Përse Berisha nuk e pranoi diversionin me “ftesën” në ABC?

 

 

Nga Mero Baze.

Gjithçka dukej e kujdesshme për t’u dukur si miqësi e paprishur. Fotografitë e përbashkëta të Berishës e Frangaj duke u ngjitur shkallëve të ABC, pamja e qeshur e të dyve, dhe postimi i tyre në Facebook, ndërkohë që vetëm pak çaste më parë kishte shkëmbyer replika publike me selinë e PD dhe Lulzim Bashën, të cilin e quante të paburrë, pasi i kishte firmosur lejen për një 13 katësh tek hyrja e Parkut Kombëtar, por pastaj kishte protestuar kur Edi Rama ja kishte konfirmuar këtë leje disa ditë më parë.

Polemika me Bashën, braktisja e tij kur shkoi një javë më parë në TV Klan, dhe pritja po pompoze e Berishës, ishin përpjekje tipike për të krijuar idenë se Frangaj është në konflikt me Bashën për fajet e tij si njeri që nuk ka ndihmuar me leje bizneset e Frangajt, por është politikisht korrekt me Berishën.

Në të vërtetë gjithçka është fallco. Berisha e kishte konfirmuar një javë më parë intervistën dhe thjesht nuk e ka refuzuar, dhe sapo ka dalë nga studioja e ABC, ka porositur një deklaratë të dytë më të ashpër për Frangajn, ku duket dhe gjuha e tij. Kjo do të thotë se Berisha nuk pranon të përdoret nga Frangaj për diversion kundër Bashës, dhe është i qartë se nëse nuk e godet Ramën pse i ka dhënë leje ndertimi për një pallat të ri 13 katësh Frangajt në hyrje të Parkut, jo vetëm do dobësohet si opozitë klienteliste, por do të dorëzojë Frangajn me dorën e vet tek Edi Rama.

E gjithë përpjekja e Frangajt për t’u dukur sikur ka dy PD, njëra e Bashës, që sipas tij është një parti kalamajsh dhe jo burrash, dhe një e Berishës burrëror, është thjesht një truk, të cilin PD e zhvlerësoi me qëndrimin e saj të përsëritur kundër TV Klanit dhe pronarit të saj.

Po përse i duhej Frangajt diversioni për “dy PD” dhe fakti që Berisha ngelej aleati i tij?

Frangaj më mirë se kushdo tjetër e di se nderet që po i bën Edi Rama dhe raporti klientelist që ai po krijon me të, nuk synojnë aq shumë ndonjë dobësi të Ramës për të, por faktin që do ta fusë në konflikt me PD dhe ta paraqesë si njeri të shitur tek Edi Rama. Edhe pse është shumë foshnjore si lëvizje, e cila bën pis realisht Edi Ramën më shumë se Frangajn, pasi ky i fundit nuk ka më vend ku të bëhet pis, përsëri ajo është brenda logjikës së Ramës, që kundërshtarit i duhen hequr sa më shumë aleatë, qofshin dhe të pacipë. Synimi i tij për ta futur Frangajn në luftë me PD po avancon dhe Frangaj e ndjen se nëse kjo ndodh dhe atij i mbyllen dyert tek PD, është tërësisht në dorë dhe mëshirë të Edi Ramës, si një biznesmen pyramidal, që nuk jeton dot pa lëmoshët e pushtetit.

Është kjo arsyeja që atij i duhet doemos në studio Sali Berisha dhe sidomos fotot e qeshura me të, duke u ngjitur shkallëve si i zoti i shtëpisë. Por, përtej këtij truku, nuk ka asgjë reale. PD është e qartë se TV Klani nuk u duhet, pasi është simboli i medies së korruptuar dhe klienteliste, dhe se miqësia me Frangaj është një taksë politike. Ata kanë më shumë leverdi në opinion të bëjnë katarsis duke thënë që klientët e dikurshëm të pushtetit të Berishës tani janë klientë të Ramës, se sa të kenë aleancë me ta. Fakti që Basha del çdo ditë në konferencë shtypi dhe denoncon klientët e pushtetit të Berishës për leje apo ndere që i ka nisur Berisha apo Basha dhe i përfundon Rama, tregon se PD është e qartë se ka paguar taksë të rëndë për të ikur nga pushteti për shkak të emrave të tyre dhe tani po përpiqet të nxisë zemërim popullor ndaj Ramës, duke i paraqitur ata klientë të Ramës dhe si një e keqe që vazhdon.

Është kjo arsyeja që Berisha dhe Basha janë bashkë në qëndrimin ndaj Frangaj dhe të qartë që ai nuk ju duhet si mbështetës, por u bën punë më shumë si “armik”, pasi kështu njollosin më shumë Ramën dhe pushtetin e tij njësoj si me Delijorgjin dhe të tjerët.

Diversioni i djeshëm i Frangajt ishte i montuar keq. Mjaftoi të zbardhte dita dhe Berisha ja ktheu reston, duke shkruar me dorë të vetë deklaratën kundër tij dhe duke i treguar vendin, se në atë parti i cakton vetë shërbëtorët. 

SHKARKO APP