Për Shqipërinë zgjedhje e mençur partneriteti strategjik me SHBA
“Në respekt të kësaj cilësie që kanë marrëdhëniet tona me partnerin strategjik, pra me SHBA-në, e gjej të udhës t’ju sugjeroj me shumë politesë përfaqësuesve tanë shtetërorë, të mos e konsumojnë vend e pavend gjithkund shkojnë për vizita shtetërore ndër fqinjë a gjetiu nëpër Europë, togëfjalëshin “partner strategjik”, sepse jo vetëm dëshmojnë mungesë respekti për partnerin e vërtetë strategjik, por na lënë të kuptojmë, se nuk dinë të ndajnë partnerin strategjik”….
Nga Luan Rama*
Miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i ligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkëmbimin e informacionit për verifikimin e terrorizmit” është prova e radhës e konsekuencës në bashkëpunimin mes dy shteteve e dy qeverive me objekt luftën kundër terrorizmit dhe angazhimin e përkushtuar të vendit tonë në këtë luftë, angazhim i shoqëruar me kontribute të vyera deri edhe në sakrifica sublime të jetës së ushtarakëve tanë si dëshmorë në luftën kundër terrorizmit.
Për shumë arsye e faktorë, marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-në janë strategjike. E në respekt të kësaj cilësie që kanë marrëdhëniet tona me partnerin strategjik, pra me SHBA-në, e gjej të udhës t’ju sugjeroj me shumë politesë përfaqësuesve tanë shtetërorë, të mos e konsumojnë vend e pavend gjithkund shkojnë për vizita shtetërore ndër fqinjë a gjetiu nëpër Europë, togëfjalëshin “partner strategjik”, sepse jo vetëm dëshmojnë mungesë respekti për partnerin e vërtetë strategjik, por na lënë të kuptojmë, se nuk dinë të ndajnë partnerin strategjik, që nuk mund të jenë disa, nga partnerët e tjerë të rëndësishëm ose më pak të këtillë.
Për Shqipërinë është padyshim esenciale dhe jetike, është përgjegjësi dhe zgjedhje e mençur partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, le të sillemi si të tillë, seriozë e të përgjegjshëm edhe në etikën politike dhe në terminologjinë me të cilën i përcaktojmë apo tipizojmë ose përveçojmë edhe partnerët tanë.
Sulmet terroriste të 11 shtatorit krijuan një erë të re në çështjet ndërkombëtare të sigurisë. Megjithëse terrorizmi ka qenë një tipar prominent i kushteve globale për pjesën më të madhe të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, aktet terroriste të 11 shtatorit, ishin të ndryshme nga ana sasiore dhe cilësore, sepse dëshmuan një planifikim të sofistikuar dhe afatgjatë, duke i kapërcyer kufijtë nacionale.
Duke riparë e vlerësuar me objektivitet angazhimet në rritje të Shqipërisë si kontributore ndër dhjetëra e dhjetëra misione në luftën kundër terrorizmit, veçanërisht, ndjehem mirë që si ish-ministër i mbrojtjes bashkë me kryeministrin Majko, vetëm pak muaj pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, nënshkruam urdhrin për praninë e parë të pjesëtarëve të Forcave tona të Armatosura në përbërje të koalicionit kundër terrorizmit në Afganistan, prej nga nisi për t’u konsoliduar një konstante e vijësjelljes dhe angazhimit tonë shtetëror, një traditë e pasuruar me kontribute që kanë ardhur gjithnjë e në rritje.
Edhe marrëveshja për shkëmbimin e informacionit për verifikimin e terrorizmit është padyshim një kontribut i shtuar, është hapi i radhës për zgjerimin e bashkëpunimit dhe të ndërveprimit me SHBA-në në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar, duke e shtrirë hapësirën e bashkëpunimit edhe në shkëmbimin e informacionit për verifikimin dhe identifikimin e individëve apo të grupeve që kanë qenë të përfshirë në lidhje gjithëfarësh me veprimtarinë terroriste apo që potencialisht mund të përfshihen në këtë veprimtari.
