Përralla e europianit të mirë

“Kandidati proeuropian” ka fituar qartazi zgjedhjet në Serbi, raportojnë mediat perëndimore. Aleksandar Vuçiqit i jepet kështu si paradhënie dëftesa e më të mirit, mendon Dregoslav Dedovic.

Pse konsiderohet Aleksander Vuçiq si politikan i moderuar nga shumë vëzhgues politikë përkundër tendencave autoritare të tij? Në radhë të parë fajin për këtë e ka klima politike botërore. Qëkur Londra dhe Uashingtoni i kanë kthyer kurrizin BE, çdo fans i BE-së me sa duket është tejet i mirëpritur, edhe kur ai vjen nga Beogradi.

Vërtet, kryeministri i deritanishëm i Serbisë, i cili u zgjodh president mund të qeverisë në pesë vitet e ardhshme pa shumë rezistencë politike. Vitin e kaluar ai siguroi një shumicë dy të tretat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Tani si kryetar i partisë qeverisëse, Partia e Progresit, SNS dhe njëkohësisht edhe si president i vendit, tek Vuçiq dendësohet aq shumë pushtet – saqë për herë të fundit një përqëndrim i tillë e kemi parë në kohën e Millosheviçit.

Kjo në një kohë kur pavarësia e institucioneve në Serbi nuk është ende realitet. Pushteti zbarkon aty ku ndodhet edhe kapedani. Presidenti Vuçiq do të instalojë një kryeministër të komandueshëm. Po qe se qeveria bën punë të mirë edhe ai do të shkëlqejë. Po qe se jo, Vuçiq do të distancohet, madje mund të kthehet në kritikun më të madh të saj. Ai nuk ka nevojë më të veprojë, ai do të lerë të tjerët të veprojnë. E në fund shërbëtorët besnikë që jetësojnë axhendën e tij, ai ose do t’i lëvdojë ose do t’i ndëshkojë.

Demokrat i pastër?

Në kryeqytetet europiane dihet preferenca e Vuçiqit për të fyer gazetarët, poshtërimi i opozitës, po ashtu edhe metodat e tij manipulative të sundimit. Jashtë mikrofonëve pohohet, se ky gjoja demokrat që lëvdohet aq shumë, në shtëpinë e vet tregon një fytyrë tjetër jo tamam demokratike, por me delir vetëkonfirmimi. Por për sa kohë që ai pozicionohet me tone pajtuese në çështjen e Kosovës dhe përsërit refrenin e stabilitetit, në perëndimin pragmatik do të mbahen në tone të ulta kritikat për gjendjen e mjerueshme të medias dhe të sistemit të drejtësisë.

Sigurisht krahasuar me të shkuarën e të përgjakshme, gjendja aktuale në Beograd mund të quhet madje idilike. Edhe po të shohësh tensionet e brendshme politike në Bosnje-Hercegovinë, Maqedoni, Kosovë, Vuçqi na paraqitet si një zotëri i mirë, që nuk i hap shumë probleme perëndimit. Në këtë kontekst ai mund të lozë në Serbi si të dojë, mund të paraqitet në të gjithë kanalet televizive gati dhjetë herë më shumë se të rivalët nga opozita, mund të ushtrojë presion ndaj votuesve me vendin e punës.

Shpresa e dobët është që stili qeverisës i Vuçiqit të bëhet më i moderuar gjatë negociatave me BE. Por kjo shpresë mund të dalë në fund edhe si iluzion. Në pesë vitet e ardhshme, sunduesi i vetëm legjitim me shumë gjasa do ta nxjerrë edhe më qartë fytyrën e tij të vërtetë.-DW

 

SHKARKO APP