Për çfarë janë marrë vesh?
Të lëkundurit janë ata që për hir të së vërtetës nuk kanë idenë se për çfarë janë marrë vesh Rama dhe Basha dhe me gjasë edhe pasi të shpallen pikat e marrëveshjes nuk do ta kuptojnë plotësisht përse u dëshën tri muaj zvarritje në rrugë të opozitës dhe bojkot parlamentar.
Nga Ilva Tare*
Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë arritur në përfundim të një takimi që nisi me shpotitë e zakonshme të Kryeministrit, të dalin së bashku duke pranuar se kanë arritur një marrëveshje. Çështja është se edhe një ditë më pas nuk dihet për çfarë janë marrë vesh dhe nuk ka transparencë në bisedimet mes dy partive të mëdha. Të përjashtuarit nga kjo marrëveshje duken jo pak të shqetësuar dhe takimi Meta-Berisha mund të jetë nxitur nga paqartësitë apo “viktimat” që mund të prodhojë një miqësi e re politike midis Lulzim Bashës dhe Edi Ramës.
Metafora e “Republikës së Re” u shkri brenda pak orëve së bashku me ultimatumet gati qesharake për harakiri partiak në emër të interesave politike. Dhe Rilindja e vjetër duket se u oksigjenua për të kërkuar votbesimin e shqiptarëve për një mandat të ri. Republika e vjetër u vu në lëvizje edhe publikisht pas komunikimeve jo ballore, por me ndërmjetës që kanë çuar dhe sjellë mesazhe, si korrierë të regjur që nga koha e regjimit të Hoxhës.
Marrëveshja ende jo publike në detajet e saj, pa dyshim ka krijuar të kënaqur, të pakënaqur, të zemëruar, të lëkundur apo edhe ka lënë individë krejtësisht indiferente ndaj një “deal” të ri në zyrat e vjetra të Kuvendit. Secila nga kategoritë ka arsye të ndjehet e realizuar apo e tradhëtuar në varësi të marrëdhënieve që ka pasur me Ramën dhe Bashën. Më në fund, fryma që thuhet se është tentuar të futet nga ndërkombëtarët në të paktën tri vitet e fundit për një komunikim civil dhe dialog bashkëkohor të liderëve të rinj në moshë arriti të fitojë terren.
Dhe për të mbërritur deri këtu ka pasur edhe injektime lokale nga grupe miqsh dhe biznesesh që e duan Shqipërinë të cliruar nga retorika e vrazhdë e një politike të vjetër, të korruptuar dhe të kompromentuar për të ardhmen e vendit. Dyshja e re e politikës Rama-Basha nuk është immune ndaj këtij mentaliteti dhe realiteti, por ajo që besohet kryesisht nga diplomatët e huaj, është ndryshimi i rrethanave ku ndodhet Shqipëria dhe fillimi i një kapitulli të ri të shtetit ligjor me reformën në drejtësi dhe hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Të kënaqurit me marrëdhënien e gjatë dy ditore Rama-Basha janë ata që qëndrojnë gjithmonë dy metra larg zyrës së Kryeministrit të radhës dhe arrijnë të ndikojnë në humorin politik të vendimmarrjes për tendera, leje ndërtimi, imunitet ndaj taksave dhe favorizim klientelist. Këta nuk janë të shumtë në numër, por fuqiplotë ndaj sovranitetit të munguar të liderëve. Në këtë kategori futen modesisht edhe disa çadrist që kanë shkëlqyer me praninë dhe angazhimin e tyre shërbyes ndaj Republikës së Re, për të cilën sa më pak informacion kishin, aq më të zellshëm shfaqeshin në muret virtuale të komunikimit.
Të pakënaqurit janë një kategori më e madhe në numër, por shumë më pak e ndjeshme në GDP-në e vendit. Këtu hyjnë kryesisht inacorët, ish të begenisurit e lënë në harrëesë nga liderët, të vetëquajturit parimorë dhe kryesisht gjobvënës, që përmes statusit publik kanë influencuar dhe frymëzuar strategji për ta futur vendin në spiralen e krizës politike, prej së cilës shtonin përfitimet dhe zgjasnin orët e shpenzuara duke punuar si këshilltarë. Prej këtyre individëve kanë dalë edhe tezat me tradhëtarë dhe të shitur te pala kundërshtare, sepse kjo është monedha që u ka siguruar më shumë të ardhura. Hidhërimi i kësaj kategorie do të kalojë po aq shpejt sa flladi i freskët i pishave në periferi të Tiranës apo në bregdetin shqiptar.
Të lëkundurit janë ata që për hir të së vërtetës nuk kanë idenë se për çfarë janë marrë vesh Rama dhe Basha dhe me gjasë edhe pasi të shpallen pikat e marrëveshjes nuk do ta kuptojnë plotësisht përse u dëshën tri muaj zvarritje në rrugë të opozitës dhe bojkot parlamentar. Këta janë më së shumti njerëz që shohin punët e tyre dhe paguajnë faturat e një shteti jo funksional, me shërbime të munguara, që i bëjnë çdo vit të hedhin llotarinë amerikane.
Indiferentët janë shqiptarë që jetojnë me punën e tyre dhe nuk e shohin jetën të lidhur miqësitë apo servilosjen ndaj politikanëve. Gjasat janë që kjo kategori të jetë e vendosur kryesisht në zona rurale ku shërbimi ndaj dhive dhe lopëve u siguron jetesën përmes ndonjë baxhoje modeste. Por edhe indiferenca e tyre merr fund ditën kur zyrtari i shtetit i kërkon pronësi në 30% të kompanisë për ta lënë të qetë nga “ushtarët” e ligjit që udhërohen të hidhen në sulm sa herë duhen fuqizuar financat e partisë përkatëse.
Në të gjitha kategoritë e sipërmendura shqiptarët e thjeshtë dhe të ndershëm që janë dhe më të shumtit në numër, nuk bëjnë pjesë e për rrjedhojë ata pritet të jenë të fundit për të përfituar nga marrëveshja e re që u fut në historikun politik si paketa “McAllister” që një qytetar i pyetur sot e konsideroi si shpëtimtarin e Shqipërisë, por për të cilin nuk dinte asgjë se kush ishte dhe çfarë përfaqësonte. Gjysma e së keqes, se mund ta identifikonte edhe si gjermanin partiak që flet në emër të partisë dhe jo të qeverisë që përfaqëson.
JavaNews.al