Përse e kërkon Rama, një bazë të NATO-s në Shqipëri?
“Kështu që këto deklarata të Ramës, për një vijë ndarëse dhe mbrojtëse ndaj ekspansionit rus në Ballkan, nëse nuk do të mbeten në rrafshin retorik dhe pra, thjesht fjalë, duhet të shndrrohen edhe me më shumë se kaq, në terren konkret”…
Nga Artur Zheji
Dje në fjalën e tij, të natyrës gjeo-politike, Edi Rama, rrëfeu se ka, pas vetes këshilltarë të mirë, të politikës ndërkombëtare dhe gjeopolitike.
Në Asamblenë e përgatitur me kujdes nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë, dhe Ilir Metës, kryeministri hodhi në tregun politik dhe jo vetëm të kësaj Asambleje, dy teza të mirë studiuara dhe që do te kenë padyshim efekte pozitive në marrëdhëniet e tija të mira publike, sidomos në fushën ndërkombëtare.
Teza e parë, lidhej me “Ëndrën” e vet dhe të Pandi Majkos, për të patur një bazë ushtarake të NATO-s në Shqipëri. Pamvarsisht se kjo nuk është dhe nuk mund të jetë një tezë, mirëfilli e Majtë, është gjithësesi një Tezë e Real Politikës, e shëndetshme dhe e dobishme. Për Shqipërinë, padyshim, por edhe për karjerën politike të vet Kryeministrit.
Do të ishte tunduese të thonim se Rama, e ka bërë parashtrimin e kësaj teze gjeopolitike, duke përllogaritur efektet pozitive që ai do të përfitonte në arenën ndërkombëtare, por do të ishte e padrejtë, të ndalonim thjesht në këtë lloj dekriptimi.
Padyshim, një bazë ushtarake e NATO-s, në Shqipëri, eventualisht në periudhën e qeverisjes Rama, do të ishte një sukses personal i tij dhe do të cimentonte edhe më tej, pushtetin e tij politik, si oksidentalist, me largpamësi gjeopolitike.
Dhe, si edhe rrëfejnë eksperiencat e vëndeve të tjera që kanë baza të tilla ushtarake, Rama si kryeministër, do të gëzonte një tolerim disa herë më të madh, për mëkatet e qeverisjes së brendshme, apo për standardet e dyshimta, të demokracisë që ai do të implementonte, në Shqipëri. Në këtë optikë, kundërshtarët e tij politikë, në rrafshin e politikës së brendshme, do të pësonin në një rast të tillë, një “nokdaun”, që do të mbahej mend gjatë.
Gjithmonë nëse Nato, ka nevojë për një Bazë Ushtarake në Shqipëri dhe nëse kjo përputhet me ndonjë kërkesë të postuar “top secret”, kohët e fundit në skrivaninë e tij kryeministrore.
Por kjo Tezë, është fryt, i një këshillimi, padyshim të mencur dhe efikas. Dhe, gjithmonë nëse vihet në jetë, pozitive sa më ska, për mbrothësinë oksidentaliste të Shqipërisë. Një turravrap, drejt integrimit de facto, në Bashkimin Europian.
Si edhe padyshim, të pasuarit e një pakete ndihmash ekonomike, në formë investimesh dhe financime projektesh infrastrukturore, me leverdi të mirëfilltë kombëtare dhe me reze të gjerë veprimi, Tiranë-Prishtine-Shkup.
Pra është një tezë dhe një kërkesë, gjeopolitiksht e duartrokitshme. Madje me të dyja duart. Një Bazë Ushtarake e Natos-s, do të ishte, një mburojë ushtarake, gjeopolitike dhe një faktor zhvillimi, shoqëruar me një sërë garancish, afatgjata për vendin.
Teza e dytë, lidhet me deklaratat që Rama, artikuloi, në lidhje me marrëdhëniet e Shqipërisë me Federatën Ruse, putiniane. Ekspansioni i së cilës në Ballkan, shihet dhe përjetohet në mënyrë shqetësuese, nga aleatët europianë dhe amerikanë. Në fjalën e mirë këshilluar, që Rama mbajti në Asamble të Nato-s, përpos shtesave të tija mikluese dhe të pavenda në atë Ambient për Majkon, ai parashtroi një linjë të qartë demarkacioni ndërmjet Rusisë putiniane dhe Shqipërisë, kufi i cili, ka një ndjeshmëri të lartë në aleatët tanë në Bruksel dhe Ëashington.
Aq më tepër se simbas të dhënash të pakonfirmuara, nuk janë të pakët sipërmarrësit shqiptarë, që rrotullohen si satelitë përreth Selisë Rozë, që janë përpjekur dhe përpiqen, përmes kompanish “bija” dhe kompanish “mbesa”, të sjellin dhe të nxisin në depërtimin në Shqipëri, të kompanive “Nëna”, që janë në të vërtetë, kompani të fuqishme ruse, sidomos në fushën e karburanteve dhe të infrastrukturës. Me ndihmën e kryqëzimeve kompanish serbe dhe shqiptare, të cilat synojnë përmes forcës së kapitalit dhe lidhjeve politike, afrë Selisë Rozë, të kapin pika ekonomike kyce në vendin tonë.
Kështu që këto deklarata të Ramës, për një vijë ndarëse dhe mbrojtëse ndaj ekspansionit rus në Ballkan, nëse nuk do të mbeten në rrafshin retorik dhe pra, thjesht fjalë, duhet të shndrrohen edhe me më shumë se kaq, në terren konkret.
Vihet re pra, përvec mirëkëshillimit në hartimin e këtyre tezave të kryeministrit, edhe një mbështjetje joshëse, që në pritje përcjelljet e nivelit më të lartë, duket se kryeministri ka përfituar, falë aftësisë për tu vetë vecuar, si përfaqësues i pjesës më të shëndetshme të klasës politike shqiptare.
Se sa është e saktë kjo gjë, ne në Shqipëri, e dimë më mirë, se sa ndërkombëtarët.
Por kjo është një temë tjetër./ 360grade.al