Përse është e vështirë të bëjë i gjalli homazh për ish-mikun e vjetër?

Nga Irena Beqiraj –Shënimi, të cilën shumë gazeta e titulluan “Homazh për Maks Velon” ishte duel pa kundërshtar. Se kush ishte Maksi dhe a kishin “figurat e tij një gjymtim sëkëlldisës, ngjyrat e tij një pengim lodhës, poezitë e tij një ngërç sfilitës apo opinionet e tij një ton çjerrës” le t’ia lemë historisë”.

Shkruesi shprehet i bindur se kushdo që do të ndeshet me pikturën e tij mund të pyes “kush është ky Maks Velo? Bashkëkohës të tjerë mendojnë se emri i tij do të jetë i skalitur në piedestalin e intelektualit të lirë pa interesa okulte dhe pa dëshirë të dëshpëruar për pushtet.

Teksa e lexoja këtë Homazh, e nxitur nga dyshimi që ndoshta shumë gjëra nuk i di, hapa fjalorin dhe gjeta: Homazh do të thotë – shprehje publike e respektit, nderimit, mirënjohjes, admirimit, vlerësimit, lavdërimit për dikë”. Asgjë nga këto nuk gjeta gjatë leximit. I zhdërvjellët, i sinqertë për ato çka mendonte për një mik, i cili ka qenë edhe kundërshtar i tij publik shkrimi çirrej për shkruesin duke ulëritur “vuan nga sindroma Hubris”. Hubris është një koktej i rrezikshëm i vetëbesimit, arrogancës dhe krenarisë që ushqehet nga pushteti dhe predispozicionet personale autoritare.

Sipas Karen Stenner,(ekonomiste e sjelljes) autoritarizmi është predispozitë në të cilin nuk ka asgjë thelbësisht “të majtë” ose “të djathtë”. Një e treta e popullsisë në çdo vend ka predispozita autoritare.

Autoritarizmi u përshtatet njerëzve që nuk mund të tolerojnë kompleksitetin, nuk durojnë dot njerëzit me ide të ndryshme dhe janë alergjik ndaj debateve të ashpra. Autoritarizmi është një kornizë mendore, e cila nuk lejon krijimin e lidhjeve të forta, për këtë arsye autoritarët janë njerëz të vetmuar. Kur këto predispozita miksohen me pushtetin, cinizmi është i dukshëm.

Një mori studimesh tregojnë që një nga efektet e pushtetit është “t’i shikosh të tjerët nën një dritë negative”. Për shkak se pushteti ushqen superioritetin ndaj njerëzve të tjerë, mbajtësi i tij ka vetëbesimin se çfarë ai mendon është tërësisht pasqyrim i të vërtetës apo realitetit.

E njoh pak Maksin, udhëheqësin çdo ditë edhe më pak. Por dashuria e Maksit me vetveten nuk mund të ishin kurrë aq shkatërruese, gërryese sesa transformimi rrënjësor që pësojnë njerëzit me pushtet, të cilëve pushteti u komprometon mendjen, emocionet, rrjedhimisht dhe mënyrën sesi ato shikojnë dhe vlerësojnë gjithçka përreth.

Maksi i dashuruar me lirinë dhe udhëheqësi i dashuruar me vargonjtë e pushtetit, në këto kushte vështirë i gjalli edhe pse syhapur të bëj homazh për ish-mikun e vdekur.

SHKARKO APP