Pesë arsye pse grekët kishin të drejtë

 

 Nga  John T. Harvey

Të dielën, grekët e hodhën poshtë në shumicë planin e shpëtimit të ofruar nga kredidhënësit e tyre. Më pas, shumë vëzhgues i kanë quajtur grekët dembelë, mosmirënjohës dhe të paaftë për të pranuar pasojat e jetesës së tyre prej “xhepshpuarish”.

Por grekët kishin të drejtë që thanë JO. Ajo që huadhënësit po u impononin është e padrejtë dhe në fund, shkatërrimtare për të gjithë BE- në. Problemet e vërtetë janë pjesë e vetë sistemit të Euros, dhe trajtimi i Greqisë si një adoleshent i papërgjegjshëm, që duhet sharë nga prindërit, është njëkohësisht një diagnostikim i keq dhe një garanci për vazhdimin e problemeve.

Mendoni pak pikat e mëposhtme:

1.Kursimi nuk është zgjidhje për asnjë problem ekonomik: Ajo që duan kredidhënësit, bankierët e BE dhe politikëbërësit është një vazhdimësi e programeve të kursimit, që e kanë çuar papunësinë në 25%. Greqia tha jo, dhe me të drejtë – po cili problem ekonomik zgjidhet duke i lënë njerëzit pa punë? Nëse ju do të ishit zhytur thellë në borxhe, dhe banka do t’ju telefononte për të diskutuar opsionet e mundshëm, a mund të imagjinoni që, ata të bankës t’ju rekomandojnë të lini punën? Ndërkohë që kredidhënësit e Greqisë po thonë ekzaktësisht këtë gjë: “Ju na keni borxh një sasi të madhe parash dhe kjo mund të zgjidhet, vetëm nëse ju rrisni numrin e qytetarëve që nuk kontribuojnë hiç fare, absolutisht hiç fare, në prodhimin e mallrave dhe shërbimeve”.

Nuk ka një logjikë të mençur ekonomike në themel të strategjisë së shtrëngimit dhe kursimit, është në çdo aspekt, po aq e marrë sa edhe tingëllon.

2.Programet sociale në Greqi janë më pak bujarë se sa ata në Francë dhe në Gjermani: Eshtë thënë shumë për dështimet personale të popullit grek. Janë quajtur dembelë, të korruptuar… Në qendër të kësaj teze është pretendimi se programet sociale në Greqi kanë qenë shumë, shumë bujarë. Grekët, argumentojnë, do të preferonin më shumë të rrinin shtrirë dhe të merrnin çeqet e qeverisë, se sa të dilnin nga shtëpia dhe të gjenin një punë.

Por këtu qëndron edhe ironia. Nga viti 2001 (viti i hyrjes së Greqisë në sistemin e Euros), deri në 2007 (fillimi i krizës financiare globale), Greqia i ka akorduar programeve sociale afro 20.6% të GDP-së së saj, ndërkohë që pjesa që programet sociale zunë në GDP-në e Gjermanisë dhe Francës ishte, respektivisht, 26.7% dhe 28.7%. Eshtë një dallim domethënës, dhe që shkon në një drejtim, i cili nuk mbështet hipotezën e grekëve dembelë.

3.Produktiviteti i punës në Greqi është rritur më shpejt se sa në Gjermani: Në fakt, jo vetëm që Greqia shpenzon krahasimisht më pak në programet sociale, por produktiviteti i punëtorëve grekë u rrit më shpejt se sa ai i gjermanëve. Megjithatë, ndërkohë që në Greqi rritja e produktivitetit iu kalua punëtorëve në formën e pagave më të larta, nuk ndodhi kështu në Gjermani, ku politikat e reja më elastike të tregut të punës u miratuan në vitin 2002. Domethënia e presionit mbi pagat në gjermani ishte se, rritja e standartit të jetesës tek grekët – një prej arsyeve përse iu bashkuan euros që në krye të herës – bëri që një defiçit tregtar modest i grekëve të rritej në mënyrë të qëndrueshme gjatë krizës, ndërkohë që në Gjermani, kostot e punës u mbajtën të parritura. Gjë e cila na çon tek pika 4…

