Perandoria “Gylen” në Shqipëri
Shkrimi i meposhtem eshte i Ayhan Demir, kolumnist i rregullt dhe analist i Ballkanit pranë gazetës ditore “Yeni Akit” në Turqi.
Nga Sheshi i Namazgjasë ku ndodhjej për fillimin e punimeve të xhamisë së re të kryeqytetit presidenti turk Erdogan ka lëshuar alarmin: nxirrni jashtë Shqipërisë Lëvizjen Gylen. Erdogan nuk e përmendi me emër lëvizjen e Gylenit që qëndron dhe jeton në SHBA, dhe të cilin pasi e kishte aleatin më të madh e ka shpallur një terrorist. Sherri mes tyre ka filluar pas protestave në parkun Gezi, kur struktura e Gylenit shumë e fortë në Turqi filloi të nxjerrë përgjime për korrupsionin e familjes së Erdoganit dhe ministrave të tij.
Që prej verës së vitit 2013 ata janë në një luftë të hapur. Dhe për të vazhduar këtë luftë Erdogan ka zgjedhur edhe Tiranën ku sipas analistëve turq (shiko më poshtë) fondacioni Gylenit ka rrjetin më të përhapur nga të gjitha vendet e Ballkanit. Pasi tha se për nxjerrjen jashtë të vllazërisë Gylen ai kishte folur dhe me homologun e tij Nishani dhe me kryeministrin Rama, Erdogan me një stil autoritarist, kërkoi përjashtimin e armiqve të tij nga Shqipëria. Ai i quajti ata “Strukturë paralele terrorriste”. “Ne do vazhdojmë luftën kundër saj. Unë e di se kjo strukturë ka aktivitetin e saj edhe në Shqipëri dhe kam bindjen se Rama dhe Nishani do të bëjnë atë që duhet. Institucionet shqiptare nuk do ta tolerojnë këtë organizatë dhe aktivitetin e saj” ka thënë Erdogan. “Ne i zëvendësojmë të gjitha ato shërbime që kjo organizatë ka zhvilluar në Shqipëri. Këtë duhet ta keni të qartë” ka thënë ai, pasi ka përmendur fondet e dhëna për xhamitë e Korces, Elbasanit, Prezës dhe Tiranës. Fondacioni Gylen kontrollon dy universitete dhe kolegjin turk në Shqipëri. Për më shumë lexoni shkrimin e mëposhtëm të Ayhan Demir kolumnist i rregullt dhe analist i Ballkanit pranë gazetës ditore “Yeni Akit” në Turqi.(Lapsi.al)
Perandoria “Gylen” në Shqipëri
Tani për tani “Struktura paralele” (lexo: Lëvizja Gylen) për nga shkalla e ndikimit, në vend të dytë është në Bosnjë-Hercegovinë dhe në vend të tretë në Maqedoni. Në fakt, se cila është e dyta e cila e treta nuk jam shumë i sigurt, por se Shqipëria zë vendin e parë në këtë renditje jam shumë i sigurt.
Struktura paralele ka zbritur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1993, duke e shtrirë aktivitetin ndaj një mase të gjerë, fillimisht përmes formave të edukimit. Menjëherë pastaj është zgjeruar në ekonomi. Kështu veçmas në fushën e turizmit dhe telekomunikacionit ka zhvilluar një shtrirje konsekuente.
Medresetë e ndryshme në Kavajë, Elbasan, Tiranë, Korçë dhe Berat, që janë të ngjashme me shkollat “imam-hatip” në Turqi, dikur ishin administruar nga arabët dhe në këto shkolla jepej edukim falas. Por, me rrëzimin e kullave binjake më 2001, këto shkolla përjetojnë vështirësi në financimin dhe administrimin e tyre, andaj u jepen për administrim strukturave paralele ose lëvizjes “Gylen”. Punën e parë që e bënë është këto medrese ishte që nga sistemi falas i edukimit t’i kthejnë në shkolla me para, e së dyti mësimet fetare i reduktojnë aq shumë, saqë i kufizojnë vetëm në tri orë në javë.
Përveç medreseve, nën ombrellën e tyre të organizimit përfshihen: Fondacioni i Edukimit “Gylistan” dhe Fondacioni i Edukimit “Sema”, si edhe kolegjet. Në kolegjet e Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës, pra “Turgut Ozal”, “Mehmet Akif” dhe “Hasan Riza Pasha” në aspket të mësimit fetar nuk bëhet thuaja asgjë.
Sa i përket shkollës “Memorial International School of Tirana” (MIST), ajo është shkolla më e shtrenjtë e vendit dhe i dedikohet një klase më të lartë të shoqërisë. Gati-gati të gjithë burokratët, politikanët dhe fëmijët e familjeve elite, ndjekin mësimet në këtë shkollë.