Jashtë çdo dyshimi që përmes kësaj marrëveshjeje SHBA do të realizojë apo përmbushë edhe interesat e veta. Si një fuqi me rol primar në sigurinë globale, SHBA kanë nevojë t’i zgjidhin problemet e parandalimit të situatave të pasigurisë në distancë, duke kaluar prej konceptit strategjik të sigurisë në kufijtë e jashtëm të SHBA-së, në konceptin sa më afër të keqes.
Dhe referuar përcaktimit të Samuel Hantingtonit në “Përplasja e Qytetërimeve” burimi i pasigurisë është edhe pikëtakimi i Perëndimit me Lindjen.
Sot çështjet e sigurisë nuk janë më çështje e një vendi apo e një shteti, aq më pak e një shteti të vogël si Shqipëria. Sot siguria është një koncept mbirajonal, është një koncept global.
Shqipëria është pjesë e kërcënimit me pasiguri si një zhvillim që vjen nga jashtë, prej të njëjtëve faktorë që kanë rrezikuar Europën, prej të njëjtëve faktorë që cenojnë interesat e Aleancës Euro-Atlantike.
Në kushtet kur kërcënimi i sigurisë prej rrezikut të terrorizmit është bërë i pranishëm dhe i padukshëm, në kushtet kur faktorët e riskut apo faktorët rrezikues qoftë edhe në mënyrë modeste kanë gjetur zëra të veçuar mbështetës apo defekte e mangësi siç qe rasti i fundit i sfidës që grabitës të armatosur u bënë institucioneve tona të sigurisë në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit edhe tek ne, dua të pohoj qartë e të nënvizoj pa asnjë ekuivok: Për aq kohë sa interesat tona strategjike përputhen plotësisht me ato të SHBA-së, dhe me sa duket për fatin tonë të mirë kjo do të vazhdojë gjatë, nuk do të ngurojmë të ratifikojmë e të miratojmë çfarëdo marrëveshje që do të na propozohet për çështje të sigurisë në tërësi e për ato të luftës kundër terrorizmit në veçanti.
Nuk është çështje indulgjence apo mirëbesimi. Është çështje mençurie për të zgjidhur me aleatin strategjik ato çështje që nuk i përballon dot i vetëm asnjë shtet europian, i madh apo i vogël qoftë.
Por nëse si populli dhe si komb e kemi bërë këtë zgjedhje, duke i përcaktuar SHBA-të si partner strategjik, kjo nuk do të thotë të mos përmbushim me shumë përgjegjësi dhe rigorozitet detyrimet tona në luftën kundër terrorizmit dhe për të garantuar standarde kushtetuese të sigurisë kombëtare. Nga kjo pikëpamje e ndiej për detyrim moral dhe qytetar të shpreh gjithë nderimin dhe respektin për çdo punonjës të Policisë së Shtetit, të strukturave të Forcave të Armatosura, për shërbimet e çmuara ndaj popullit dhe atdheut.
E nënvizoj këtë moment përkundrejt naivitetit diskret të ndonjë kolegu, që ndonjë vërejtje apo sugjerim timin, të bërë vetëm e vetëm për të përmirësuar cilësinë dhe standardet e sigurisë kombëtare, duke thënë disa të vërteta ashtu siç janë në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, janë përpjekur ta shesin këtë si akuzë mbi Policinë e Shtetit, apo punëtorët e saj të përkushtuar, apo edhe si akuzë mbi vetë Ministrin e Brendshëm.
Jo të nderuar kolegë! Me zë të lartë apo me ton më pak të moderuar (qoftë edhe krahasuar me deputetin e opozitës, Flamur Noka) nderimin, respektin dhe gjithë mirënjohjen për çdo punonjës të Policisë së Shtetit në detyrë ose jo, edhe për arsye personale, e kam dhe do ta kem konstant të pandryshuar njësoj si për të gjithë ata që kanë shërbyer dhe shërbejnë me uniformë në emër të Republikës së Shqipërisë.
Referuar ngjarjes më të fundit në Rinas, më lejoni të theksoj se as ia kam lejuar dhe as ia lejoj vetes të bëj definicione për fajësi apo pafajësi të institucioneve apo të drejtuesve të tyre. Sepse këtë ma imponon respekti për punën, që ata bëjnë dhe formimi profesional dhe intelektual. Nëse ndokush nuk arrin ta perceptojë këtë gjë, mjerimi i tij nuk është përgjegjësi e imja.
