Për të mos vjedhur djemtë e Kombëtares
Nga Lorenc Vangjeli/Të duash Kombëtaren e futbollit, të ëndërrosh për të, të jesh krenar për fitoret dhe i zhgënjyer për humbjet, të të pëlqejë dhe të të dhembë pafund gjithçka ka të bëjë me të, është një akt pothuaj i pavetëdijshëm. Është gati si një refleks i pakushtëzuar. Si frymëmarrja për shembull. Shqipëria është një vend i zhgënjyer shpesh qoftë në fushën e futbollit, qoftë në çdo rast tjetër kur kemi luajtur kombëtarisht në Europë. Për shembull, kemi dështuar krenarisht në sektorin e shitjes së makinave. Autobusët fizarmonikë apo Shkodra, siç quheshin dikur, nuk mundën të shiteshin në asnjë vend. As traktori shqiptar, të cilin e drejtoi për herë të parë një ishKryeministër komunist, i fundit i vetëvrarë në detyrë, nuk u pa gjëkundi në fushat e dynjasë evropiane.
Ndryshe propaganda komuniste nuk e kishte për gjë të pretendonte se po mbante me bukë dhe kapitalizmin. Eksportet shqiptare të kompjuterave dhe pajisjeve elektronike në përgjithësi nuk para kanë qenë të mira. Domethënë kanë qenë zero. Sepse këtyre anëve nuk ka zënë ende fill prodhimi i këtyre sendeve të gjenisë njerëzore që ndihmojnë njeriun në punë dhe që të fitojë më shumë para me më pak punë. Lista e eksporteve shqiptare në Evropë nuk zgjatet me demokracinë, me sundimin e ligjit, me efiçencën e administratës, me pastërtinë prej uji burimi të të zgjedhurve në Parlament a në qeverisjen vendore, në distancën minimale mes fjalës dhe veprës në politikë, me cilësinë e arsimimit dhe ekonomisë, me gjendjen e rrugëve apo të hekurudhave; me pak fjalë, me gjithë zejet e vështira të mendjes dhe të shpirtit njerëzor.
Dje më shumë dhe sot më pak, dje në mënyrë të organizuar shtetërore dhe kooperativiste të planifikuar dhe sot ende në përpjekje për të gjetur treg, në Evropë po eksportohen krenare fruta e perime, nga molla tek preshi, nga luleshtrydhet tek kastravecët. Sepse këto janë mundësitë e vendit. Modeste. Reale. Klasike. Gjithë hesapet e tjera pavarësisht si fillojnë, mbarojnë duke përdorur edhe preshin, edhe kastravecin si karburant për fluturim.
Shpërthimi i trazuar i dashurisë pa kufi dhe pa kushte për kombëtaren shqiptare të futbollit është absolutisht një nga shfaqjet më të ndjera dhe të sinqerta në vend. Instiktive dhe të mrekullueshme. Deri në momentin që loja e tyre trajtohet si lojë. Deri në momentin kur shpinës së lojtarëve, mundit dhe djersës së tyre nuk ju kacavirren mitet që prodhohen pafund në këtë copë tokë edhe malësi si Ballkan, edhe det si Mesdhe.
“Skënderbej, heronj, luftëtarë, të lavdishëm”, e të tjera e të tjera epitete që duket sikur kanë dalë nga Eposi i Kreshnikëve, në të vërtetë nuk ndihmojnë aspak. Ato do të ishin normale në gojën e tifozëve anonimë, të atyre që janë nën efektin e adrenalinës në stadium apo të atyre që dridhen në bare apo në “Fan Zone”t
publike, por tingëllojnë si krisma në koncert kur i përdorin politikanë që tentojnë të bëjnë tifozin. Edhe pse në momentin e parë ngjajnë simpatikë dhe “trendy”. Siç do të ishte padyshim“trendy” edhe dikush që premton se pavarësisht rezultatit të kombëtares, do të dilte t’i priste në aeroport. Me lule dhe këngën me Xhamadan. Duke u futur edhe këtu. Si për të thënë e përsëritur se në Shqipëri, gjithçka fillon dhe mbaron tek politika. E cila për gjithçka e shumëçka duhet të jetë e pranishme si notere për të thënë fjalën e saj. Fatmirësisht, edhe falë skuadrës fantastike që ka shkuar kuq e zi në Francë, ky dualitet po tkurret. Më saktë, po bëhet pak nga pak qesharak. Pakkush e ka mendjen tek kjo tentativë për të tërhequr vëmendje nga vëmendja që meritojnë Kuq e Zinjtë.
Të ishte ndryshe… Për shembull, sikur për fat, të mos kishim pësuar të parët gol me Zvicrën, por të kishim shënuar në ato trekatër raste drithëruese, sikur të kishim “shpupulosur” me tre gola Gjelat trengjyrësh, edhe nëse ata na godisnin pabesisht dy herë në fund, sikur çunat t’i vinin nën këmbë rumunët me nga dy gola në secilën pjesë, sikur të fitonin në gjysmë finale, pastaj triumf në finale duke shënuar fitoren e radhës dhe përfundimtare… Mos o Zot, një skenar i tillë, sepse cinizmi elegant i trajnerit shqiptar me origjinë italiane, do të kishte kuptim të drejtpërdrejtë: ai do të ishte njeriu më i rëndësishëm në vend! Dhe kushdo, me kusht që zgjedhjet të ishin të lira e të ndershme, do ta votonte atë për Kryeministër. Berisha, portieri dhe jo Doktori, do të bëhej ministër mbrojtjeje në vend të Kodhelit, Cana tek Ministria e Brendshme më mirë se Tahiri e kështu me radhë, 23 djem pa gra në mes, do të ishin kabineti ideal De Biazi. Që në Tiranë do të vinin me një produkt konkret për të Lindur e Rilindur kombin nëpërmjet futbollit. Që do të iknin nga Tirana për të eksportuar modelin triumfues shqiptar dhe për të bërë atë që dikur donte, por nuk e bëri dot komunizmi i Hoxhës: fanarin ndriçues në bregun e Adriatikut.
Është fare e lehtë të rrëshqitet në fantazi, sa kohë që Kuq e Zinjtë e futbollit meritojnë një mirënjohje sublime dhe politika e ditës nuk tenton ta shndërrojë lojën e tyre, në lojë të saj pothuaj elektorale. Duke harruar se në një vend të vogël, të varfër e plot pasiguri si Shqipëria që as nuk mund të prodhojë dhe as mund të shesë makina, modestia duhet të jetë një akt pothuaj i vetëdijshëm. Gatigati si një refleks i pakushtëzuar. Në këto ditë kur gjithkush mban frymën për Kuq e Zinjtë dhe Reformën në Drejtësi, modestia duhet të jetë e paprerë. Si frymëmarrja për shembull.
P.S. TIA, Aeroporti Nënë Tereza ndryshoi pronësi. Nga gjerman u bë kinëz. Italianët janë në grevë dhe kanë anuluar shumë fluturime. Shqiptarët e paduruar gjithsesi presin me durim. Si gjithmonë në pritje për të udhëtuar në Europë. Më shpirt e kanë bërë gjithmonë atë fluturim vetëm vajtje. (Javaneës.al)