Përse Eva po del më e fortë se Adami nga COVID-19?!
Nga Artan Fuga
Përse Eva po del më e fortë se Adami?! Kush infektohet më shumë me Covid-19?
Nga krahasimet e informacioneve shkencore që mbledh nga qendra spitalore evropiane dhe nga intervista me mjekë shumë të njohur europianë që transmetohen nga media të huaja rezulton se gratë po infektohen deritani më pak se burrat!
Infeksioni kuptohet që është i përhapur në qendrat më të mëdha urbane.
Disa thonë se meqë në këto qendra shkëmbimet dhe lidhjet mes njerëzve janë më të shpeshta virusi përhapet më fort. Mundet. Por ka edhe të tjerë, po aq me reputacion, që kanë hipotezën që në zonat urbane ndotja ambjentale më e madhe i ka pas dhënë më shumë forcë sherndarjes të virusit.
Të shohim. Hipoteza janë.
Pse gratë janë më pak të infektuara? Përse burrat mbushin më shumë krevatet e sallave të reanimacionit sesa gratë? Ende nuk ka shpjegim.
Eva doli më e fortë se Adami të paktën në këtë pikë.
Të shohim. Hipotezat janë. Puna është të kemi informacione me parametra të gjithanshëm dhe të saktë ne në Shqipëri. Bota le të bëjë punën e vet. Ne sigurisht nuk shpikim dot vaksinën, por një kontribut të vogël mund t’a japim.
Ne duhet të kemi të dhëna të plota :
Nga të infektuarit të shtruar në spital, nga ata me simptoma të lehta që janë paraqitur te mjeku i lagjes, nga ata me simptoma të rënda, nga ata që kanë humbur jetën etj., nga ata që testohen dhe dalin pozitivë, por pa simptoma :
Sa janë gra dhe sa janë burra?
Sa janë nga zonat e dendura urbane, sa janë nga periferia dhe sa janë nga zonat rurale?
Sa janë nga zonat fushore, sa janë nga zonat kodrinore, sa janë nga zonat malore?
Sa janë shpërndarë sipas grupmoshave?
Si janë shpërndarë sipas profesioneve?
Sa janë nga Jugu, nga Qendra, nga Veriu?
Si janë shpërndarë sipas tipologjisë të familjeve dhe kontaktit me emigrantët?
Si janë shpërndarë sipas sëmundjeve të mëparshme? etj.
Pra, të dhëna socio-demografike të sakta, të bollshme, lëre pastaj të dhëna të parametrave mjeksorë që mund të shtohen në këtë informacion.
Në këtë mënyrë ne do ta zhvillojmë shkencën e epidemiologjisë duke e kryqëzuar atë me sociologjinë, me teknikën e big datave, me gjeografinë, me shkencat e administrimit të territorit, etj.
Pra, na duhet pikërisht ajo që insistoj, zhvillimi i kërkimit shkencor si kryqëzim metodash shkencash të veçanta, ndërtimi i laboratoreve të kërkimit shkencor ndërdisiplinarë, integrimi i dijeve teorike me të dhëna të mëdha informative të klasifikuara dhe të kuptuara si duhet.
Ne na duhet që tani të kërkojmë këto të dhëna të përmbushen në formularët për cdo të infektuar. Tani, sepse pastaj, më vonë këto të dhëna do të humbasin në pluhurin e asgjësë.
Vetëm në këtë mënyrë duke bashkuar shkencat e territorit, me shkencat sociale, me teknologjitë e komunikimit, me big datat, me shkencat mjeksore ne do të ndërtojmë politika publike që duhet të konceptojnë strategjitë tona të menaxhimit të territorit, të ekonomisë, etj.
Na duhen doktoratura shteti me tema që i imponon ose propozon shteti të subvencionuara fort! Doktoraturat e zakonshme le të jenë thjesht diploma të ciklit të tretë.
Ne nuk kemi tema studimesh shkencore prioritare dhe strategjike.
Na duhen grupe kërkimi ndërdisplinare dhe jo brenda një dispiline të vetme madhore.
Ne duhet të kuptojmë se koha është te diseign thinking dhe jo te monologjet brenda të diturve të një fushe që sapo dalin jashtë saj tjerrim brockulla.
Ka ardhur koha që të dhenat tona t’i krahasojmë me të dhënat europiane.
Na duhen të dhëna big data që shteti as ve ujin në zjarr t’i subvencionojë si sisteme, të paktën për të dhënat e politikave publike.
Futesh në të dhënat e INSTAT për të kuptuar gjesëndi dhe kupton se janë ndërtuar me metodat më budallaqe dhe të dyshimta të mundshme. Me kategori që nga koha e Stalinit dhe e Ho Shi Minhit!
Na duhet menaxhimi i shkencave prioritare, na duhen specialistë kërkimi brenda grupeve ndërdisiplinare, ndarja me institute si burgje, e si kazeerrma, ka marrë fund. Po tregon se nuk ka asnjë vlerë.
Na duhen breza të mësuar! Jo diploma që nuk çojnë drejt specialiteteve aplikative!
T’i thërrasim mendjes, koha ka ardhur ose komb me dije bashkëkohore ose rrezikojmë të zhdukemi nga Covid 2020, 2021, 2035…