“Përgjimet sekrete” për kufirin detar me Slloveninë trondisin kroatët

Pasi një gazetë kroate publikoi përmbajtjen e një përgjimi sekret mes gjykatësit slloven në panelin e arbitrazhit dhe përfaqësuesit slloven mbi diskurimet për ndarjen territoriale të Gjirit të Piranit, Kroacia kërkoi hapjen e hetimeve.

Nga Sven Milekiç, BIRN

Përfaqësuesit e Kroacisë reaguan me zemërim ndaj pretendimeve të zbuluara në një gazetë se gjykatësit në panelin e arbitrazhit që ka për detyrë të zgjidhë mosmarrëveshjen për kufirin detar mes Kroacisë dhe Sllovenisë qenë të gatshëm të vendosin në favor të Sllovenisë.

Gazeta kroate Vecernji list publikoi të mërkurën një përgjim sekret ku Jernej Sekolec, gjykatësi slloven në gjykatën e arbitrazhit flet me Sumona Drenik, përfaqësuese të Sllovenisë para gjykatës duke diskutuar biseda konfidenciale të Sekolec me gjykatësit e tjerë.

Biseda që duhet se është përgjuar diku mes nëntorit 2014 dhe janarit 2015 tregon se gjykatësi Sekolec siguron Drenik se gjykata ka gjasa do t’i japë Slovenisë 75 për qind të të gjithë sipërfaqes ujore në Gjirin Piran, siç është edhe dëshira e Slovenisë.

Mosmarrëveshja mes Kroacisë dhe Slovenisë mbi kufirin detar pranë gadishullit të Istrias është hapur që nga koha kur të dy vendet shpallën pavarësinë nga Jugosllavia.

Në një pikë, mosmarrëveshja shtyu Slloveninë të vendosë veton në bisedimet e Kroacisë për anëtarësim në BE në vitin 2008.

Kryeministrja e Kroacisë Jadranka Kosor dhe kryeministri i Sllovenisë Borut Pahor ranë dakord në tetor 2009 për arbitrim ndërkombëtar para Gjykatës së Hagës pas së cilës Sllovenia tërhoqi bllokadën e vet.

Paneli i arbitrazhit përbëhet nga pesë gjykatës. Përveç Sekolec nga Sllovenia, Kroacia ka emëruar një gjykatës. Gjykata ka emëruar tri anëtarë të trupit gjykues përfshirë edhe presidentin.

Bisedimet mes një gjykatësi dhe një përfaqësuesi të një pale në mosmarrëveshje janë të ndaluara.

Pas raportit të gazetës, ministrja e punëve të jashtme të Kroacisë Vesna Pusic doli në një konferencë për shtyp urgjente duke shprehur shqetësime të mëdha.

“Nëse ndonjë nga këto aludime janë të vërteta, ajo do të jetë tërësisht tronditëse dhe do të ndryshojë situatën në mënyrë dramatike në lidhje me procesin,” tha ajo.

Ajo tha se Kroacia ka rënë dakord për arbitrazh ndërkombëtar “me besimin e mirë”, duke i besuar sjelljes profesionale dhe të paanëshme të gjykatësve dhe gjykatës në përgjithësi.

Pusic tha se Kroacia sakaq kishte pasur dyshime në proces këtë pranverë, kur ministri i jashtëm i Sllovenisë Karl Erjavec, lëshoi një deklaratë duke parashikuar se si do të mund të vendosë gjykata.

“Ne do të hetojmë të vërtetën ose të pavërvetën e këtyre deklaratave,” tha Vesic duke shtuar se do të informojë mbi çështjen gjykatën e arbitrazhit dhe Komisionin Europian.

Një burim nga Komisioni tha se ai nuk mund të komentojë punën e gjykatës, gjithsesi, për shkak se Brukseli nuk është pjesë në mosmarrëveshje.

Kryeministri i Kroacisë Zoran Milanovic të mërkurën tha se Kroacia do të përdorë metodat në dispozicion të saj për të hetuar çështjen dhe për të mbrojtur interesat e shtetit.

“Është e mundshme që kjo të jetë ndonjë lloj gabimi, por nëse jo, ne do të dimë si të mbrojmë interesat tona kombëtare,” tha ai.

Tomislav Karamarko, kreu i partisë më të madhe në opozitë, Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, tha se nëse raportet janë të vërteta, atëherë kjo përbën qartazi “ndikim në vendimin e gjykatës së arbitrazhit në mënyrë të paligjshme”.

Ai bëri thirrje për unitet “në mbrojtjen e interesit kombëtar dhe shtetëror dhe të drejtës së Kroacisë për të ruajtur territorin e vet të cilit dukshëm disa dëshirojnë ta marrin”.

Zyrtarët sllovenë janë përgjigjur frohtë ndaj ankesave që vijnë nga Kroacia. Ndërsa gjendej për pushime në Francë, Erjaves hodhi poshtë pretendimet, duke i konsideruar ato si pjesë të një fushate paraelektorale në Kroaci. “Është e qartë se ata në Kroci janë shumë nervozë,” shtoi ai.

Kryeministri i Sllovenisë Miro Cerar tha se nuk mund të komentojë mbi çështjen para se gjykata të përfundojë punën e vet por tha se ankesat janë “një përpjekje e dukshme për të ndikuar mbi vendimin e gjykatës së arbitrazhit”.

Ministria e Jashtme e Sllovenisë deklaroi të mërkurën se spekulimi mbi vendimin e mundshëm të gjykatës ka qenë i pranishëm në mediat e kroacisë dhe në politikën e vendit prej ca kohësh.

Ajo shtoi se ndryshe nga Kroacia, Sllovenia do të vetëpërmbahet nga komentet që mund të përshkallëzojnë konfliktin apo të vënë në rrezik punën e gjykatës.

“Sllovenia nuk do të komentojë mbi provokimet më të fundit nga Kroacia por do të informojë gjykatën e arbitrazhit,” përfundoi ministria.

Sekolec dhe Drenik mohuan akuzat se kanë kryer bisedime private mbi çështjen.

SHKARKO APP