Përgatisni titujt, Basha rikthehet në krye të PD
Nga: Vitjon Nina
Duket thjesht çështje ditësh rikthimi i Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike. Me zgjedhjet brenda forcës së djathtë politike, të cilat pritet të mbahen më 29 korrik dhe me përballë një kundërshtar thjesht për numër, trokitja e Bashës në derën e PD-së zyrtare, por të selisë dytësore teknikisht, nuk ka nevojë as të ketë përgjigje për të hapur derën ajo tashmë është e ç’kyçur. Me një mbledhje dy-orëshe të Kryesisë të enjten e 22 qershorit, vendimi përfundimtar u mor: Lulzim Basha dhe Gjergj Hani, do të jenë dy kandidatët për të marrë drejtimin e forcës së djathtë politike.
Pavarësisht bojkotimit të një pjese të mirë të anëtarëve dhe mes përçarjes së grupimit të Berishës, e së fundmi edhe të një të treti, Gazment Bardhit i cili me vete ka 17 deputetë demokratë. Sipas njoftimit nga Kryesia, miratimi i kandidaturave për pozitën e Kryetarit të PD-së shënon një moment vendimtar për familjen tonë politike.
“Në prag të çeljes së garës, ne ftojmë çdo demokrat të jetë pjesë aktive e saj dhe e procesit të riorganizimit, nëpërmjet të cilit do të ngrihemi në lartësinë e vlerave dhe aspiratave mbi të cilat Partia Demokratike u themelua në Dhjetor të vitit 1990, si forca e parë pro-perëndimore dhe si shpresa e shqiptarëve për ndryshim”, shkruhet në deklaratën e dalë prej mbledhjes. Pjesë e saj, kanë qenë figura politike si Enkelejd Alibeaj, Indrit Sefa, Fitim Zekthi, Flutura Açka, Kreshnik Çollaku, Gazmend Koduzi, Xhemal Gjunkshi, Endri Hasa, Gentian Gaba, Jemin Gjana, Taulant Zeneli, Roland Bejko dhe Arber Agalliu.
Është realisht çfarë i duhet PD-së për t’u ringjitur si një alternativë e mirëfilltë qeverisëse?Figura e Bashës në të vërtetë mundet të jetë e vetmja, e cila në këtë çast ka një shpresë të shpëtojë disi imazhin e partisë. Ai nuk është i përcaktuar si non grata nga SHBA-të dhe Britania e Madhe. Përkundrazi, ka raporte shumë të mira me të dy vendet dhe vizitat e fundit atje e tregojnë lobimin që ka përthithur për t’u rikthyer.
Ai po ashtu është i qartë së fundmi me vendimet e marra dhe e ka pastruar figurën prej Berishizmit dekadent që e karakterizonte dhe i vërtitej si hije mbi supe në gjithë hapat politike që ndërmerrte. Përpos faktit që me të drejtë Gjykate, logoja, titulli i kryetarit, nuk janë larguar ndonjëherë prej figurës së tij, aq sa të linte ligjërisht Berishën jashtë garës elektorale me emrin e tij dhe ta bënte të “strukej” nën ombrellën e Ilir Metës me koalicion zgjedhor.
Nuk mundet të mos përmendet fakti se vetë Basha është gjysmë përgjegjës me gjithë përçarjen e krijuar dhe se në realitet, ai nuk e gëzon mbështetjen e gjithë elektoratit, i cili votoi Berishën më shumë në zgjedhjet vendore të 14 majit, se sa logon zyrtare.
Me këto mëdyshje në mendje, 29 korriku afron me hapa të mëdhenj dhe situata është e paqartë se si gjithë “loja” brenda PD-së do të zhvillohet. Por për emrin e kryetarit të ri – ashtu si kur “ngriheshin funksionet brenda forcës politike”, edhe sot kur dorëheqja nga posti nuk zgjat në kohë shumë – dyshime nuk ka: Përgatisni titujt. Lulzim Basha rikthehet në krye të PD-së.