Për çfarë vlen klithma e Blushit
“Duke e shndërruar PS në një parti të njëshit, Edi Rama po i heq shqipëtarëve mundësinë e një zgjedhjeje reale.
Pikërisht për këtë, klithma e Blushit mbi kufomën e PS-së së vjetër, nuk është thjesht një problem i socialistëve. Ajo është një alarm për shoqërinë…”.
Nga Andi Bushati
Ben Blushi i ka dorëzuar këtë të hënë grupit parlamentar të PS një dokument tejet serioz dhe të detajuar se ku Edi Rama po e shkel statutin e partisë së tij (në plot 14 pika), se ku ai po dhunon kushtetutën e vdendit dhe se ku po anashkalon ligjin për organizatat politike.
Po të lexohet më vëmendje letra e Blushit është drithëruese .
Mes rreshtave të saj vizatohet portreti i një njeriu që nuk ka respektin më të vogël as për ligjet rregullat e përbashkëta, as për funksionimin normal të një force politike.
Po të shkohet më tej, “Kandidati” që profilizon Blushi është politikani që njohim prej 16 vjetësh. Administratori që pa pyetur askënd leu Tiranën me ngjyrën e shallvareve të tij, ashtu sikurse sot rimodeloi kryeministrinë, pa treguar se kush ideoi dhe kush e financoi këtë projekt.
Po të vazhdohet me shqetësimet e Blushit për mosrespektimin e rregullave të garës, në mend na vjen njeriu që në vitin 2000 bëri deri në fund betejën për kryebashkiak, pa hequr asnjë ditë dorë nga posti i ministrit të kulturës. Ai nuk riskoi veten në asnjë çast ashtu sikurse nuk guxoi, as në vitin 2009, kur krijoi precedentin e një force politike që nuk e përfshin kryetarin e saj në zgjedhje.
Po të thellohesh edhe më, kur Blushi flet për mungesën absolute të kolegjalitetit dhe shpërfilljen e instancave të PS-së, e ke të lehtë të kuptosh se pse tenderat dhe koncesionet i jepen miqve të Ramës dhe pse gara është zhdukur, jo vetëm në parti por edhe në vendimet flagrante të qeverisë.
Me pak fjalë me anë të skanimit të problemeve që i ka bërë familjes së tij politike, Ben Blushi na ka sjellë edhe njëherë para syve profilin e njeriut që drejton sot vendin.
Por, beteja ku është futur Ben Blushi nuk është e rëndësishme vetëm për këtë. Ajo nuk i intereson masës të madhe të njerzve vetëm për mënyrën arbitrare se si u ndryshua stema e socialistëve, se si u zhduk flamuri, grushti me trëndafil, e të tjera si këto.
Interesi i saj madhor është shqetësimi publik për degradimin drejt autoritarizmit të forcës deri tani më pak të prekur nga ky virus në Shqipëri.
Për zhbërjen e një partie si ajo, ku në vitin 1995, mocioni i Nanos mund të fitonte në kongres, megjithëse mbartësi i tij gjendej i izoluar në burgun e Berishës.
Të një partie që që ka ofruar gara spektakolare si kongresi i vitit 1999, ku megjithëse kryeministër, Pandeli Majko humbi për pak vota.
Të një partie ku Ilir Meta, që sapo kishte fituar zgjedhjet (2001), mund të sfidohej si kryeministër dhe ku lëvizja për katharsis mund ta zhbënte pushtetin e tij butaforik.
Të një partie ku nuk ishte mëkat që vetë ky Edi Ramë të konkuronte me kryetarin historik (2003) duke hapur rrugën e sigurtë të trashëgimisë.
Ben Blushi sot po na kujton se kjo PS ka vdekur, bashkë me stemën dhe flamurin e saj të vjetër.
Dhe “vajtimi” i tij mbi kufomën e PS-së ka meritën të jetë edhe një klithmë alarmi për të gjithë shoqërinë.
Ja përse.
Deri tani, në këtë çerek shekulli, shoqëria shqiptare i ka gjetur ekuilibrat e saj duke alternuar dy modele: Atë autoritar të së djathtës të mbështetur mbi karizmën, autoritarizmin, sektarizmin dhe shpesh herë dhunën e së djathtës së Berishës dhe në anën tjetër, hapjen tolerancën dhe liberalizmin e socialistëve të Nanos.
Shembulli më i mirë për këtë është ndryshimi i pushtetit në vitin 1997, ku u kalua nga një system me opozitarë dhe gazetarë të burgosur, pa protesta dhe mitingje, me piramida financiare dhe me një lider të vetëm, në pushtetin e socialistëve me TV dhe banka private, me media më të lira, me tre kryeministra dhe dy presidentë që i linin vendin njëri -tjetrit.
Kur ky sistem degradoi, për shkaqe krejt të ndryshme nga i pari, prej makutërisë dhe korrupsionit, shoqëria u kthye përsëri tek modeli i parë (2005), por këtë radhë më i zbutur edhe për shkak të eksperiencës nanoiste.
Pra shkurt, në 25 vjet votuesit shqiptarë kishin gjetur një ekuilibër mes një modeli më të vrazhdë dhe autoritar që sendërzohej tek një person i vetëm dhe një tjetri me tolerant dhe liberal me një mori figurash.
Kur kupa mbushej në njërën anë ajo balancohej nga ardhja në pushtet e palës tjetër.
Pikërisht për prishjen e këtij ekuilibri, Edi Rama është i rrezikshëm sot, më shumë se për gjithçka tjetër.
Duke e mbyllur PS-në, duke e identifikuar atë me veten, duke zbehur deri në zhbërje çdo personalitet të saj, ai jo vetëm po e çon këtë parti drejt një tipologjie berishiste, por ai po zhbalancon njëkohësisht edhe harmoninë që gjente krejt shoqëria në alternimin mes këtyre dy modeleve.
Duke e shndërruar PS në një parti të njëshit, Edi Rama po i heq shqipëtarëve mundësinë e një zgjedhjeje reale.
Pikërisht për këtë, klithma e Blushit mbi kufomën e PS-së së vjetër, nuk është thjesht një problem i socialistëve. Ajo është një alarm për shoqërinë. (Lapsi.al)