Për një shoqëri dhe politikë të re

Rinia shqiptare ka një potencial dhe energji të jashtëzakonshme. Talentin e tyre e shpalosin edhe përtej kufijve. Të rinjtë shqiptarë, të cilët studiojnë apo punojnë jashtë vendit i japin krenari Shqipërisë me aftësitë e tyre dhe etikën e punës dhe qytetare që tregojnë.

Nga Dr. Vangjel Tavo

Pas rënies së komunizmit, fatkeqësisht, vendi ynë ka kaluar një tranzicion të gjatë dhe me shumë ngjarje të rënda për një popull. Këto momente kanë qenë të vështira si për qytetarët shqiptarë ashtu edhe për vetë politikën. I gjithë vendi ka përjetuar shumë sfida sikurse edhe qeveritë dhe politikanët kanë pasur pjesën e tyre të barrës dhe kanë bërë përpjekjet e tyre për kapërcimin e situatave të vështira ku po kalonte vendi. Dy dekadat e fundit kanë qenë të shënuara me vështirësi të vazhdueshme për standardin e jetesës së shqiptarëve dhe për stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit.

Për shkak të punës së madhe që kanë bërë shqiptarët, sakrificës së jashtëzakonshme të emigrantëve, iniciativës së pashoqë të bizneseve të vogla e të mëdha, Shqipëria arriti të dalë nga klasifikimi si vend i botës së tretë në një vend në zhvillim.

Politika shqiptare u maturuara në mënyrë paralele me zhvillimin e vendit. Sa më shumë jemi afruar për nga familja evropiane aq edhe më europian është bërë edhe politika, por edhe mentaliteti i brezave. Vitet nëntëdhjetë ishin vite të vështira dhe mungesa e një precedenti të mirëfilltë demokratik bëri që politika të kalonte në shumë peripeci dhe eksperimente deri sa ajo të gjente vetveten dhe të ecte në rrugën normale të qeverisjes, parlamentarizmit, dhe opozitës.

Sot gjendemi në një moment social e gjeo-politik ku vendi ynë ka nevojë për një transformim dhe progres të ri shoqëror. Të gjitha revolucionet sociale kanë nisur nga mendja dhe zemra e njerëzve të thjeshtë. Sot ne kemi një rini e cila na vendos përpara vështirësive edhe më të mëdha se sa më parë, pasi pritshmëritë e saj janë më moderne, më avangarde dhe ëndrrat që burojnë nga mendja e risinë dhe dëshirat që rriten në zemrën e brezit të ri janë plotësisht evropiane dhe të njëjta me bashkëmoshatarët e tyre kudo në botën moderne.

Por, ekziston një hendek i madh midis këtyre ëndrrave dhe dëshirave dhe realitetit me të cilin i duhet të përballet rinia jonë. LSI është një familje politike shumë pranë rinisë dhe e kupton më së miri nevojën e rritjes së standardit të jetës për rininë dhe mbarë shqiptarët. Për këtë arsye edhe kryetari i LSI, z. Ilir Meta u shpreh në kampin rinor në Jalë që ne kemi nevojë për një transformim të thellë, për një progres të ri shoqëror që vjen përmes një solidariteti të ri, i cili në radhë të parë duhet të spikasë tek të rinjtë dhe për të rinjtë në emër të së ardhmes së tyre dhe të gjithë vendit, për një ndryshim dhe për një progres të ri shoqëror.

Rinia shqiptare ka një potencial dhe energji të jashtëzakonshme. Talentin e tyre e shpalosin edhe përtej kufijve. Të rinjtë shqiptarë, të cilët studiojnë apo punojnë jashtë vendit i japin krenari Shqipërisë me aftësitë e tyre dhe etikën e punës dhe qytetare që tregojnë. Politika i detyrohet shumë rinisë sonë, ndaj duhet të punojmë edhe më shumë për garantimin e standardeve më të mira të jetës, për krijimin e mundësive më të shumta për të ndërtuar të ardhmen dhe për t’i dhënë shpresë që ky vend do jetë atdheu i tyre dhe që do i dojë ashtu siç ata e duan atë.

Çdo politikan duhet ta konsiderojë veten të privilegjuar që historia e ka lejuar të jetë pjesë e misionit për ti shërbyer vendit. Nuk ka asgjë tjetër më fisnike se sa ti shërbesh qytetarit dhe vendit tënd. Ka ardhur koha që e gjithë politika të ketë në qendër të saj rininë dhe të përkushtohet ndaj nevojave të saj. Nëse vendosim si pikë fokale rininë, edhe vetë politika do përfitojë prej saj, pasi sa më shumë do i afrohet të resë, aq më shumë do i largohet politikës së vjetër.

SHKARKO APP