Përse Britania e Madhe ka frikë nga hyrja e Shqipërisë në BE?

Nga Mike Sullivan*/Një shqiptar, të cilit 6 javë më parë iu refuzua hyrja në Britaninë e Madhe u kap të premten në mbrëmje me një sasi kokaine që kishte vlerën e 1.5 milionë stërlinave.

21 –vjeçari ishte nën shoqërinë e një bashkëkombasi kur Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) goditi një grup të trafikut të drogës.

Arrestimet vijnë në një kohë kur anëtarë të rëndësishëm të kabinetit qeveritar, si Sekretarja e Punëve të Brendshme Theresa May dhe Sekretari i Drejtësisë, Michael Gove kanë lëshuar paralajmërime në lidhje me kërcënimin e Britanisë së Madhe nga bandat që vijnë nga Shqipëria, një vend që po kërkon të hyjë në BE.

Gazeta “The Sun” mundi të provojë se 21 –vjeçari ka tentuar të hyjë në Britani në aeroportin Stanstead, në Essex, gjashtë javë më parë, por u kthye mbrapsht.

Ai mendohet të ketë hyrë në Britaninë e Madhe dy javë më parë me dokumenta false. Arrestimi i tij erdhi si pasojë e një hetimi kundër një rrjeti të krimit të organizuar, që merret me shpërndarjen e drogës së klasit A, në Londër.

Ai u ndalua në Stanmore, veri-perëndim të Londrës, kur policia kapi 3 kilogramë kokainë teksa po bëhej dorëzimi dhe 10 kilogramë të tjera në një ndërtesë aty pranë.

Pasi të përzihej, kjo sasi kokaine do të kapte vlerën e 1.5 milionë stërlinave në treg.

Një burim tha: “Njëri nga dy të arrestuarit është një 21 –vjeçar shqiptar që tentoi të hynte në Britaninë e Madhe 6 javë më parë, por u kthye mbrapsht në Standstead. Por brenda pak javëve ai mundi të hynte ilegalisht dhe tani arrestohet me një sasi të madhe kokaine. Kjo ngre pyetjen, si si është e mundur që ai të vinte në Britaninë e Madhe kaq shpejt?”

Javën e kaluar Sekretarja Theresa May – i cili mbështet qëndrimin e Britanisë në BE – paralajmëroi për rrezikun e gangsterëve që vijnë nga vende që kanë aplikuar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Zonja May tha se Shqipëria, Serbia dhe Turqia kanë “varfëri dhe probleme serioze me krimin e organizuar, korrupsionin, dhe ndonjëherë edhe me terrorizmin”.

Ajo shtoi: “Ne duhet të pyesim veten, është me të vërtetë e drejtë që BE-ja duhet të vazhdojë të zgjerohet, duke u dhënë të gjitha shteteve të reja që duan të anëtarësohen, të gjitha të drejtat e anëtarësimit?”

10 % e të burgosurve në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar janë nga Shqipëria.

Ndërsa udhëheqësi i daljes së Britanisë nga BE, Sekretari Michael Gove thotë se radhët e bandave shqiptare në Britaninë e Madhe do të shtohen sapo vendi të bashkohet me BE –në.

Në një shkrim në Daily Mail, Z. Gove ka thënë: “Sekretarja e Brendshme e di se problemi është shumë i madh për t’u zvogëluar.”

NCA konfirmoi se dy shtetas shqiptarë u arrestuan të premten.

Ata janë Pashk Kolicaj, 21 vjeç dhe Ened Molla, 27 vjeç.

*Redaktor i kronikës në The Sun – Përgatiti Lapsi.al

SHKARKO APP