijëve të tyre ashtu si fëmijët e “bulldogëve”. Kur filluan protestat e studentëve para dy vitesh, hienat e pushtetit u lëshuan nëpër universitete, duke premtuar gjithçka vetëm e vetëm që studentët të ktheheshin në auditorë dhe i mashtruan, i gënjyen me “kokën e ministres së Arsimit” dhe më “paktin e turpit të universiteteve”, ndërkohë që kaluan dy vjet dhe nuk bënë asgjë. Aq ishte, sa të kërcenin lumin, nuk u panë më nëpër universitete. Tani thonë përsëri pa pikë turpi “se mjafton koka e ministrit”, a thua se po bëhet pazar i gjësë së gjallë dhe jo e tashmja dhe e ardhmja e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që sot është tejet e cenuar dhe rrezikuar rëndë nga sekti shkatërrimtar i rilindjes.

Por, jo, sot e thotë rinia dhe duhet ta thotë i gjithë populli, “nuk mjafton as koka e Kryeministrit dhe gjithë qeverisë”, pasi këta “bulldogë” duhen shkulur me hir dhe pahir nga pushteti i padrejtë, i pamerituar dhe kriminal që ata kanë sot.

Duhet patjetër t’i hapet një rrugë e re Shqipërisë, ku rinia të ketë shanset dhe mundësitë e veta për një jetë shumë më të mirë sesa kjo e sotmja, e, fatmirësisht rinia e ka kuptuar këtë rol dhe moment historik për të vazhduar atë që ne prindërit e tyre e filluam në dhjetorin ’90, por që gabuam shumë që në fillim, por edhe gjatë rrugës dhe nuk i realizuam ëndrrat, aspiratat e gjeneratës sonë. Dekada e re nuk duhet t’u përkasë me “bulldogëve, derrave të kënaqur të pushteteve, hienave, jagove, uriahipëve dhe tërë racës së këtyre gjallesave që nuk ngopen me pushtet dhe pasuri pa fund”, por rinisë, dhe ata do ta realizojnë këtë gjë me çdo kusht, me çdo çmim dhe me çdo mjet. Zoti e bekoftë rininë shqiptare që po merr fatet e vendit në duart e veta!

SHKARKO APP