Përplasja për pronësinë e Top Channel shkon në Prokurori
Forum E Martë, 20 Prill 2021 02:00
Përfaqësuesit ligjorë të dy aksionerëve të kanalit televiziv Top Channel, Albert Sino me 40 përqind dhe Aurel Baçi me 20 përqind, kanë depozituar një kallëzim në organin e akuzës ndaj gjykatëses Teuta Hoxha, pas një vendimi të marrë prej saj në seancën e datës 5 shkurt, i cili konsiderohet nga paditësit i jashtëligjshëm dhe i falsifikuar.
Vendimi i 5 shkurtit mori masën e pezullimit të veprimtarisë së asamblesë së ortakëve, deri sa çështja e përkatësisë së aksioneve të zgjidhet nga gjykata në themel. Siç dihet, bashkëshortja e të ndjerit Dritan Hoxha, aktualisht edhe administratore e kompanisë, ka paditur dy aksionerët e tjerë për kthimin e aksioneve, pasi sipas saj ata i kanë marrë ato nga bashkëshorti pa miratimin e saj. Deri sa kjo çështje të zgjidhet në themel, Vjollca Hoxha do të ushtrojë funksionet e saj administrative, ndërkohë që asambleja e ortakëve është e pezulluar.
Ndërkohë burime të prokurorisë thanë se kjo çështje merr një rëndësi të veçantë duke pasur parasysh interesin mediatik për këtë çështje. Avokatët e palës paditëse pretendojnë se gjykatësja Teuta Hoxha ka qenë në prag të shkarkimit lidhur me një rast të vitit 2013 për shkak të një afere tjetërsimi pronash.
Padia në prokurori shënon një përshkallëzim të mëtejshëm në përplasjen ligjore mes dy palëve që synojnë të marrin kontrollin e televizionit të fuqishëm në vend.
Mosmarrëveshjet e forta lindën pas padisë së ngritur në gjykatë në janar nga Vjollca Hoxha, ndaj dy aksionerëve që zotërojnë shumicën e aksioneve, duke pretenduar se kontrata me anë të së cilës bashkëshorti i saj i ndjerë Dritan Hoxha u kishte shitur atyre aksionet, ishte e paligjshme.
Pala tjetër, e cila prej 9 vjetësh ka qenë pjesë edhe e financimit të Top Channel, ka thirrur në ndihmë edhe ligjin për mediat, i cili e ndalon kalimin e shumicës së aksioneve të një kanali televiziv në një dorë të vetme.
Më 5 shkurt, teksa palët kishin rreth një muaj që mundoheshin të binin dakord për emrin e gjyqtarit që do të trajtonte çështjen e tyre, gjykata ka caktuar Teuta Hoxhën.
Pikërisht këtu, përfaqësuesit ligjorë të dy aksionerëve Sino dhe Baçi, pretendojnë se gjyqtarja ka pritur vetëm pak minuta nga caktimi i emrit të saj, për të zhvilluar një seancë të beftë me anë të së cilës i jepte të drejtën e administrimit të kanalit për fazën kalimtare, Vjollca Hoxhës. Seanca nuk ka qenë e pasqyruar në kalendarin e gjykatës, vazhdojnë pretendimet dhe gjyqtarja nuk e ka dëgjuar palën e paditur, duke shkelur kështu në mënyrë flagrante një nga rregullat bazë të drejtësisë. Pikërisht për këto pretendime, avokatët e dy aksionerëve të tjerë kanë dorëzuar në prokurori një dosje të plotë me të gjitha shkeljet ligjore të gjyqtares Hoxha, në një çështje, implikimet e së cilës duket se nuk do të pëfundojnë këtu.(lapsi)