Përtej politikës, tregti dhe shkëmbime me Serbinë
Kundrejt zhvillimeve politike shpeshherë të tensionuara, ato me karakter tregtar mes Shqipërisë dhe Serbisë tregojnë se kur bie fjala për ekonominë si të tillë, paktet duket se janë më të lehta
Nga Eglantina Nasi
“Kujtojmë se vdesim për atdheun, por vdesim për bankat …”.
Këtë shprehje nuk di pse e gjej me vend, teksa rend të shkruaj diçka për atë që na lidh vërtet me Serbinë në aspektin tregtar. Pikërisht në këtë ditë, kur e gjithë aureola e botës së lajmeve në vend është mbështjellë nga tymnaja e vizitës së kryeministrit serb në Shqipëri. E para e tillë në fakt, përgjatë gjithë këtyre dekadave, të cilat janë shoqëruar jo pak herë me tensione politike mes dy palëve. Por që çuditërisht, duket se nuk kanë reflektuar në shkëmbimet tregtare ndërmjet. E që flasin kësisoj për një të vërtetë të madhe, thuajse përherë të mirëqenë. Atë se ekonomia, arrin të kalojë edhe përtej politikës. T’i ngrejë trarët e “doganave” që përcaktojnë shpesh kufijtë e saj, e në këtë mënyrë, të kthehet ndoshta në të vetmin motiv të sinqertë përse dy vendeve iu duhet të bashkëpunojnë. Qoftë edhe kur ata ndajnë pikëpamje, territore apo edhe përvoja tërësisht të ndryshme e në kundërvënie me njëri-tjetrin. Eshtë pikërisht Ekonomia dhe paratë që gëlojnë në sirtaret e saj, ajo që i vë në lëvizje edhe raportet më të vështira mes vendeve të ndryshëm, për të qenë pse jo, kësisoj, edhe një transmetuese, ose të paktën në tentativë, e paqes dhe e bonsensit në marrëdhëniet mes tyre. Për të vërtetuar pse jo, edhe thënien në hyrje të këtij shkrimi se ndoshta më shumë se patriotizmi si i tillë, shpesh është diçka më e thellë se kaq, që të arrijmë të bashkëpunojmë edhe me ata që deri dje i kemi cilësuar si armiq: Paratë. Le të jemi të sinqertë. Këto të fundit, siç u pëlqejnë individëve, u pëlqejnë edhe shteteve, e madje edhe kontinenteve të tëra. Duke krijuar kështu, edhe pas vitesh e dekadash luftrash e përgjakjesh, ura të vërteta lidhjesh, të cilat edhe pse jo fort të pranueshme nga aspekti sensitiv i secilit popull, arrijnë të mbahen në këmbë pikërisht falë ekonomisë që ato arrijnë të ngrejnë. Sepse ekonomia në fund të fundit, gjeneron më tej mirëqenie e progres. Dhe derisa ky është produkti i saj, shumë produkte negativiste që politika i ka prodhuar ndër kohë, arrijnë të fashiten. Dalëngadalë ….
***
Një rast shumë i mirë për të vërtetuar teorinë e lartpërmendur, është pse jo, edhe ai i bashkëpunimit ekonomik që vendi ynë gëzon aktualisht me Serbinë. I cili edhe pse në një nivel jo fort të kënaqshëm në aspektin statistikor, meriton vlerëson pikërisht për atë të trendit të ecurisë progresive të tij. Konkretisht, ky bashkëpunim rezulton se ka ardhur gjithmonë e në rritje gjatë viteve të fundit, duke folur qartë për një bindje të qartë të krijuar mes bizneseve të dy vendeve se përtej politikës së sertë që prodhojnë mes tyre selitë e Beogradit apo Tiranës zyrtare, ato duhet që në fund të fundit të prodhojnë para’ e këto mund të sigurohen vetëm përmes shtimit të shkëmbimeve tregtare. Ai që fiton në fund, është gjithmonë malli i mirë që sfidon tregjet e secilit, e paskëtaj, edhe një klient i kënaqur. I cili në fakt, duket se nuk e ka fort mendjen nëse është duke blerë një salcë domate të ambalazhuar në Lushnjë, apo në Beograd; një bojë flokësh që shpjegimin e përdorimit e ka në serbisht, apo në gjermanisht etj.