Prandaj nuk bashkohem, e madje distancohem nga të gjithë ata që bëjnë edhe policin, edhe prokurorin, edhe avokatin, edhe gjykatësin.
Çfarë kam thënë unë për ngjarjen në Rinas? Thashë që ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë. Këtë gjë tha edhe Ministri i Brendshëm. Le të dalë të thotë njëri nga ju të kundërtën e kësaj. Thashë që është cenuar rëndë siguria kombëtare. Kush mund ta thotë të kundërtën? Pra, është një grup kriminal, i armatosur, siç është thënë nga vetë përfaqësues të Policisë, që pushtoi pistën e Aeroportit të Rinasit, duke sfiduar hapur të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare. Kush mund ta mohojë apo ta kundërshtojë këtë fakt?
Po! Thashë edhe që duhet bërë analizë e detajuar për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete. Kush është kundër kësaj? Ku qëndron herezia në gjithë këtë qëndrim?
Unë nuk kam bërë ndonjë akuzë, as kam drejtuar gishtin mbi Policinë e Shtetit, nuk kam drejtuar gishtin as mbi Ministrinë e Brendshme, as mbi Ministrinë e Transporteve, as mbi autoritetin e Aeroportit të Rinasit, por vetëm kam kërkuar analizë, përgjegjësi se përse ndodhi pikërisht pas ngjarjes në aeroportin e Stambollit, përse ndodhi një ditë pasi vetë autoritet e Policisë dhe Ministrisë së Brendshme thanë që kemi marrë masa shtesë të sigurisë në aeroport, një grup i armatosur hyri në pistë, në pjesën më të sigurt të aeroportit, duke sfiduar gjithë shtetin, të gjitha institucionet e sigurisë në vend.
A ka këtu vend për të mos nxjerrë përgjegjësitë e çdo institucioni? Kujt mund t’i thotë Drejtoria e Policisë së Shtetit, në mënyrë të veçantë Drejtoria e Policisë Kufitare dhe Emigracionit që nuk është përgjegjësi ligjore e këtij institucioni mbrojtja e kufirit shtetëror në Republikën e Shqipërisë?
A nuk është kaluar kufiri në Aeroportin e Rinasit më parë se të shkohet në perimetrin e pistës, që e administron kompania private?! Po kompaninë private kush e licencon, kush e kontrollon, kush e monitoron dhe kush e penalizon kur nuk përmbush detyrën?
Përfaqësues të Ministrisë së Brendshme dhe shumë organe të medias kanë thënë që defektet në sistemin e sigurisë në Aeroportin e Rinasit, në mënyrë të veçantë në kamerat e sigurisë, janë evidentuar që gjatë vizitës së Papës në Shqipëri.
Çfarë u bë pas kësaj? Kush reagoi? Çfarë detyrash u lanë? Kush mban përgjegjësi për veprimin dhe mosveprimin deri tek situata e sfidës që bënë njerëzit e armatosur deri më 30 qershor?
E pra, a ka vend këtu për të bërë një analizë të detajuar dhe për të nxjerrë përgjegjësitë? Unë mendoj që po. Nëse njëri prej jush mendon të kundërtën le ta thotë, është e drejtë e tij.
Edhe një gjë tjetër dua të nënvizoj, se dëgjova sot disa kolegë deputetë që bënin moral nga pozitat e predikuesit, madje njëri shkoi deri atje sa të thoshte: na lini ne policëve të bëjmë policin, mjekët të bëjnë mjekun e ku di unë se çfarë. Në qoftë se ndokush do të bëjë policin le të shkojë atje ku bëhet polici, në Kuvend bëhet politikë, në Kuvend miratohen ligje dhe ligjet janë mishërim i vullnetit politik të atyre që populli i ka mandatuar të vijnë këtu për të bërë këtë detyrë.
Dikush tjetër u mor me vjedhjen; jo u vodhën 5 apo u vodhën 20 milionë euro! Mua nuk më intereson fare kjo. Natyrisht ky është një element objekt hetimi i organit të Prokurorisë. Ngjarja për mua është që një grup i armatosur ka hyrë në pistën e Aeroportit të Rinasit, në zonën e sigurisë së lartë. Se çfarë bënë ata apo se çfarë mund të bënin, hajde të hamendësojmë, por qe një test pas testeve që kishin bërë institucionet përgjegjëse dhe ku kanë evidentuar mangësi dhe pas të cilave prapë nuk është reaguar.
