Përse Basha u mendua gjatë për hetimin ndërkombëtar?

Nga Mero Baze

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, iu bashkua kërkesës së Berishës dhe Metës për një hetim ndërkombëtar rreth çështjes së ÇEZ-it. Basha foli kështu i treti në radhë, pas propozimit që bëri i akuzuari kryesor për privatizimin dhe falimentimin e ÇEZ-it, ish kryeministri Sali Berisha. Pas Berishës, Meta mbështeti hetimin ndërkombëtar duke shtuar prioritetet e tij për një hetim nga SHBA, meqë ÇEZ është një kompani çeke dhe mund të ketë konflikte interesi në Evropë.

Këtu lindi pikërisht një debat i ri dhe origjinal. Në mungesë të një qëndrimi nga Partia Socialiste, e cila po e soditë gjithë këtë debat, pyetja shtrohej a ka Meta-Berisha një shumicë të re në Kuvend?

Swiss Digital Desktop Reklama

Lulzim Basha nuk iu përgjigj për 24 orë kësaj dileme.

Swiss Digital Mobile Reklama

Fakti që Berisha kërkoi hetim ndërkomëbtar pa e pyetur atë dhe fakti që Meta i nxorri bllof duke iu bashkuar thirrjes së Berishës, e vendosën Bashën në një pozitë të vështirë, ku duhet të verifikohej shumica e tij në PD apo ajo e Berishës. Ky ishte rasti i parë që publiku mund të shikonte me kë ishte Grupi Parlamentar i PD-së, me Berishën apo Bashën.

Pas 24 orësh Basha i dha fund hezitimit të tij dhe shmangu testin dhe përballjen me Berishën në Kuvend, duke i thënë Metës se ishte dakord me hetimin ndërkombëtar. Këtë e bëri edhe pasi ambasada e SHBA-së e bëri të qartë se qeveria e SHBA-ve nuk do të investohet në një hetim të saj për ÇEZ-in në Shqipëri, duke arsyetuar se Shqipëria ka institucionet e veta. Basha, edhe pse është njeri me lidhje të forta me ambasadorin Lu, i cili ende beson së paku se Basha do t’i japë votat për Reformën në Drejtësi, nuk duroi dot sot sprovën në të cilën e vendosi papritur dyshja Berisha-Meta dhe shmangu përballjen me Berishën në PD dhe zgjodhi si më të lehtë përballjen me “Jo-në” e SHBA-së, pasi ata shpreson t’i sqarojë kokë më kokë në zyrë, me justifikimin e tij të zakonshëm “s’kam çcfarë t’i bëj Berishës”, siç u thotë gjithë të huajve.

Në të vërtetë të gjithë aktorët e nisën dhe përfunduan kërkesën për hetim ndërkombëtar për arsye të ndryshme. Berisha e nisi si bllof. E para për t’i shpëtuar një hetimi në Shqipëri dhe e dyta me shpresë se do të kompleksonte Ilir Metën dhe ky do të thoshte “Jo”. Meta tha “Po” duke e shtrirë deri në SHBA, jo vetëm për t’i krijuar Bashës kompleksin se po bashkëpunon me Ramën kundër Berishës, por dhe për tu treguar i qetë që nuk ka probleme nga kjo histori. Basha, i cili mbajti frymën pezull 24 orë, i tha po hetimit ndërkombëtar, pasi u sigurua nga SHBA dhe ndoshta nga ndonjë ambasador i BE-së që nuk do pranohet dhe për të shmangur ballafaqimin mes tij dhe Berishës brenda grupit të PD-së.

Pra siç shihet, arsyet që çojnë tek hetimi ndërkombëtar janë në të vërtetë arsyet dhe përse nisi kjo zhurmë, e cila nuk është një betejë anti-korrupsioni, por një skemë diversioni, e cila nisi kundër dyshes Rama-Meta dhe po përfundon tek dyshja Basha-Berisha.

 TEMA

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?