Përtej perdes së privatësisë, për ca vota më shumë…
Nga Evis Nasto
Të përfshira ose jo në politikë, gratë janë një pjesë e rëndësishme e jetës private të liderëve që ndriçohen nga prozhektorët e opinionit publik, veçanërisht gjatë fushatës. Studiuesit e Shkencave Politike në Universitetin e Harvardit tregojnë se jeta private e liderëve është një faktor kyç që përcakton mbështetjen në shoqëri, megjithëse jo gjithnjë ndodhitë personale ndikojnë në aktivitetin politik. Të gjithë kujtojnë rënien e popullaritetit me të njëjtën shpejtësi që ecte çdo mëngjes me motoçikletën e tij, ish presidenti francez Francois Hollande kur shkonte për të takuar aktoren Julie Gayet me të cilën kishte një lidhje jashtëmartësore. Publiku e dënoi njësoj sikurse paraardhësin e tij Sarkozy për lidhjen me Carla Bruni, derisa kjo e fundit u martua me të dhe patën edhe një fëmijë. Vetëm në këtë moment, popullariteti i Sakorzy nisi të rritej.
Megjithëse jetojmë në kohën kur flitet për lirinë e orientimit seksual, martesat gay, birësimin e fëmijëve prej tyre, marrëdhëniet e hapura në çift, të drejtën për për të bashkëjetuar dhe jo për t’u martuar, për të besuar në dashurinë e përjetshme ose jo, kur vjen fjala për figura publike që kërkojnë të zgjidhen si përfaqësuesit tanë, ndjeshmëria ndaj tradicionales dhe konservatores ngre krye. Falja që Hillary Clinton i bëri tradhëtisë publike të të shoqit ishte thelbësore për fitoren e dytë të mandatit të ish-presidentit Bill Clinton. Një burrë i penduar përpara bashkëshortes që merr një mundësi të dytë për të rifituar familjen që kishte humbur, tingëlloi shumë herë më i besueshëm për 49.2 % të amerikanëve që e zgjodhëm atë, kundrejt rivali të tij republikan Bob Dole. (Michael Nelson, Rhodes College, Political Science) Janë pikërisht këto raste që evidentojnë fuqinë që ka një portret familjar i kryetarit të një force politike apo e një kandidati për një post publik për t’i çuar ata drejt fitores. Ndaj jo pa arsye, kur na duhen edhe 6 ditë nga zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, ekranet e mediave shqiptare u pushtuan nga portrete me ngjyra të ngrohta familjare të dy kandidatëve për kryeministër, z. Edi Rama që aspiron për thyer tabunë e mandatit të tretë, dhe z. Lulzim Basha që synon të sjellë ndryshimin e drejtimit politik të vendit.
I shpenguar dhe i qetë në rrëfimin e tij, z.Rama tregoi përpara shqiptarëve copëza nga jeta private, duke ndriçuar ato aspekte që me mjeshtërinë e një njohësi të mirë komunikimit publik, plotësojnë imazhin e tij si lider. Shumë fjalë për gjyshën katolike të devotshme, për gjyshin atdhetar, babain si një burim frymëzimi, nënën si një kult ardhurimi, bashkëshorten e dytë si bekim dhe fëmijët si gëzim dhe sadisfaksion. Fare pak fjalë për disfatat, frustimet nga humbjet, raporte të thyera prej një temperamenti shpërthyes, pengjet e mëdha dhe shumëçka tjetër që tashmë ndodhen të zhytura në thellësitë e ujërave të së asaj pjese të së kaluarës që nuk e bën të ndihet fort krenar me veten. Një hipersensitiv me plot pasiguri, i kamufluar pas arrogancës, ndoshta me më shumë pika të dobëta sesa rivali i tij politik, z.Rama dëshmoi dhe njëherë në këtë interviste televizive aftësinë e menaxhimit të natyshëm të vetvetes, duke u shfaqur ashtu sikurse shqiptarët do të donin ta shikonin: Lakuriq, por i fotografuar vetëm në atë pjesë të trupit që ai do të pranonte të nxirrte. Njësoj sikurse jeta e tij private, që është ndriçuar këto 30 vite nga prozhektorët e opinionit publik me ulje e ngritje, plot ekstravagancë dhe antikonformizëm, por që z. Rama kërkon ta rrëfejë bukur, a thua se po flet për të për herë të pare për të.
Rrëfime nga jeta private tentoi të përcillte në të njëjtën ditë, nga një ekran tjetër edhe kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha. Në krah të tij, bashkëshortja e kahhershme, dashuria e vjetër e gjimnazit, që nuk u zhbë nga distancat gjeografike, znj.Aurela Basha. Një grua që ka zgjedhur të mos jetë publike për vlerat dhe aftësitë profesionale që mbart, por të mbështesë sa herë që e do nevoja bashkëshortin e saj, sikurse ndodhi dhe në këtë intervistë të përbashkët televizive. Të kujdesshëm përpara kamerave, edhe pse ishin aty për të zbuluar pjesë nga jeta e tyre private, çifti Basha nuk ia doli të ishte aq i natyrshëm në rrëfimin e përbashkët të njohjes së tyre. Duke kërkuar njëri-tjetrin me sy në çdo përgjigjie që jepnin, çifti Basha përcolli ndjesinë e një vetë-kontrolli, pikërisht atë që rivali i tij e shet i vetëm për natyrshmëri. Në këtë qasje të kandidatit për kryeministër, z. Basha zbuloi pasionin e tij për muzikën në diskoteka, raportin me nënën si mësuese në të njëjtën shkollë ku ai mësonte, sfidat e një jetese studentore jashtë vendit, mendësinë e një djali serioz që zgjedh të ruaj traditën e kërkimit të dorës për martesë bashkëshortes së tij aktuale, si dhe qëndrueshmërinë e ruajtjes së një marrëdhënie dashurore në distancë. Pak fjalë për kompromiset që i është dashur të bëj për të mbijetuar, për zhgënjimet që përjeton çdo i ri kur vjen nga jashtë me aspirata dhe detyrohet të përshtatet me një realitet krejt tjetër, për vulnerabilitetin që burojnë nga një temperament dukshëm i lëkundur në vendimmarrje kritike. Z.Basha u shfaq në këtë kuadër fotografik ashtu sikurse është prezantuar ngahera përpara shqiptaëve: me kostumin konvencional që ka zgjedhur të mbaj që ditën kur hyri në politikë 16 vite më parë.
Me këto dy fotografi në dorë, shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit këtë të dielë, sërish pa një përballje të vërtetë alternativash, pa një debat publik ku shpalosen platformat elektorale të dy kandidatëve për kryeministër. Në 25 Prill shqiptarëve u është qëllimisht të votojnë mbi përshtypje personale të krijuara nga diktati i Marketingut Politik, njësoj sikurse ftohen të shkojnë në qendrat tregtare për të blerë në një ditë me skonto të mëdha, jo produktin më cilësor, por atë që shitet më lirë. Megjithëse nuk duhet harruar se në rastin e zgjedhjeve, shit-blerja është e ndërsjellë, sepse ditën që blejmë një ofertë të lirë politike, duke e gjykuar vetëm nga ngjyrat e amballazhit, kemi shitur edhe të drejtën tonë për t’u ankuar në 4 vitet e ardhshme!