Për Shqipërinë e Republikës së Re
Nga Arian Starova/Do të doja të sjell në kujtesë që në fillimshkrimi se, përpara se Opozita të niste misionin e saj madhor për zgjedhje të lira dhe të ndershme, një përfaqësues diplomatik i huaj dhe shumë i rëndësishëm në Tiranë foli hapur për të gjithë dhe, si gjithnjë jo në emër të vetvetes, se në Shqipëri qarkullojnë dhjetëra miliarda para të pista të cilat mund të përdoren për të vjedhur zgjedhjet. Kjo deklaratë për mua ka qenë si rrufe në qiellin “e kthjellët” diplomatik, sepse për hir të së vërtetës, trupi diplomatik në Tiranë çuditërisht dhe paarësyeshmërisht ka heshtur për atë çka e shihnin qartë të gjithë shqiptarët. Kjo deklaratë ka qenë për mua edhe lindja e shpresës së madhe se, më në fund, po fillon një lëvizje e vërtetë e ndërkombëtarëve në mbështetje të bërjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme edhe te ne, në Shqipëri. Shumë shpejt më pas, filloi edhe Opozita misionin e saj madhor në emër të Republikës së Re që do të ngrihej mbi themelet e votës së respektuar të të gjithë shqiptarëve. Të dy këta fakte të rëndësishëm kanë lidhje thelbësore me njeri tjetrin, por nuk mund të themi se i dyti erdhi për shkak të të parit. Edhe aleatët tanë të rëndësishëm ndërkombëtarë edhe Opozita ishin bërë prej kohe të vetëdijshëm se Shqipëria e qeverisë së Rilindjes ishte futur në një rrugë të rrezikshme ku përkujdesja qeveritare për kultivimin dhe trafikimin e drogës ishte vetëm “maja e ajsbergut” e punëve të pista të një oligarike të re partiake të majtë që po kërkonte të blinte edhe demokracinë e shqiptarëve të fituar me aq mund dhe sakrifica në fillim të viteve 1990. Rilindja po kërkonte t’u rrëmbente shqiptarëve lirinë dhe demokracinë për t’u dhënë në vend të tyre, ambalazhin e saj apo dukjen e jashtme, apo “çelësat e kashtës”, siç thotë populli. Natyrisht, ky duhej të shërbente si sinjal i fortë i alarmit për rrezikimin e demokracisë shqiptare dhe rreziqe të tjerë që lidheshin me të.
Tashmë, nuk ka nevojë më të jepen argumente për të ashtuquajturin “kanabizim” të Shqipërisë. Megjithatë, ka ende shumë njerëz dhe sidomos të majtë mirëbesues të cilët nuk janë të bindur se zgjedhjet shqiptare të ardhshme parlamentare janë të rrezikuara.
Dua t’i pyes të gjithë ata, jo për të marrë përgjigje, por më shumë për t’i bërë të mendojnë: A e besoni ju se Kryeministri Rama nuk i ka ditur përmasat e frikshme të dukurisë së kultivimit dhe trafikimit të drogës? Përse po bëhen gjithë këta shkarkime të punonjësve të policisë, pasi u hoq ish-ministri i Brendshëm Tahiri? Përse foli për këtë dukuri ish-ministri i Drejtësisë Manjani? Përse kur u ngrit për herë të parë ky problem nga Opozita në Kuvend, Kryeministri Rama i doli në mbrojtje dhe foli për avionët e transportit të drogës duke thënë se, Opozita i ngatërron ata me mushkonjat? Përse, pikërisht tani, po ndodhin shumë vrasje të dyshuara si të lidhura me trafikun e drogës? A nuk duket qartë se sa rrënues është për një vend marrja e tij me drogë? Përse duhen gjithë këto para të pista? A është dinjitoze kjo gjë për një vend anëtar të NATO-s si Shqipëria? A nuk i duhet thënë ndal kësaj dukurie vrasëse për të ardhmen e shoqërisë demokratike shqiptare dhe të fëmijëve tanë? A mundet që në të tilla rrethana, të besohet se Reforma në Drejtësi do të bëhet vërtet e kulluar dhe e pashpërdoruar? A mundet që një Opozitë politike të përballet me një qeverisje të tillë dhe të besojë se do të organizojë zgjedhjet vërtet të lira dhe të ndershme, përveçse nëpërmjet protestave demokratike? A nuk do të ishte naivitet i pafalshëm politik i një Opozite të besojë në ndershmërinë që nuk duket askund të një qeverie që përballet edhe me kritika dhe akuza të tjera gjithfarësh?
