Pesë femrat më me ndikim në Shqiperi
Nga Bledi Mane/ Moj e mjera grua, ç’e do burrë zinë…
Poezia rurale e Asdrenit në thelb nuk është e keqe por tjetërsimi i pareteve të saj është i nevojshëm. Modeli i gruas klasike orientale shqiptare evoluoi me shpejtësi skëterrë qysh pas Luftës së II Botërore. Koha thirri në skenë gruan e arsimuar, femrën me dhe pa perçe, partizane, aksioniste, komuniste, të (pa)varur, spiune, arsimtare, mjelse dhe e mjelë… Menjëherë pas ndryshimit të sitemit bolshevik, modele të tjera grash u shfaqën vullnetarisht dhe forcërisht në skenë. Pavarësia dhe cungimi i tepruar formatuan modelet emergjente të femrës politikane, biznesmene, lavire, administratore dhe sipërmarrëse. Shumë gra morrën emër nga burri ose dashnori por edhe shumë kollovarë morën emër nga gruaja apo dashnorja e tyre. Gruaja shqiptare ndryshe nga simotrat e tyre në lindje apo perëndim, zgjodhën dhe ndërtuan një model të veçantë dhe unik. Një e mesme e përpjesshme sorrollatur mes tangave dhe burkave, mes sakrificave të karrierës dhe maskilizmit, mes poshtërimit dhe ringritjes, mes dajakut shembullor dhe marrdhënies seksuale poshtëruese.
Monika Kryemadhi
Pavarësisht goditjes që mori në zgjedhjet lokale të Lezhës, politikania e majtë Kryemadhi mbetet femra me një influencë absolute nga veriu deri poshtë në jug. E kudogjendur dhe zgjidhëse e çdo situate pavarësisht komplikacionit. Fjala e saj në qeveri, drejtësi, rend, financa ka një peshë të rëndë e barazuar me atë të 18 deputetëve burra.
Linda Rama Basha
Pavarësisht profil të ulët dhe daljet e rralla në publik, bashkëshortja e kryeministrit Rama ka një impakt të llahtarshëm në vendimarrjet racionale dhe delikate të burrit të saj. E rafinuar në karrierë sjell me vete eksperienca të shkëlqyera të cilat i nevojiten jo vetëm burrit por edhe qeverisë së burrit.
Vjollca & Lori Hoxha
Vdekja e bashkëshortit Dritan Hoxha,sipërmarrësi i korporatës gjigande Top Channel, u dha zemër shumë skeptikëve të cilët mendonin se perandoria mediatike e të ndjerit do të shuhej bashkë me të. Por koha tregoi një tjetër realitet. Bashkëshortja e tij, Vjollca me forcën dhe vullnetin e hekurt të saj na tregoi se vazhdimësia ishte dhe mbetet prioritet i korporatave të tilla krijuar me dashuri dhe altruizëm. Bashkë me vajzën e madhe Lori, të dyja mbeten femrat shqiptare më me influencë në këtë vend. Pushteti i Top Channel nuk është vetëm mediatik por prej vitesh orientimi oksidental i tij e ka rinuar dhe zbukuruar këtë vend.
Vilma Nushi
Miliarderja sipërmarrëse, e heshtur dhe punëtore, agresive dhe e patjetërsueshme në rrugën e saj nisur 24 vjet më parë, mban gjallë doganat dhe financat shqiptare me taksat dhe tatimet e kompanive të saj si dhe me një numër rekord të punësuarish u ka mbijetuar çdo regjimi politik pervers që instalohet në Tiranë pas 1990ës.
Mimi Kodheli
E para femër ministre e Mbrojtjes në historinë e shtetit modern shqiptar. Ish zv.kryetarja e bashkisë së Tiranës me një influencë të konsiderueshme në vendimarrjet e qeverisë Rama, ka treguar me punën e saj se femra mund t’ia dalë pavarësisht sirkumstancave maskiliste të tepruara në këtë vend. Shkodraniapërmetare Kodheli admirohet për fuqinë dhe egoizmin e saj altruist në parlament dhe qeveri.