Përse fshihet Basha, nga fushata në Tiranë?

 

Nga Mero Baze

Sali Berisha ka qenë gjithnjë problem për votuesit në Tiranë. Në zgjedhjet e vitit 2003, avokat Ngjela e mbajti larg fushatës, duke ia bërë të qartë se i prishte punë. Dhe Berisha pavarësisht rezistenës, e pranoi këtë vendim të kandidatit. Më 2007-ën Berisha u përfshi dhe diferenca e Olldashit me Ramën u thellua. Në vitin 2011, Basha nën këshillat e specialistëve të fushatës, e mbajti larg fushatës Berishën. Berisha përsëri ra dakord, madje nga dashuria për Bashën, i lejoi atij dhe të përhapte idenë se Basha ishte ndryshe nga Berisha dhe pasi të bëhej kryetar Bashkie do përfshihej në konflikt me Berishën.

Në historinë e politikës shqiptare, Berisha është i vetmi lider, që pranon të poshtërohet duke e zbuar nga fushata, me kusht që të fitojë pushtetin. Por siç u pa pas vitit 2011, Basha jo vetëm që nuk demonstroi asnjë shenjë pavarësie nga Berisha, por thelloi linjën e servilizmit ndaj tij, duke e përfshirë atë në betejën për t’i dhuruar në pajë dhe partinë pas humbjes së vitit 2013.

Tani i njëjti fenomen po përsëritet me Doktor Halimin. Doktori ka dy javë që ka dalë në fushatë dhe shoqërohet nga disa çupëlina dhe djem të rinj, pa asnjë identitet politik. Lulzim Basha nuk ka marrë pjesë në asnjë takim të tij, kurse Berisha ka bërë vetëm një status të gjatë në Facebook, ku ka sharë me libër shtëpie kundërshtarin e Halimit dhe ka thënë fjalë të mira për Halimin.

Nëse Basha, Ngjela dhe Olldashi e kanë pasur problem Berishën se i ulte pikë në Tiranë, tani po rezulton se dhe doktor Halimi e ka problem praninë e Bashës në fushatë, pasi i dëmton imazhin dhe i humbet pikë. Dhe nëse Berisha konsumin në politikë në Tiranë e pësoi pas disa dekadash pushtet, Bashës i mjaftoi një mandat katër vjeçar që ta kuptojë dhe vet se kujt i del në krah në Tiranë, i prish punë.

Duke qenë rekordmen i premtimeve të pambajtura, Basha shijen më të keqe në Tiranë nuk e ka lënë për këtë, por për faktin që nuk ka turp për çfarë ka ndodhur dhe i trajton qytetarët si budallenjë, duke u folur për vizionin e tij. i vetmi moment ku zbulohet që Basha e di se është bërë antipopullor për këtë shkak në Tiranë, është zhdukja e tij nga fushata e Tiranës dhe mosshfaqja në krah të doktor Halimit. Nëse këtë e ka bërë vet, dëshmon se e ka kuptuar që do t’i prish punë kandidatit. Nëse ia ka sugjeruar doktor Halimi, atëherë akoma më shumë kemi një kandidat të ndërgjegjshëm, që së paku e di çfarë nuk duhet të bëjë nëse bëhet kryetar bashkie.

Po përveç kësaj ka dhe një përgatitje për alibi pas rezultatit të pritshëm të zgjedhjeve. Ekipi që bën fushatën e doktor Halimit duket i pamotivuar. Shumica e kasetave regjistrohen dy ditë para e çohen në televizione, që vazhdojnë zakonin e papërgjesghëm të transmetimit të tyre. Stafi duket i pamotivuar dhe i pambështetur me ide dhe logjistikë, siç ishte fushata e Bashës. Përvec Bashës e Berishës, që nuk janë dukur në fushatë dhe figurat politike që shfaqen krah tij janë të rangut të ulët.

Madje, Basha ka harxhuar më shumë energji të nxjerrë një vajzë me syze që flet për vizionin e Bashës për Tiranën, që ajo e shikon shumë qartë, sesa të flasë për idetë e fushatës së halim Kosovës. Kjo është një taktikë tinëzare, që synon të krijojë alibi në rast se Doktor Halimi humbet, duke u distancuar nga fushata e tij dhe duke mos marrë përgjegjësi politike për rezultatin.

Kësisoj fushata e Doktor Halimit, është e mbushur me gallata dhe lajthitje politike, të cilat burojnë më shumë nga braktisja që i kanë bërë politikisht kandidatit. Dokor Halimi nuk është politikan dhe ai ashtu di të flasë. Temë e bisedave të tij janë natyrshëm lindjet, gratë që kanë lindur me të, ndonjë episod si kanë lindur etj. Po e le të flasë politikisht pa pasur njerëz politik në krah, mos u çudit të dëgjosh atë që tha, se do ta çojë “Tiranën në drejtimin e duhur”. Problemi është se ai ndihet si kandidat pa parti dhe pa kryetar partie. Ky është një rekord në historinë e politikës së këtij vendi, pasi PD-ja dhe kryetarët e saj, janë të vetmit që fshihen nga fushata në Tiranë në mënyrë vetëposhtëruese, duke pranuar se u prishin punë kandidatëve të tyre.

TEMA

SHKARKO APP