Përpjekja e dështuar për të fshehur qëndrimin e vërtetë të Perëndimit

Nga Red Varaku –

Ka një përpjekje që të fshihet ose mbulohet qëndrimi i vërtetë i Perëndimit në lidhje me këtë qeveri. Kjo nëpërmjet manipulimit të një diarreje opinionesh personale të disa zyrtarëve, që nuk kanë asnjë lidhje sot me BE , apo publikimit të disa pronocimeve fare periferike, në përpjekje të dështuar, për të sugjeruar një qëndrim perëndimor apo dhe më keq një qëndrim amerikan pro-qeveritar.

Ndërkohë, për çdo shqiptar qëndrimi perëndimor është i qartë: Shqipëria duhet të plotësojë 15 kushte në rast se kërkon të integrohet në BE. Këtë e thonë të gjithë institucionet zyrtare të BE , këtë kërkojnë edhe zyrtarët amerikanë përfshi, Sekretarin Amerikan të Shtetit, i cili deklaron se mbështesin vetëm përpjekjet për integrimin e Shqipërisë në BE.

Pavarësisht interpretimeve, të gjithë ne i kemi të qarta këto kushte dhe gjithashtu e dimë, që ato janë kushtet më të rrepta që i janë vendosur ndonjëherë një qeverie shqiptare.

Ato në thelb i kërkojnë Ramës të dorëzojë besnikët e tij, nëpërmjet të cilëve vjedh zgjedhjet dhe më pas të realizojë zgjedhje me një kod zgjedhor të dakortësuar. Në fakt, kjo është e vetmja mënyrë presioni që BE përdor kundër qeverive të korruptuara.

Tani mund të sillesh sikur nuk e kupton këtë, por kjo nuk ndryshon asgjë nga e vërteta, që përfaqëson ky qëndrim.

Kjo përplasje që po ndodh me qëndrimin e hapur të SHBA dhe Bashkimit Evropian kundër qeverisë shqiptare është e paprecedentë dhe në terma afatgjatë e pariparueshme, si për qeverinë, ashtu edhe për Partinë Socialiste.

Kushtëzimi i integrimit me 15 kushte është një mesazh i qartë, që BE kërkon largimin e kësaj qeverie. Mesazh që kryeministri shqiptar nën e efektin mpirës të Jugusllavisë së re, bën sikur nuk e kupton.

Ndërkohë, fakti që amerikanët mbështesin fort integrimin e Shqipërisë në BE, do të thotë që çdo vonesë për zgjidhjen e krizës është përgjegjësi e qeverisë, fatura për të cilën sa vjen dhe rritet.

Gjithashtu , fakti që vetë Sekretari Amerikan i Shtetit u përfshi personalisht në presionin për zgjidhjen e kësaj krize, në mënyrë që vendi të vazhdojë rrugëtimin drejt BE, dëshmon vullnetin e palëkundur amerikan për zgjidhjen e krizës dhe rikthimin e Shqipërisë në kornizat institucionale.

Zgjidhje e krizës do të thotë as më shumë e as më pak vetëm se zgjedhje të lira dhe të ndershme, me një reformë zgjedhore të dakortësuar nga të gjitha palët.

Kjo është e vërteta, e zezë në të bardhë.

Pra, Rama jo vetëm që sot nuk ka asnjë mbështetje ndërkombëtare, përveç ca cironkave periferike , por është i izoluar si asnjëherë herë tjetër nga çdo mbështetje ndërkombëtare.

Ajo që ne duhet të kuptojmë, është që bllokimi i integrimit nuk buron nga ndonjë mëri ndërkombëtare kundër Shqipërisë, por vetëm nga papërgjegjshmëria e vendimit të kryeministrit shqiptar për të shitur territoret e Kosovës. Një projekt ky tërësisht rus, që defaktorizon shqiptarët dhe cënon rëndë stabilitetin e rajonit.

Kjo puna e Lymit me shokë e shoqe përmes të cilëve ky flet në emër të sovranizmit, sërish nuk e ndryshon të vërtetën. Sigurisht, këtë e bën thjesht për të negociuar të ardhmen e tij fizike dhe politike, se të gjithë e dimë se çfarë ndodh nëse Rama do të vazhdojë të mbajë kursin e përplasjes me Perëndimin.

Dihet përfundimi i atyre që kanë guxuar ta mendojnë këtë dhe në rastin konkret nuk ka nevojë fare për të huajt, se ndëshkimin ja japin vetë shqiptarët.

Është e qartë që në një rast të tillë Perëndimi do të mbajë anën e qytetarëve shqiptarë. Por, çështja është që ai duhet të largohet pa dëme kolaterale. Për këtë Perëndimi i ka ofruar vetëm një rrugëdalje, por nuk i ka ofruar garanci.

Mungesa e një garancie e ka nxjerrë nga binarët liderin global, i cili po përpiqet që me veprimet e tij të ndezë një konflikt midis shqiptarëve dhe kështu të destabilizojë Shqipërinë, por çfarëdo që të bëjë nuk do t’ia dalë, sepse tashmë është në kundërkohë.

SHKARKO APP