4.Kriza greke është funksion i defiçitit tregtar të tyre, jo i shpenzimeve sociale nga ana e qeverisë: Me qëllim që të rrokësh natyrën e vërtetë të krizës, është e rëndësishme të kuptosh se ajo që ka ndodhur është një funksion i defiçiteve tregtarë të Greqisë, jo i defiçiteve buxhetorë të qeverisë. Nëse Greqia blen më shumë mallra dhe shërbime nga Gjermania dhe gjermanët blejnë nga Greqia, ata duhet ta financojnë këtë përmes shitjes së aseteve financiarë dhe/ose huamarrjes. Kjo gjë krijon një borxh të jashtëm. E anasjellta, nëse ata u shesin më shumë gjermanëve, nga sa blejnë gjermanët, atëherë gjermanët duhet të shesin asete financiarë ose të marrin hua nga Greqia. Kjo gjë është e vërtetë, pavarësisht nga bilanci buxhetor i qeverisë. Këqyrni tabelën më poshtë.

Kjo na çon direkt në pikën e fundit.

5.Kriza greke është një funksion i mënyrës se si është e organizuar eurozona: Problemi që ndesh Europa është një problem sistemik. Ata që përpiqen ta kuptojnë, si një pasqyrim të karakteristikave individuale kombëtare nuk do të arrijnë të kuptojnë asgjë, dhe politikat që burojnë nga një analizë e tillë do të jenë, nga të padobishme, deri në shkatërrimtare (ku rekomandimet më të fundit anojnë nga e dyta). Thënë thjeshtë, problemi thelbësor është se sistemi e ndëshkon suksesin. Dhe kjo ndodh për shkak të tre faktorëve që kanë lidhje mes tyre:

– Importet janë shumë reagues ndaj ndryshimeve në të ardhurat kombëtare. Kur ekonomitë rriten, po kështu ndodh edhe me importet e tyre; kur ato kontraktohen, importet bien me shpejtësi. Merrni shembullin e impaktit që pati kriza financiare në SHBA, mbi blerjet e mallrave dhe shërbimeve të huaj. Këto ranë nga 838 miliardë dollarë në tremujorin e tretë të vitit 2008, në 579 miliardë dollarë në tremujorin e dytë të vitit 2009. Eshtë një rënie e fortë, në një periudhë shumë të shkurtër kohe, dhe ekonomitë kanë përjetuar efekte të ngjashëm edhe në drejtimin e kundërt (domethënë rritje të madhe të importeve gjatë ekspansioneve).

Defiçitet tregtarë duhet të financohen përmes shitjes së aseteve financiare dhe/ose huamarrjes. Ky borxh mund të shlyhet vetëm përmes procesit të kundërt, domethënë tepricave tregtare që gjenerojnë kredi.

Sistemit të euros i mungon një mekanizëm për të reduktuar automatikisht defiçitet tregtarë. Nëse çdo shtet do të kishte monedhën e tij, atëherë defiçiti tregtar do të krijonte trysni, të cilat do të kishin prirjen të shkaktonin një zhvlerësim të monedhës, duke i bërë më tërheqëse mallrat dhe shërbimet. Kështu, në rastin e Greqisë, po të kishin patur dhrahminë dhe jo Euron, defiçitet tregtarë me Gjermaninë do të kishin çuar në një zhvlerësim të dhrahmisë, një rënie të defiçitit tregtar, dhe një ngadalësim në akumuimin e borxheve të huaj. Por nuk funksionon kështu. Të gjithë kanë të njëjtën monedhë, dhe kështu defiçitet tregtarë, teorikisht, mund të vazhdojnë përgjithmonë (sigurisht shumë më gjatë, nga sa do të vazhdonin nëse gjithësecili do të kish patur monedhën e tij).

