Përse refuzova ‘i pari në listat e Tiranës’!
Nga Edi Oga *
Dje piva një kafe dhe bisedova me një personalitet të njohur i cili kishte refuzuar ftesën e kryeministrit për të qenë i pari në listat për deputet në qarkun e Tiranës!
Pak e njohin, megjithëse shumë mendojnë se e njohin dhe akoma më shumë e kanë paragjykuar dhe gjykuar, megjithëse ai nuk ka qenë kurrë i zgjedhur, madje nuk ka mbajtur asnjëherë asnjë post në administratën shtetërore.
Gjithherë ka punuar në kompani private dhe gjithmonë ka qenë i angazhuar në jetën sociale të vendit. Ka dhënë mendimin e vet objektiv dhe të pandikuar për të gjitha ato çdo çeshtje me rëndësi publike, për të cilat ai mendon se ka diçka për të thënë. Jo rrallë ai ka ofruar edhe zgjidhje për të tilla çeshtje, siç i takon një intelektuali.
Ai e mbajnë për intelektual i vërtetë dhe si ai nuk ka shumë në këtë vend!
Në përpjekje për të zgjatur pushtetin e tij absolut edhe në një mandat të tretë, kryeministri në detyrë ka kuptuar se afrimi në parlament i elementeve të tillë, i shërben “për vdekje”!
Së pari, përçon tek votuesit idenë e hapjes së përtisë ndaj intelektualëve “të papërlyer”!
Së dyti, “i mbyll gojën” ambasadores së bezdisur të rrugës së Elbasanit!
Së treti, eleminon “me takt” deputetët e vjetër që kanë guxuar të mos i binden verbërisht!
Intelektuali në fjalë i dinte mirë të gjitha këto, madje di edhe shumë të tjera:
Ai e di që në parlament, shumica dërrmuese e deputetëve janë thjesht persona ambiciozë dhe të parealizuar të cilët nuk kanë asnjë motiv tjetër për të qenë aty, përveç interesave personale ,të cilat i kënaqin thjesht dhe vetëm duke iu bindur “të madhit” verbërisht.
Ai nuk është njeri që i bindet verbërisht askujt, përveç bindjeve të veta apo bindjeve të argumentuara të të tjerëve!
Ai e di se deputetët në parlament janë të paaftë dhe të penguar të propozojnë apo të bëjnë debate konstruktive. Ai nuk mund të jetë pjesë e një parlamenti “shterpë” dhe pa debat!
Ai e di që politika është “arti i të mbushurit të mendjes”, por ai nuk mundet të mbushë mendjet e atyre që mendojnë se kanë të mbushur!
Ai e di që politika është “arti i kompromisit”, por në këtë vend e keqja tolerohet, madje është mënyrë sistemike të menduari dhe të vepruari. Ai nuk mund të bëjë dot kompromis me të keqen!
Ai e di që politika është “arti i së mundurës”, që do të thotë se politika nuk bën atë që është më e drejta apo atë që është më e mira për t’u bërë, por bën atë që ka të mundur të bëjë aktualisht. Për fatë të keq, aktualisht, politika mundet thjesht t’i shërbejë një grupi njerëzish që nuk kanë asnjë vizion në jetë përveç se pasurimit të tyre të shpejtë e të palimit, edhe me kushtin e turpshëm dhe të frikshëm të shkatërrimit të së tashmes e të së ardhmes të të gjithë të tjerëve.
Intelektuali ynë nuk pajtohet dot me këtë, prandaj intelektuali ynë refuzoi kërkesën e kryeministrit për t’u shkruajtur “i pari në listën e Tiranës”!
Isha shumë kurioz të dija se në ç’mënyrë e kishte refuzuar ftesën e kryeministrit!
“Në mënyrën që më takon, si intelektual i pavarur – më thotë, – duke i propozuar një zgjidhje. I dorëzova një listë me 10 intelektualë të vërtetë e të sprovuar. I thashë kryeministrit, gjej edhe ti 20 si këta, vëri në krye të listave në pozicione fituese. Plotësoji listat me personat më të vlefshëm dhe më të ndershëm të partisë tënde dhe hajde të punojmë për ta bërë këtë vend!”
Sigurisht që kryeministri e refuzoi këtë propozim. Arsyet i di ai. Arsyet i dimë të gjithë!
*Newsbomb.al