Por ky qe një test i vërtetë me kosto minimale se sado që të jetë ajo shuma e vjedhur nuk ka vlerë përballë kostos, që mund të krijonte një akt terrorist.
Sepse ata ashtu siç hynë mund të merrnin avionin dhe mund të bënin gjëmën.
Nuk dua të pyes në mënyrë nominale për ta zgjatur debatin, por sot në sallë ka përfaqësues që kanë qenë në funksione të larta deri edhe Kryeministër. Le të thotë njëri nga ata që nuk do të reagonte me masa konkrete pas ngjarjes së rëndë.
Të thotë njëri nga ata që nuk do të mblidhte menjëherë që atë natë strukturat e konsulencës dhe vendimmarrjes për të analizuar çështjen dhe nivelin e sigurisë në Aeroportin e Rinasit dhe le të mos fshihemi prapa gishtit. Nuk është më e mirë situata në Portin e Durrësit, nuk është më e mirë situata në pikat e kalimit kufitar dhe në portet e tjera.
Çfarë do të bëjmë, do të ndërhyjmë kur të ndodhë gjëma?! Kujt i vlen pastaj kjo gjë?!
Prandaj nënvizoj ky problem duhet të na çojë tek një rivlerësim tërësor. Dhe këtë gjë nuk mund ta bëjë një individ. Nuk mund ta bëjnë OJF, nuk mund ta bëjnë as partitë këtë gjë. E bëjnë institucionet shtetërore përgjegjëse për garantimin e sigurisë kombëtare. Në zbatim të strategjisë së sigurimit kombëtar të rivlerësojnë masat me të cilat ruhen, administrohen dhe mbrohen objektet që përbëjnë risk apo rrezik për sigurinë kombëtare.
Pa dashur të stigmatizoj apo të mohoj punën që bëjnë kompanitë private të sigurisë me nga 4-5 policë privatë nëpër objekte, të cilët shumica janë në prag të pensionit ose të nxjerrë në rezervë nga Forcat e Armatosura apo nga Policia e Shtetit, që kompensojnë pagën atje, shkoni shikoni si ruhen basenet e ujësjellësve. Shkoni shikoni se si ruhen digat e hidrocentraleve e të kuptoni se sa neglizhentë dhe se sa të papërgjegjshëm jemi përballë detyrimeve për të garantuar sigurinë kombëtare.
Në të gjitha këto që thashë, nuk hyra dhe nuk hyj në detaje që kanë të bëjnë me çështje që i përkasin ekskluzivisht organit të Prokurorisë. Por si deputet kam kërkuar që Komisioni i Sigurisë Kombëtare të informohet dhe të kontribuojë në qëndrimin e vet, duke propozuar konkretisht për aq sa ia lejon tagri kushtetues masa për të bërë të mundur përmirësimin e standardeve të sigurisë kombëtare.
Çështjet e sigurisë kombëtare nuk janë çështje individësh, nuk janë çështje grupesh politike apo sociale, nuk janë çështje marrëdhëniesh koncensionare apo kontratash apo nënkontratash, janë çështje prioritare dhe çështjet e sigurisë kombëtare i administrojnë, i drejtojnë dhe i mbrojnë institucionet kushtetuese të sigurisë kombëtare. Dhe institucionet kushtetuese të sigurisë kombëtare, janë institucione shtetërore.
Nuk janë institucione private, por edhe një herë po e përsëris, janë çështje dhe përgjegjësi kushtetuese të institucioneve shtetërore të këtij vendi.
Le të ngrihemi në nivelin e kësaj përgjegjësie sepse kështu do të dëshmojmë edhe për partnerët tanë strategjikë, që jemi jo vetëm korrekt dhe seriozë kur nënshkruajmë marrëveshje, kur ratifikojmë marrëveshje, por edhe për të përmbushur ne të parët detyrimet që burojnë për shkak të angazhimeve që kemi ndërmarrë. Jemi vend anëtar i NATO-s dhe duhet të sillemi me përgjegjësi të plotë si vend anëtar i NATO-s.
*Fjalimi i mbajtur sot në Kuvend