Për një fakultet që ndryshon duke ruajtur vlerat e së shkuarës

Stafi i ri drejtues duhet të ofrojë lidership dhe shërbim nëpërmjet gërshetimit të traditës me idetë e reja, me qëllim që Fakulteti i Mjekësisë të bëhet forumi akademik ku Kërkimi Shkencor, Edukimi, Komunikimi dhe Inovacioni shkrihen në një vizion unik“…

 Prof. Dr. Xheladin Draçini*

Nuk është e lehtë të hedhësh në letër idetë dhe vizionin e krijuar pas një periudhe, tashmë shumëvjeçare, si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. Mbasi kam kaluar në këtë fakultet të gjithë etapat e formimit profesional dhe akademik duke filluar nga studimet universitare në mjekësi të përgjithshme, studimet specializuese afatgjata në kirurgji, eksperiencën si pedagog në dy departamente disi të ndryshme nga njëri-tjetri siç janë ato të Morfologjisë, Seksioni Anatomi Normale (departament i lëndëve paraklinike) dhe Kirurgjisë (departament i lëndëve klinike) dhe më pas eksperiencën e gjatë si pjesë e stafit drejtues të QSUT dhe të Fakultetit të Mjekësisë; mendoj se kam arritur të shoh nga afër çdo aspekt të jetës së këtij institucioni. Kjo eksperiencë në nivele të ndryshme besoj se më ka plotësuar si profesionist, por mbi të gjitha më ka dhënë mundësinë të kuptoj më mirë problematikat e jetës universitare dhe shkencore të Fakultetit të Mjekësisë dhe kësisoj të kem një pamje më të plotë mbi çfarë përbën vlerë të mirëfilltë në këtë fakultet dhe cilat janë pikat ku është e nevojshme të vihet dorë me qëllimin e mirë për të ngritur një shkallë më lart cilësinë, transparencën, nivelin e kërkimit shkencor dhe konkurrueshmërinë e këtij institucioni në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Ekziston ndonjëherë në mjediset universitare një prirje për të minimizuar apo mohuar çdo arritje të së shkuarës. Mendoj se kjo prirje nuk sjell asgjë të dobishme dhe shpesh bëhet pengesë për ecjen përpara duke u mbështetur në vlerat më të mira të së shkuarës. Vlera të tilla në Fakultetin e Mjekësisë ka plot, duke filluar që nga breza të tërë stafesh akademike të përkushtuara, të cilët kanë arritur të formojnë atë plejadë mjekësh dhe profesionistësh të tjerë të shëndetit, të cilët me profesionalizëm dhe përkushtim arrijnë të shpëtojnë çdo ditë qindra jetë dhe të përmirësojnë shëndetin e popullatës në përgjithësi; duke vazhduar me studentët më të dalluar të cilët studiojnë në Fakultetin e Mjekësisë dhe që vijnë në këtë fakultet me një ëndërr në sirtar, ëndrrën e bluzës së bardhë dhe të të shërbyerit me përkushtim pacientëve të tyre të ardhshëm. Ne kemi detyrimin të bëjmë më të mirën për përmbushjen e kësaj ëndrre në shërbim jo vetëm të studentëve, por edhe të gjithë shoqërisë në përgjithësi. Stafi i ri drejtues duhet të ofrojë lidership dhe shërbim nëpërmjet gërshetimit të traditës me idetë e reja, me qëllim që Fakulteti i Mjekësisë të bëhet forumi akademik ku Kërkimi Shkencor, Edukimi, Komunikimi dhe Inovacioni shkrihen në një vizion unik.

Synimi i kësaj platforme zhvillimore të Fakultetit të Mjekësisë është ta bëjë arsimin mjekësor më tërheqës dhe konkurrues duke krijuar një lidhje të ngushtë ndërmjet edukimit mjekësor dhe kërkimit shkencor. Komunikimi dhe inovacioni në shkencat dhe aplikacionet mjekësore mbetet përparësia bazë e programit tonë zhvillimor 4 – vjeçar për Fakultetin e Mjekësisë, UMT. Vizioni ynë përfshin pasurimin e kurrikulës me Shkencën e Komunikimit, për të formuar bazën e një mjedisi të shëndetshëm profesional mjekësor për kërkimin shkencor të mbështetur në komunikimin dhe e-mjekësinë. Platforma dhe vizioni për zhvillimin e Fakultetit të Mjekësisë përfshin dhjetë objektivat e mëposhtme:

