Përse u prish Koço Kokëdhima me Edi Ramën?
Nga Blendi Fevziu/Nuk i jepte dot shpjegim te sakte askush, por e dinin të gjithë! Edi Rama dhe Koço Kokëdhima ishin miq. Ishin aq miq, sa forumet informale të Tiranës dhe grupimet politike nuk depërtonin dot deri në thelbin e saj. Nuk dinin të thoshin se ku ishin lidhur dhe çfarë i mbante bashkë. Të patjetërsuar nga vitet, të pa cënuar nga thashethemet dhe xhelozia, të padepërtueshëm nga intrigat e vogla të kryeqytetit. Nuk ishte një aleancë ideologjike. Asnjëri nga të dy nuk ka ndonjë bindje të ngulitur kaq thellë. Nuk ishte aleancë narcizistësh që të dy e kanë me pash dhe e demostrojnë çdo ditë. Vështirë që të thuash se ishte aleancë parash edhe pse ka pasur shumë komente për këtë. Ish kryetari i PS Nano dhe më pas Berisha e shpjegonin me teori frojdiste. Qëndruan bashkë për vite më rradhë, thuajse dy dekada. Por nuk janë më! Me gjasë as nuk do të pleqërojnë bashkë buzë detit në Qeparo, siç kish premtuar Rama gjatë një prej vizitave atje. Madje më kaq se kaq. Kokëdhima ka qenë aktiv ditët e fundit në raportin me Metën dhe vendimet e tij.
Duket pa sens të merresh me një miqësi të prishur sepse politika shqiptare është e mbushur plot me to, por kjo nuk është thjeshtë një miqësi. Eshtë një model se si lidhet pushteti politik me atë ekonomik dhe se si e majta ka ndërtuar strukturën e saj në pushtet.
Po cili ka qenë raporti në vite dhe ç‘ka ndodhur sot me ata? Përse është prishur Edi Rama me Koço Kokëdhimën, ose më mirë të thuash Koço Kokëdhima me Edi Ramën?
Miqësia Rama – Kokëdhima nisi të bjerë në sy të publikut thuajse 18 vjet më parë. Atë vit që Rama u kthye nga Parisi në Tiranë i ftuar nga Nano për të drejtuar Ministrinë e Kulturës dhe Koço Kokëdhima u zhvendos po në Tiranë nga Fieri, ku nisi edhe publikimin e gazetës Shekulli. Shekulli u bë për 15 vjet rresht, në çdo kohë dhe çdo rrethanë, një mbështetëse e fortë e Edi Ramës në politikë, ndërkohë që Rama shihej si një lloj mentori i Kokëdhimës në bizneset e tij. Raporti i tyre ishte shumë miqësor, shumë i afërt dhe si i tillë u shigjetua jo pak si brenda PS ashtu edhe nga PD. Ky raport mbeti i pandryshuar edhe pse Rama u duk se mori jo pak kosto politike prej tij, ndërsa Kokëdhima pati edhe ai pasojat e tij në biznes. Edhe pse nuk thuhet dot se cili ka pasur më shumë përfitime nga kjo miqësi, një gjë është e qartë, raporti i tyre ishte aq i fortë, sa Kokëdhima e quante Ramën investimi i tij, ndërsa Rama Kokëdhimën një model të biznesmenit trim. Një mik i përbashkët, i konfliktuar me të dy, e shpjegonte varësinë e Ramës ndaj Kokëdhimës i një lloj trimërimi që i jepte ky i fundit dhe që Ramës i mungonte. Për shumë vite Kokëdhima shihej si një lloj eminence gri e Ramës. Deri në atë pikë, sa ai ishte negociator i rëndësishëm me Ilir Metën në 2012 – 2013 dhe po ashtu negociator me disa forca politike, përfshi aleancën Kuq e Zi. Kur mendohej se Kokëdhima do vijonte të mbetej eminencë, ai vendosi të dalë në skenë. Ose Rama, siç deklaronte vetë, e ftoi të ishte vetë protagonist. Kokëdhima u zgjodh kandidat për deputet në Vlorë dhe mori një rol lidershipi në gjithë zonën e Jugut. Duke hyrë në konflikt me jo pak vetë brenda PS. Ai vijoi të ishte një mbështetës i Ramës dhe ky i fundit e suportonte Kokëdhimën me gjithë kontestimet e brendshme në parti. Vijoi kështu deri pak javë më parë. Deri atëherë kur thashethemnaja për një prishje mes tyre mori formë në një frekuentim të përditshëm mes Metës e Kokëdhimës dhe në një platformë për të rrëzuar kreun e PS. Kokëdhima thuhet se po luan një rol intensiv në goditjen ndaj Ramës dhe për këtë ka një shkak. Si edhe në rastin e miqësisë së tyre, shkaku nuk është i thjeshtë të gjendet, por informacione ka. Sipas burimeve të opinion.al, Kokëdhima është ndjerë i braktisur në rastin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i hoqi atij mandatin e deputetit. Ai besonte se Rama mund të influenconte, së paku në njërin prej gjyqtarëve, por nuk e ka bërë. Nuk ka dashur apo nuk ka mundur kjo nuk dihet, por protagonistë të tjerë nga PS kanë influencuar në lënien e Kokëdhimës jashtë Parlamentit. Duke e menduar këtë si një lojë të Ramës për të shpëtuar prej tij, Kokëdhima është ndjerë i lënduar dhe është hedhur në sulm. Ai është sot ndër njerëzit më aktivë në sabotimin e grupit të PS dhe në dështimin e reformës në drejtësi. Një sovranist par ekselencë, personazh që beson se të huajët vetëm e dëmtojnë këtë vend, nostalgjik i modës kur të huajve ju tregohej vendi dhe mbi të gjitha i gatshëm të’i shkojë betejës deri në fund, Kokëdhima po bën gjithnjë e më tepër deputetë rreth tij. Deri tani numërohen së paku 2 të tillë. Nuk është aspak çudi që Kokëdhima të ketë ambicie edhe më të mëdha.
Nuk dihet reagimi i Ramës, edhe pse, në fillim të javës, ata janë takuar sërish bashkë. Vështirë që Rama të jetë përfshirë në lënien e Kokëdhimës jashtë parlamentit, por vetë Kokëdhima e beson këtë. Nuk është çudi që ai të ndihet jashtë listës në zgjedhjet e ardhshme dhe për këtë sërish bën përgjegjës Ramën. Por ndërsa Kokedhima e shpreh kudo pakënaqësinë e tij, Rama thuajse nuk flet për këtë. I vetmi gjest është pakënaqësia e shprehur ndaj LSI për raportet e saj aktuale me Kokëdhimën.
Nuk dihet se si do shkojë më tej fati i tyre, por prishja e raportit Rama – Kokëdhima është shembulli më tipik i aleancave pa bosht ideologjik dhe pa asnjë konkurencë të brendshme dhe të ndershme në parti. Eshtë shembulli tipik i një çiftëzimi që askush nuk ja gjeti dot sekretin dhe po ashtu, asnjëherë nuk do të dijë t’i japë një përgjigje të saktë se përse u prish. Opinion.al