Përqasje prej Grykës së Kaçanikut, në Kërrabë para tunelit…
Nga Luan Rama
Udhëtimi nëpër Kosovë është gjithnjë i bukur. Eshtë befasues dhe emocionues po aq. Sepse gjen përherë pika takimi me historinë prej lashtësisë dardane e deri në kohën tonë me lavdinë e luftës së UÇK-së, të cilat janë referenca të krenarisë kombëtare. Por gjen edhe shembuj të shumtë të punës së përditshme që të imponojnë admirim dhe respekt. E pikërisht, një nga këta shembuj dua ta ndaj me ju të dashur lexues. Konkretisht e kam fjalën për atë pjesë të autostradës që po ndërtohet në Kaçanik dhe që është segmenti i fundit që lidh Prishtinën me kufirin që ndan Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
Teksa udha kalon mespërmes Grykës së Kaçanikut, nuk mund të mos të të bëjë përshtypje gjarpërimi i saj përmbi shtratin e lumit, një zgjidhje e mençur e arkitektëve, që me veprën që po ndërtohet, i shtojnë historisë dhe bukurisë së grykës së famshme një vepër madhore të infrastrukturës rrugore pikë së pari, po edhe një vepër arkitekturore dinjitoze, një vepër arti në kuptimin e plotë të fjalës.
E ndërsa udhëtoj nëpër Grykën e Kaçanikut, teksa shoh me admirim punën që bëhet për ta kryer këtë vepër të rradhës të qeverisë së Kosovës, nuk mund të mos kujtoj e të krahasoj me të, autostradën tonë që rreket prej mbi 7 vjetësh të lidhë në rreth 30 kilometër Tiranën me Elbasanin, dhe ende nuk ka përfunduar! Jo vetëm, por nuk di njeri të thotë se kur do të mbarojë e sa e sa miliona euro të tjerë do të gllabërojë!
Edhe një përqasje tjetër; në autostradën që po ndërtohet në Grykën e Kaçanikut, përgjatë gjithë gjatësisë së saj në afro 10 kilometër, gjithkund punohet edhe sot që është e shtunë. Ndërsa po të shkosh sot e të shikosh në autostradën që po ndërtohet në Kërrabë para tunelit, e merr vesh që në Shqipëri është ditë pushimi. Pushim sot, pushim nesër, pushim edhe pasnesër! Pastaj gjatë javës, edhe mund të të ndeshë syri ndonjë punëtor gjëkundi!
Por, nuk po zgjatem më tej.
Shikoni fotot nga Gryka e Kaçanikut në Kosovën tonë dhe gjykoni vetë…