Peticionet intelektuale si kofini pa të vjela

…për shumë raste të këtilla intelektualët heshtin. Nuk bëzajnë, kur një farë burri i hedh trutë në erë gruas së vet dhe ne zbulojmë që kishte vrarë dhe një grua tjetër 17 vjet më parë. Intelektualët edhe në këtë rast e kyçin, sepse një peticion i këtillë për ta nuk ka kuptim, pasi nuk i shkon pas shtatit konjukturës, ndoshta i bie ndesh…

Nga Enkel Demi

 Zonjat intelektuale nënshkruan një peticion, të cilin e kanë quajtur “Kundër misogjinisë që vret”. I qëmtova emrat me kujdes dhe një pjesë e këtyre zonjave i çmoj për formimin, integritetin dhe aktivitetin që kryejnë. Por, ky zakoni që nënshkruajmë peticione që i shkojnë pas fijes një konjukture të caktuar politike, është i shpifur. I këtillë ishte dhe ajo fushata si flakë kashte për peticionin e vetting-ut, triumfi i vetëm i të cilit ishte qyfyrja e Ylli Rakipit.

Gjatë këtyre 27 vjetëve pluralizëm njohim kaq shumë peticione, sa edhe ky aksion është zhvlerësuar si shumë të tjerë në jetën shqiptare. Është e rëndomtë tani që pas një telefoni nga lart, ia nisim këngës së një peticioni. E bënte shpesh Berisha, kur ishte në pushtet, e bëjnë njësoj këta që e kanë pasuar atë. Ky farë rituali që zëri intelektual i bashkohet konjukturës krijon vetëm efektin boomerang. Fjala vjen, zonja Vlahutin u sulmua kafshërisht nga një i lojtur nga trutë e kokës. Pati reagime të ashpra në mbrojtje të zonjës, diskretituese për të marrin. Ka një kulm në këto reagime si është letra e përunjur e shkrimtarit Ismail Kadare. Me kaq mbyllet historia. Të çmendurin nuk mund ta linçojmë më shumë, por duhet t’i gjejmë mjek që ta kurojmë. Zonjës së dëmtuar i shprehëm si kurrë më parë pendesën. Çdo veprim tjetër është teatral dhe e kthehen gjithë ngjarjen në qesharake. Ky zelli intelektual për të kaluar masën jep të njëjtin efekt, të cilin në fizikë e njohim si rrjedhja e diodës.

Shumë shpejt kalojmë në grotesk si puna e zonjës ministre Milena Harito që shpalli: “Je suis Romana Vlahutin!”. E boll, tani! Falë Zotit, zonja ambasadore është si kokrra e mollës dhe nuk e rrezikon kush. Ka një tabor me roje dhe shumë mirë që i ka. Është padyshim njeri që pas këtij sulmi gëzon shumë më tepër respekt në njerëz, sepse kështu ndodh rëndom, kur viktimizohesh. Ka marrë një letër nga Kadare që nuk e ka marrë asnjë grua në jetën e këtij njeriu të mirënjohur. Atëherë, përse “Je suis Romana!”? Zonja Harito si frankofone e di shumë mirë që kjo parrullë u përdor në kontekstin e një tragjedie njerëzore si në rastin e vrasjeve të tmerrshme të revistës “Charlie Hebdo” apo të therrtores së pashpirt në Siri. Ku është lidhja me ngjarjen e Vlahutin? Ndoshta nuk jam aq i latuar, por unë vetë nuk gjej gjë në këtë mes.

Edhe peticioni që përmenda në krye të këtij shkrimi është i panevojshëm, përveç listës së njerëzve që e kanë firmosur, të cilët janë individë të shkëlqyer, por të gjithë bashkë duken një turmë qaramanësh që bëjnë moral. Ky peticion do të ishte më i rëndë, më me peshë sikur fjala vjen të nënshkruhej në mbështetje të asaj vajzës së mitur që e ngacmoi seksualisht mësuesi këtu, në Tiranë. Halli i saj është shumë më i madh, sepse është halli i një breznie të tërë që po deformohet nga këta mësimdhënës kriminelë. Në këtë rast dhe për shumë raste të këtilla intelektualët heshtin. Nuk bëzajnë, kur një farë burri i hedh trutë në erë gruas së vet dhe ne zbulojmë që kishte vrarë dhe një grua tjetër 17 vjet më parë. Intelektualët edhe në këtë rast e kyçin, sepse një peticion i këtillë për ta nuk ka kuptim, pasi nuk i shkon pas shtatit konjukturës, ndoshta i bie ndesh.

Në të gjithë vendet e zhvilluara intelektualët janë pararoja e mendimit kombëtar. Në Shqipëri, qysh kur erdhën komunistët në pushtet e deri më sot janë praparoja e mendimit, prandaj shpesh ngjajnë si gaztorë oborri. Për shembull, ne kemi një intelektual si kryeministër, i cili në takimet me popullin shkon me tuta sporti që i varen nga pas. Kjo tregon sa respekt ka ai për njerëzinë dhe sa e çmon popullin e tij. Po kështu, kjo sjellje po krijon pak a shumë një kategori të mirëfilltë mendimi, ndaj një zonjë ministre, e cila ka gjasë të ketë qenë shumë e zënë me mësuesit pedofilë, u shfaq me tuta sporti si kryetari. Tani pres peticionin e radhës në mbështetje të kësaj lëvizje tutike. 27.al

SHKARKO APP