Transparenca dhe Sigurimi i Brendshëm i Cilësisë

Kërkimi Shkencor

Ndërkombëtarizimi dhe Rritja e Vizibilitetit

Rritja e Cilësisë së Mësimdhënies dhe Programeve

Meritokracia, Shanset e Barabarta dhe Zhvillimi Profesional

Autonomia dhe Këshillimi Studentor

Interdisiplinariteti dhe Bashkëveprimi Ndër-Departamental

Partneriteti me Grupet e Interesit

Bashkëveprimi Social nëpërmjet Teknologjisë; Dixhitalizimi, e-Learning dhe Aktivitetet Ekstra-Kurrikulare

Rritja e Cilësisë të Shërbimeve Administrative

Transparenca dhe sigurimi i brendshëm i cilësisë duhet të përfshijë edukimin mjekësor, kërkimin shkencor, shërbimet mbështetëse dhe edukimin në vazhdim. Ndërtimi i mekanizmave të brendshëm për sigurimin e cilësisë mbetet detyrë me rëndësi e Fakultetit të Mjekësisë me objektiv afatmesëm akreditimin e të gjitha programeve të studimit. Të gjitha planet mësimore të fakultetit do të rivlerësohen në lidhje me përshtatjen e tyre me vizionin tonë zhvillimor dhe në përputhje me kornizën ligjore kombëtare dhe evropiane të arsimit të lartë.

Përmbushja e këtyre objektivave synohet të arrihet nëpërmjet krijimit të Njësisë të Vlerësimit të Brendshëm të Cilësisë, në bashkëpunim të ngushtë me APAAL/ASCAL dhe përkrahjes dhe fuqizimit të komisionit të reformës kurrikulare. Zhvillimi i mekanizmave për monitorimin dhe indikatorët matës për cilësinë e mësimdhënies dhe të mësimnxënies, bashkë me mekanizmat për raportimin nga ana e studentëve për cilësinë e mësimdhënies dhe të shërbimeve për studentët janë shumë të rëndësishëm për përmbushjen e vizionit tonë zhvillimor. Të gjitha proceset pedagogjike dhe akademike brenda fakultetit (mbajtja e mësimit, regjistrimi i studentëve, përzgjedhja e stafit akademik etj.) duhet të jenë të hapura për monitorim nga organizatat studentore dhe të gjithë aktorët e interesuar.

Sfidat kryesore të kërkimit shkencor në Shqipëri lidhen me burimet njerëzore, infrastrukturën dhe teknologjinë. Studentët e të gjitha niveleve, veçanërisht ata të ciklit të tretë, duhet t’i nënshtrohen mjedisit kërkimor elitar dhe trajnimit të bazuar në kërkim shkencor. Programet pasuniversitare (masterat kërkimorë, doktoratat dhe aktivitetet post-doktorale) duhet të hartohen nisur nga këndvështrimi institucional duke përcaktuar një numër fushash prioritare të zgjedhura mirë.

Në lidhje me përmirësimin cilësisë së mësimdhënies të lidhur me kërkimin shkencor, do të krijohet Qendra Didaktike e Aftësimit Klinik, për përfitimin e aftësive praktike të studentëve dhe profesionistëve të shëndetit, nëpërmjet manekinëve mjekësorë dhe simulimit të situatave dhe skenarëve të ndryshëm klinikë; gjithashtu do të krijohet sistemi online i bibliografisë shkencore të stafit akademik, që do të përditësohet në fund të çdo viti. Fakulteti do të marrë pjesë në aplikimin e granteve me konkurs të hapur brenda dhe jashtë vendit, duke përkrahur dhe rritur fondin për bursa për qëndrime kërkimore jashtë shtetit. Nxitja dhe stimulimi i punës kërkimore-shkencore të stafit akademik do të bëhet duke funksionalizuar dhe modernizuar infrastrukturën dhe teknologjinë përkatëse; gjithashtu do të shpërndahet apo publikohet informacioni për mundësitë e bashkëpunimit në këtë lloj veprimtarie kërkimore nëpërmjet “përqasjes së hapur” (‘Open açess‘) në relacionin e përhapjes së rezultateve. Mendojmë të nxitet dhe theksohet partneritetit me QSUT dhe ISHP si institucione ku kryhet një pjesë e mirë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor dhe të zgjerohet aplikimi në projekte si mënyrë e sigurimit të të ardhurave dhe e zhvillimit të stafit duke rritur edhe përfshirjen e studentëve në kërkimet dhe aktivitetet shkencore, në konferenca etj. Synimi ynë është fuqizimi i bashkëpunimit me sektorin publik dhe privat në realizimin e projekteve kërkimore që janë në funksion të përmirësimit të kujdesit shëndetësor si dhe shtimi i aksesit falas në bazat e të dhënave shkencore mjekësore online.