Të tre këta elementë të marrë së bashku, krijojnë një tendencë vetëshkatërruese:

Rritje Ekonomike e Lartë – Rritje dhe qëndrueshmëri e defiçiteve tregtarë – Spirale e borxhit

Kjo është saktësisht ajo çfarë ndodhi në Greqi – grekët u rritën shumë më shpejt se sa Gjermania dhe u ndëshkuan për suksesin e tyre. Që nga hyrja e tyre në Euro deri në vitin 2008, rritja reale e GDP-së në Greqi ishte mesatarisht 3.6%. Ndërkohë, në Gjermani ishte një 1.3%-ësh anemik – pothuajse tre herë më e ulët se Greqia! Jo për t’u habitur dhe në një linjë me faktorin e parë të përmendur më sipër, importet grekë u rritën më shpejtë se ata gjermanë. Kjo donte të thoshte që Greqia u gjend duke akumuluar borxhin, që më pas solli krizën. Përse, sepse ishin dembelë, dhe sepse jetonin me pensione të bollshëm, si dhe kompensime për papunësinë? Jo, sepse që nga hyrja e tyre në Eurozonë, ata kanë qenë më të suksesshëm se sa Gjermania në zgjerimin e ekonomisë së tyre, dhe të ardhurat nga produktiviteti i tyre, ndryshe nga sa ndodhi në Gjermani, iu kaluan punëtorëve.

Konkluzione

Ironikisht, në një sistem të tillë, shtrëngimi dhe kursimi kanë kuptim “si zgjidhje”. Shtrëngimi do i varfërojë grekët, deri në pikën që nuk do të përballojnë më blerjen e mallrave dhe shërbimeve të huaja. Kur të jenë mjaftueshëm të varfër, importet e tyre do të bien nën eksportet, dhe kështu do të fillojnë të gjenerojnë tepricat tregtare, të nevojshme për të shlyer borxhin. Por, prandaj ky është një sistem i keq! Një Greqi e varfëruar nuk është e mirë as për vete, as për partnerët e saj tregtarë, dhe kjo tregon sa i keq është sistemi. Ai i bën shtetet të priren drejt adoptimit të politikave që shkaktojnë kontraktim ekonomik. Eshtë shumë e vështirë të arrish nivele të ulët papunësie, pa u mbështetur në stimuj për të rritur kërkesën e ulët. Ajo që ka nevojë Europa nuk është një shtrëngim i mëtejshëm i rripit nga ana e grekëve, por një mënyrë për të adresuar çekuilibrat tregtarë, që nuk e shtyjnë një shtet në defiçit, që të ndalë shpenzimet. Në vend të kësaj, kanë nevojë për shtetet me teprica tregtare që të fillojnë të shpenzojnë, një gjë që zhvlerësimi i dhrahmisë do ta kish inkurajuar. Ky nuk është aspak i vetmi mjet me anë të të cilit mund të arrihet kjo gjë, dhe mund të mos jetë më i miri, por është pikënisja logjike për çdo diskutim.

A ka grekë dembelë dhe të korruptuar? Jam i sigurtë që ka, ashtu sikurse ka gjermanë dembelë dhe të korruptuar, zviceranë, francezë, italianë e kështu me radhë. Por nuk është kjo që po ndodh në Greqi sot. Kjo nuk ka të bëjë me njerëz të mirë dhe njerëz të këqinj. Ka të bëjë me një sistem të projektuar keq. Megjithatë, ka një dështim për të cilin grekët duhet të mbahen përgjegjës: faktin që u futën në Euro. Dëshira e tyre për prestigjin që u jepte anëtarësimi në eurozonë, la në hije konsideratat serioze, për atë që do të ishte më e mira për Greqinë. Eshtë shumë vonë për ta ndryshuar këtë, por nuk është shumë vonë për të kufizuar dëmin që është bërë. Le të shpresojmë që sot do të mbizotërojnë mendjet e kthjellëta.

Forbes – Bota.al

SHKARKO APP