Përse Shqipëria ia la Serbisë kryesimin e OSBE në 2012?

Nga Shaban Murati *

“Kryesimi serb i OSBE nuk mund të mos risjellë në skenë pyetjen e madhe një milion dollarëshe se si qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë lejoi me pëlqimin e saj dhe mundësoi që Serbia të caktohej në 10 shkurt të vitit 2012 për të marrë kryesimin e OSBE për vitin 2015. Nuk mund të mos kërkosh përgjigjen dhe llogarinë se përse qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë në vitin 2012 pranoi që kryesimin ta marrë shteti, që nuk e njihte Kosovën, kur Kosova është pjesë e pandarë e çështjes dhe e interesit jetik kombëtar mbarëshqiptar. Nuk mund të mos shtrosh pyetjen dhe llogarinë se si diplomacia e Shqipërisë nuk bëri asnjë tratativë dhe nuk vuri kushtin për t’i kërkuar Serbisë, në shkëmbim të votës së Shqipërisë, njohjen e Kosovës ose të paktën pranimin e Kosovës në OSBE. Zyrtarë të MPJ të Shqipërisë, që janë të njohur me dinamikën e çështjes dhe që folën në konditat e anonimitetit, tregojnë se Shqipëria nuk i ka vënë asnjë kusht Serbisë as për raportet Serbi-Kosovë dhe as për raportet Serbi-Shqipëri, kur ka dhënë në vitin 2012 pëlqimin e saj për kryesimin serb të OSBE.

Diplomacia e Shqipërisë e asaj kohe u përpoq të lante duart si Pons Pilati, duke bërë një deklaratë interpretative, e cila është një artific diplomatik i lejueshëm për të gjitha shtetet anëtare, për të shprehur disa sugjerime se si duhet të bëhet më mirë kryesia e ardhshme, për të cilin jepet pëlqimi. Diplomacia e Shqipërisë nuk ka vënë asnjë kusht, as në marrëdhëniet dypalëshe, dhe as ka bërë tratativa dypalëshe me palën serbe, por as ka kërkuar ndonjë gjë si shkëmbim në tratativat shumëpalëshe. Madje në deklaratën interpretative të MPJ të Shqipërisë, të bërë pas dhënies së votës shqiptare, mund të gjesh xhevahire apo idiotësira të tilla si “suksesi i Serbisë është suksesi ynë”.

Në fakt, bashkë me këto dyshime për përkrahjen shqiptare të kryesimit serb të OSBE, vjen edhe një dyshim dhe më i vjetër lidhur me arsyet përse qeveria e Tiranës hoqi dorë nga kandidimi për ta marrë Shqipëria kryesimin e radhës të OSBE. Sepse në ministerialin e 15-të të Këshillit të Ministrave të OSBE në nëntor të vitit 2007 në Madrid, ministri i Jashtëm i kohës, Lulzim Basha, paraqiti me pompozitet në fjalimin e tij plenar kërkesën zyrtare, që Shqipëria të kryesonte OSBE për vitin 2012. Dhe nuk u dha kurrë shpjegim për ç’arsye u bë kjo tërheqje dhe kujt i hapi rrugë tërheqja shqiptare.

Diplomacia e Shqipërisë e dha në vitin 2012 konsensusin e saj për kryesinë serbe të OSBE, pa marrë në konsideratë as marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën dhe as marrëdhëniet e Serbisë me Shqipërinë. Shqipëria nuk fitoi asgjë, kur dha konsensusin e saj në vitin 2012, sepse nuk kërkoi asgjë. Shenjat janë se nuk pritet të fitojë gjë nga presidenca serbe e OSBE as gjatë vitit 2015.

Ndaj, gjatë gjithë vitit 2015, kur diplomacia e Shqipërisë do të përplaset me pengesat apo me veprimtaritë negative apo rrethuese të Serbisë lidhur me çështjen e Kosovës apo me interesat e Shqipërisë, do të na duhet të bëjmë vazhdimisht pyetjen se kush dhe përse ia dha falas pëlqimin Serbisë për kryesimin e OSBE”.

* Shkruar në dhjetor 2014. Ribotuar dje në faqen e autorit në Facebook.

SHKARKO APP