Një ndër objektivat tanë kryesorë është integrimi i Fakultetit të Mjekësisë në rrjetet (networks) e edukimit dhe kërkimit shkencor mjekësor të Bashkimit Europian dhe jashtë tij në një proces ndërkombëtarizimi përmes projekteve të përbashkëta, që përfshin përmirësimin e integrimit social dhe kulturor të studentëve tanë me hapësirën evropiane të arsimit të lartë mjekësor; gjithashtu do të krijojmë të gjitha mundësitë për të rritur shkëmbimin e studentëve dhe kërkuesve shkencorë në fushën e mjekësisë me vendet e huaja sepse besojmë që një proces i suksesshëm ndërkombëtarizimi duhet të bazohet në një përkushtim të madh ndaj traditës së shëndoshë të mjekësisë shqiptare.

Për realizimin e ndërkombëtarizimit do të ngrihet në nivel fakulteti Njësia e Hartimit dhe Implementimit të Projekteve për të identifikuar partneritetet strategjike me institucionet ndërkombëtare të arsimit të lartë mjekësor në të gjitha ciklet e studimit; për të shpërndarë dhe publikuar informacionin për mundësitë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe për të zhvilluar projekte të bashkëpunimit akademik dhe kërkimor-shkencor të nivelit të lartë. Kemi ndërmend të përkrahim fuqimisht mobilitetin e stafit akademik dhe studentëve duke shtuar vëllimin kohor të qëndrimeve studimore në institucionet kërkimore ndërkombëtare dhe duke promovuar dhe mbështetur mësimdhënien e profesorëve vizitorë nga universitetet e huaja në gjitha fushat e studimit. Bashkëpunimi me universitetet europiane do të fuqizohet përmes programeve të përbashkëta dhe kualifikimeve që bazohen në kurrikula të integruara.

Objektivi i prioritizimit të rritjes së cilësisë të edukimit mjekësor do të mbështetet në reformimin kurrikular dhe riorganizimin e brendshëm të planeve mësimore, duke riaktivizuar dhe optimizuar të gjitha strukturat tashmë të krijuara dhe funksionale pranë Fakultetit të Mjekësisë, si Komisioni i Kurrikulës, Njësia Pedagogjike etj. Cilësia e mësimdhënies është treguesi kryesor që korrelon me të mësuarit dhe zhvillimin profesional të studentëve në mjekësi. Edukimi bashkëkohor mjekësor vendos në qendër të vëmendjes studentin. Kjo përqasje nënkupton nxitjen e përdorimit të rezultateve të pritshme të mësimit dhe qartësinë për të përcaktuar se çfarë duhet të dijë dhe të bëjë një i diplomuar në profesionet mjekësore.

Procesi i reformimit kurrikular në Fakultetin e Mjekësisë kërkon të ofrohet mësim i bazuar në kërkimin shkencor dhe mjekësinë e bazuar në të dhëna (EBM); kërkon të ndiqet nga afër rregulli i mbajtjes së mësimit, si edhe të zhvillohen mekanizmat për monitorimin dhe indikatorët matës të cilësisë të zhvillimit të mësimit. Në metodologjinë e mësimdhënies do të zbatohen mënyra bashkëkohore dixhitale të mësimit (përfshirë kurset masive të hapura online, e-learning, telemjekësia etj.) dhe do të stimulohet studimi multidisiplinar duke përfshirë studentët në vlerësimin e cilësisë së mësimdhënies, freskimin dhe hartimin e programeve të studimit.

Një objektiv i rëndësishëm është zhvillimi dhe përtëritja e stafit akademik cilësor në Fakultetin e Mjekësisë duke bërë planifikimin dhe përzgjedhjen të bazuar në kritere të aprovuara bashkëkohore. Synojmë të parashikohet stimulimi për arritjet e personelit akademik, si edhe të ketë transparencë të plotë për të siguruar që të zbatohen procedura të drejta të rekrutimit në të gjitha nivelet duke zhvilluar politika të qarta për kualifikimin akademik.