***
Nëse u referohemi të dhënave statistikore konkrete, rezulton se Shqipëria ka realizuar 3.5% të gjithë volumit tregtar me Serbinë për 3-mujorin e parë të këtij viti dhe sipas tyre, bizneset serbe kanë arritur të gjejnë rrugën për të çarë në tregun shqiptar. Gjithashtu, për të njëjtin 3-mujor rezulton se totali i importeve nga Serbia drejt Shqipërisë ishte rreth 5.5 miliardë lekë (gati 40 milionë dollarë), me një rritje prej 16% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ku grupi më i importuar është pikërisht ai “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, që zë 51% të totalit. Ndërsa grupi i dytë i produkteve që vijnë nga Serbia në Shqipëri janë “Ushqimet, pijet dhe duhan”, me 27% të totalit, ku peshën kryesore e zë gruri. Më pas renditen lëndët kimike dhe plastike, me 9.2% të totalit. Nga ana tjetër, shumë më pak rezultojnë që të jenë eksportet shqiptare drejt Serbisë, vetëm 650 milionë lekë për tre muajt e parë 2015, ose rreth 4.7 milionë euro. Kështu, pavarësisht rritjes me 3.5 herë që kanë shënuar në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, eksportet drejt Serbisë mbeten shumë të ulëta në raport me importet. Dhe duke vijuar gjithmonë sipas INSTAT-it, grupi më i eksportuar janë “minerale, lëndë djegëse, energji”, me 76% të totalit, ku peshën kryesore e zë energjia dhe mineralet, ndërsa nafta nuk shitet në tregun serb. Ashtu si dhe me importet “ushqimet, pijet dhe duhani” renditen të dytët, por në vlera shumë më të ulëta se produktet që blejmë nga shteti serb. Vitet e fundit ka pasur përpjekje për të eksportua tekstile dhe sidomos këpucë, por eksportuesit vendas kanë arritur të realizojnë një qarkullim prej vetëm 200 mijë eurosh në tregun serb.
Serbia po na “merr” edhe investitorët?!
Ndërkohë Serbia ka qenë vitet e fundit shumë konkurrente në tërheqjen e investimeve të huaja, sidomos nga Italia. Benetton, Ferrero Rocher, Geox janë disa raste, ku investitorët italianë, pasi kanë studiuar të dyja tregjet kanë zgjedhur Serbinë për të investuar. Aktualisht, Serbia është më agresivja në rajon për lehtësirat ndaj investitorëve. Dy janë pikat e saj më të forta: Përjashtimi nga tatim-fitimi për tre vitet e para të aktivitetit dhe subvencionimi me 1500 euro për çdo punonjës të punësuar. Gjithashtu, toka për investimin ofrohet falas. Serbia ofron edhe një avantazh tjetër, pasi ka shumë marrëveshje dypalëshe për tregti pa dogana, sidomos me ish-republikat sovjetike, duke i nxitur disa subjekte, që synojnë tregjet e ish Bashkimit Sovjektik të hapin biznese në Serbi, me synim shmangien e taksave të dyfishta, që duhet të paguajnë tek ne.
QËNDRIMI
Kreu i Dhomës Ekonomike të Serbisë: Na intereson Shqipëria
Nëse lihet anash politika dhe shihet nga prizmi i biznesit, Shqipëria është një vend me potenciale shumë të mëdha ekonomike dhe bizneset janë të interesuara për një treg më të madh.Këtë e ka konfirmuar Marko Çadezh, kryetar i Dhomës Ekonomike të Serbisë, në një intervistë për mediat shqiptare, duke theksuar se shkëmbimet ekonomike ende janë të vogla, por në rritje çdo vit. “Marrëdhëniet, – thotë ai, – janë të rëndësishme jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përgatitjen për të ardhmen. “Vizita e kryeministrit serb tek kryeministri shqiptar, që shumë e quajnë historike, është e rëndësishme të çojë këtë lloj porosie, që të mos prodhojmë vazhdimisht të kaluarën, por të shohim çfarë mund të prodhojmë bashkë në të ardhmen dhe në të dyja vendet të krijojmë kushte për vende të reja pune dhe për investime. Fundja, të përgatisim kompanitë tona për diçka që i pret dhe kjo është futja në një treg prej 500 milionë njerëzish”, deklaron gjithashtu Çadezh. Ai thotë edhe se probleme s’kanë as me Kosovën, pasi ekziston një bashkëpunim shumë i mirë dhe është çuar mesazhi i gatishmërisë. Ai thekson se, bizneset janë të parët që vërejnë nevojën e komunikimit. “Para pak kohësh kemi organizuar një forum të bizneseve me Dhomën e Tregtisë së Kosovës, ku kemi çuar në Prishtinë 30 biznesmenët më të rëndësishëm serbë dhe kemi biseduar për shumë gjëra konkrete. Biznesmenët kanë çuar mesazhin se kjo është e rëndësishme. Ekonomia gri nuk i leverdis askujt, kjo nënkupton vetëm më pak para në shkolla, rrugë e spitale”, vlerëson Çadezh. Përveç turizmit dhe energjetikës, Dhoma Ekonomike e Serbisë e sheh potencialin në projektet e ndërtimit, por edhe në kërkimin e tregut. Në shtator do të organizohen forume ekonomike në Tiranë e Beograd. Shkëmbimet e vitit të kaluar janë të vogla me 95,8 milionë euro eksport nga Serbia dhe 13,6 milionë euro eksport nga Shqipëria në Serbi, por rritja e eksportit nga Shqipëria është +52.9 për qind. Serbia është edhe një lloj qendre Ballkanike e bizneseve të huaja që funksionojnë në Evropën Juglindore.
KOHA JONË SONDAZH