Në nivel të edukimit universitar, nëse kandidati ka gjendje të mirë ekonomike, e drejtojnë ne Universitetin “Epoka”, e në të kundërtën në Universitetin “Bedër”. Universiteti “Bedër”, pasi që është i lidhur me administratën e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, është i liruar nga taksat. Megjithatë në të dyja universitetet kërkohen çmime të cilat i tejkalojnë standardet ekonomike të Shqipërisë.
Në të gjitha këto shkollat krijohen edhe ekipe mbikëqyrëse. Në këtë mënyrë pjesëtarët e këtyre ekipeve mbajnë kontakte të ngushta me studentët e tjerë dhe familjet e tyre. Thuhet se familjeve të studentëve, të cilët kanë gjendje të mirë ekonomike, përfshirë edhe të krishterët, u kërkohen ndihma financiare ose “lëmosha” në emër të shpërndarjes së ndihmave humanitare.
Ndërkaq ata që diplomojnë nga këto shkolla shndërrohen pastaj në ushtarë mercenarë të kësaj strukture. Një gjë që mund ta them me siguri të plotë është se këto shkolla, të shpërndara në nivel shtetëror, luajnë rolin e kazermave ushtarake.
Struktura paralele përmes shoqatës “Yeni Ufuklar” (Vizionet e reja) përpiqet ta organizojë dhe dirigjojë jetën e posa të diplomuarve. Duke filluar punët që nga martesa, e deri te punësimi, të gjitha dirigjohen nga kjo qendër sociale. Të rinjtë, të cilët punësohen, u kërkohet një rrogë në vit në formë të shpagimit. Në Bajramin e Kurbanit të hollat për kurban dhe ndihmesa të tjera janë të detyrueshme.
“Struktura paralele” po ashtu ka ndikim të madh edhe në institucionin e Komunitetit Mysliman. Aq ka ndikim kjo strukturë, saqë ata të cilët nuk pjesë e lëvizjes “Gylen” nuk mund të bëhen as pjesë e Komunitetit Mysliman e as të zhvillojnë ndonjë aktivitet fetar. Thënë shkurt, shërbimi fetar në Shqipëri është pjesë e monopolit të tyre.
Një situatë e tillë u shpërfaq me rastin e zgjedhjes së kryetarit të Komunitetit Islam. Nën ndikimin e tyre, kryetar i saj u përzgjodh një person me emrin Skender Bruçaj, i cili njihet si psikolog dhe është pjesë e strukturës paralele (Lëvizjes “Gylen”) që nga viti 1990-të.
Falja e namazit të Bajramit nga Myftiu ose Kryetari i Komunitetit Mysliman në Ballkan është një lloj tradite. Por, kryetari i Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Bruçaj, nuk e ka falë namazin e Bajramit të Madh. Madje, deri sot nuk është parë që ai të ketë dalë para xhematit dhe ta ketë falur namazin si imam i xhematit.
“Drita Islame” është një revistë që botohet në kuadër të Komunitetit Islamik dhe përdoret si lloj mekanizmi nga struktura paralele. Shtëpia botuese “Prizmi” përkthen në shqip dhe boton librat e Liderit të “Strukturës paralele” (Fetullah Gylen). Gjithë shpërndarja dhe promovimi realizohet përmes institucionit të Komunitetit Mysliman.
Por, veprimtaria e “Strukturës paralele” nuk përfundon me kaq. Duke filluar me Gazetën Start , ajo ka ndikim edhe në mediat e shtetit. Në mediat e shkruara dhe vizuale ngjarjet e fundit që ndodhën në Turqi i janë ofruar publikut shqiptar gjithnjë të mangëta dhe të njëanshme. Sidomos para zgjedhjeve të 30 marsit janë publikuar lajme denigruese ndaj Partisë së Mirëqenies dhe Zhvillimit (AK Parti) dhe kryeministrit të atëhershëm Rexhep Tajip Erdogan.
Në Shqipëri veprojnë edhe ueb-portale të kësaj strukture, të cilat janë nën ndikim të strukturës paralele. Lajmet e tyre janë detyruar t’i përgatisin të rinjtë, të cilët janë të punësuar nga struktura paralele. Ndërkaq, ata janë të pranishëm edhe në televizionet kombëtare, duke fabrikuar lajme me para. Kjo propagandë e zezë është vazhduar edhe pas zgjedhjeve presidenciale në Turqi. Edhe pse në masë më të vogël, kjo propagandë vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Për gjërat, si meseleja e Xhamisë së Madhe në Tiranë, e cila tashmë është shndërruar në “këngë të gjarprit” dhe për lojërat e aktivitetet e tyre në fushën e turizmit dhe komunikacionit, si dhe për ndikimin e tyre në fushën e politikës dhe të policisë, do të shkruajmë pas zgjedhjeve që do të mbahen në Bullgari dhe Bosnjë-Hercegovinë.