Një vend i veçantë në platformë i kushtohet meritokracisë dhe shanseve të barabarta. Fakulteti i Mjekësisë duhet të garantojë parimet universale të meritokracisë akademike dhe shanseve e trajtimit të barabartë për të gjithë të punësuarit dhe studentët; të cilët do të gëzojnë parashikueshmërinë maksimale për karrierat e tyre profesionale dhe akademike, duke shkuar gradualisht drejt përfitimit të statusit të nëpunësit civil, apo të ngjashëm me të. Qëllimi ynë është që të sigurojmë që të gjithë grupet e interesit të përfshira në fakultetin tonë të kenë mundësi të barabarta për të pasur të njëjtin akses në edukimin mjekësor. Zhvillimi profesional i punonjësve në fushën e kujdesit shëndetësor do të bëhet nëpërmjet ngritjes pranë Fakultetit të Mjekësisë të Qendrës së Edukimit në Vazhdim.

Një pikë e rëndësishme e programit zhvillimor të Fakultetit të Mjekësisë është edhe partneriteti me studentët (duke mundësuar punësimin e tyre të përkohshëm dhe nëpërmjet krijimit të Njësisë së Këshillimit Studentor dhe Karrierës pranë Fakultetit të Mjekësisë) dhe me grupet e interesit (duke nxitur përfshirjen e këtyre grupeve në hartimin dhe realizimin e programeve akademike të orientuara drejt kërkimit shkencor në fushën e mjekësisë; duke angazhuar personelin akademik dhe studentët në sektorin mjekësor publik dhe privat për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta kërkimore-shkencore dhe duke siguruar që kurrikulat të pasqyrojnë nevojat e tregut të punës në kujdesin shëndetësor, të ndihmojnë në rritjen e punësimit të të diplomuarve dhe të çojnë në përmirësimin e imazhit të arsimit të lartë mjekësor në Shqipëri).

Kërkesat dhe standardet e larta do të jenë një shtysë e fuqishme për fakultetin tonë dhe parakushti për kërkimin shkencor cilësor. Ne duhet të ndërtojmë infrastrukturën për bashkëpunimin ndërdisiplinor dhe ndër-departamental, duke krijuar kushtet edhe për partneritetin me institucionet e arsimit të lartë të hapësirës evropiane të arsimit të lartë mjekësor.

Aspekte të tjera të rëndësishme mbi të cilat synohet të punohet janë bashkëveprimi social nëpërmjet teknologjisë, dixhitalizimit, e-learning, aktiviteteve ekstrakurrikulare, rritja e cilësisë së shërbimeve dhe infrastrukturës administrative etj.. I kemi kushtuar rëndësi të veçantë aplikimit të teknologjisë për të krijuar mundësinë e futjes në shkallë të gjerë të edukimit mjekësor interaktiv: si p.sh. komunikimit të qëndrueshëm me internet me shpejtësi të lartë ndërmjet pedagogëve; krijimit të forumeve tematike të diskutimeve; mundësive të punës me projektet on-line; vlerësimit të informatizuar të studentëve; shpërndarjes elektronike të detyrave etj.

Është e kuptueshme që realizimi i të gjithë objektivave të mësipërm nuk është i lehtë, por plotësisht i mundur nëse të gjithë angazhohemi të japim kontribut në përmbushjen e tyre. Në fund të fundit, gjithçka e shkruar më sipër është fryt i bisedave dhe diskutimeve me të gjithë pedagogët dhe studentët e Fakultetit të Mjekësisë gjatë takimeve tona. Përmbledhja në një program zhvillimor do të na ndihmojë në vendosjen e prioriteteve dhe në plotësimin e tyre në një afat sa më të shkurtër. Zbatimi i parimeve të administrimit të mirë publik të ndershmërisë, ligjshmërisë dhe transparencës në edukimin universitar mjekësor përbën bazën morale të aplikimit të kësaj platforme zhvillimore për katër vitet në vijim.

Fraza kyç latine që na shoqëron, Princeps servusque es është një parim mbi të cilin besojmë dhe mbi të cilin do të punojmë fort në funksion të krijimit të një fakulteti lider, i cili i shërben shoqërisë, ndryshon dhe modernizohet, duke ruajtur me ngulm vlerat e arritura gjatë 64 viteve të ekzistencës së tij.

*)Kandidat për Dekan i Fakultetit të Mjekësisë, UMT

SHKARKO APP