Këto janë vetëm një pjesë e vogël e arsyeve që qëndrojnë pas kërkesës opozitare për zgjedhje nën kujdesin e një qeverie teknike, apo të të gjitha forcave politike kryesore. Arsyeja tjetër e madhe është dukuria e kriminalizimit të frikshëm të politikës. Ato kanë qenë të mjaftueshme për të sjellë në Shqipëri një delegacion të madh të kongresmenëve amerikanë si zëdhënësit më të mirë shqetësimit amerikan për Shqipërinë dhe të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Ka njerëz që e quajnë të paarsyeshme dhe, madje, paarësyeshmërisht qesharake kërkesën e Opozitës për qeveri teknike. Megjithatë, a ka mbetur rrugë tjetër për të siguruar themele të rinj për Republikën e Re demokratike të shqiptarëve?! Ekziston ende mundësia që Kryeministri Rama të japë dorëheqjen, por ai përsërit se nuk do ta japë atë. Megjithatë, unë ende shpresoj te arsyeja e tij në ditët e pasprotestës së 13 majit. Çdo ditë që kalon përpara një proteste opozitare që nuk ka asnjë mundësi tjetër për të qenë përveçse gjigante, shton argumente që shkojnë kundër këmbënguljes së Kryeministrit Rama duke ia shtuar paarësyeshmërinë qëndrimit të tij. Sepse, përvoja botërore e politikës tregon se kur vendi shkon me shpejtësi drejt një proteste dhe pakënaqësie që mund të çojë edhe drejt një përplasjeje shoqërore, atëherë e para gjë që bëhet është heqja e arsyeve të saj. Dhe nuk ka politikan me përvojë që të mund ta kuptojë ngjitjen e një njeriu pas pushtetit deri në çuarjen e vendit drejt sakrificave të tilla të panevojshme. Aq më shumë që vendi ndodhet përpara zgjedhjeve dhe të gjithë institucionet e tij qeverisës do të ripërtërihen.
Një prej përrallave të vjetra të futur në një kuti të re për t’u rishitur është ajo sipas së cilës populli shqiptar është me shumicë i majtë dhe se, prandaj, politika socialiste e Rilindjes është ajo që do të vazhdojë të mbizotërojë në Shqipëri. Kjo është gënjeshtra më e madhe dhe e paskrupullt e ditëve tona që fatkeqësisht e dëgjoj edhe nga goja e të djathtëve të Opozitës. Dëshiroj të pyes përsëri: Si ka mundësi që nga njëra anë po këta njerëz e shqyen fytin duke thënë se Shqipëria ka qenë vendi më komunist, më diktatorial, më i përndjekur, më i izoluar si në burg prej botës, më i varfër dhe, njëkohësisht, shqiptarët na qenka me shumicë të majtë? Kjo ide, fatkeqësisht e përhapur shumë mbështetet mbi përtesën opozitare për të punuar me përkushtim për njerëzit dhe në zellin e të majtëve të trashëguar nga e kaluara komuniste për ta përhapur atë.
E dëgjojmë thuajse çdo ditë togfjalëshin Republikë e Re, por kuptimi i saj i thellë është një e ardhme e re për Shqipërinë, një ndarje e qartë prej të këqijave të së kaluarës së afërt në demokraci, ose prej rikthimit në një formë të re të oligarkëve të regjimit të vjetër.
Do të doja ta përsëris me shumë ngulm se përpjekjet e Opozitës dhe të kryetarit të saj shumë të aftë, zotit Basha, janë shumë më madhore sesa i mendojnë njerëzit, sepse ato janë në të mirën e të gjithë shqiptarëve të pandarë sipas përkatësive politike.
E shtuna e ardhshme është tejet e rëndësishme për Republikën e Re, por edhe për dinjitetin e çdo shqiptari që e do vetveten, të ardhmen e familjes së tij dhe Shqipërinë.