Petrit Sulaj: Kriza që ka përfshirë aviacionin dhe vendin tonë, si dhe mashtrimet e vit pas viti të kryeministrit të vendit dhe znj. Balluku
Nga Petrit Sulaj*
Kriza që ka përfshirë aviacionin dhe vendin tonë, si dhe mashtrimet e vit pas viti të kryeministrit të vendit dhe znj. Balluku.
Kemi thënë shpesh se do të kemi shumë aeroporte. Siç flitet për aereportin e Kukësit, i cili nga aeroport ushtarak për çështje humanitare që u nis, u modifikua me grantin e fondacionit “Abu Zaed” në aeroport civil, por me një pozicion jo të favorshëm gjeografik për aeroport civil, deri te aeroporti Vlorës. Por megjithatë, avioni i parë që Rama thotë se do ta ulë në Kukës, është mashtrim. Kjo sepse aeroportet, nuk janë aerodrome private që mund të ulesh dhe të ngrihesh sa herë të duash ti. Kur flitet për një aeroport ndërkombëtar të Kategorisë C sipas ICAO-s do të thotë që certifikimi i këtij aeroporti, për ulje të avionëve civil, bëhet nga organizma ndërkombëtare, ndërsa Autoriteti Aviacionit Civil përgjegjës për këtë certifikim, jo vetëm që është në mungesë të plotë të stafit profesional që nevojitet për këtë certifikim, por tregon dhe papërgjegjshmëri totale në lidhje me këtë aeroport.
Ndaj, ulja e avionit të parë nga Londra për në Tiranë brenda këtij viti, siç ka deklaruar Kryeministri është një aventurë pirateske e tipit Escobar…. Ka nevojë për shumë investime. Investimet që janë bërë për momentin nuk mjaftojnë që ky aeroport të klasifikohet si operacional. Sigurisht, ky aeroport një ditë do të operojë por do kohën e vet dhe që për vitin e 2021, është një gjë e kotë.
Sigurisht që Shqipëria dhe Shqiptarët kanë nevojë për 2-3 aeroporte, por më i rëndësishmi i të rëndësishmëve është Aeroporti i Tiranës. Përse nuk po zhvillohet sipas kontratës koncesionare ky aeroport? Deri 1 vit përpara duhet të kishte filluar faza e tretë e zgjerimit të terminalit te Rinasit sipas masterplanit të zhvillimit të miratuar me VKM dhe paraqitur nga koncesionari, si konditë e vënë nga qeveria shqiptare, për kalimin e kontratës koncesionare në parlament. Apo mos ndoshta në mendjen e qeverisë është ndonjë PPP korruptive dhe po tentojnë sot ti ulin vlerën duke lejuar amortizimin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar që kemi sot aktualisht dhe që do e kemi për shume vite ne Shqipëri?
Duke ju referuar kontratës koncesionare të aeroportit “Nënë Tereza” Rinas, aeroportet nuk mund te mbahen me taksat e taksapaguesve. Aeroporti i Vlorës që do të jetë nesër, si dhe ai i Kukësit, nuk janë fitimprurës. Ato i mbështesim si nevojë për të zhvilluar zonat dhe turizmin, por është shumë e rëndësishme mënyra e financimit. Jo nga taksat e popullit që Kryeministri t’ja japi ndonjërit me PPP, por të operohen si çdo aeroport tjetër që të mos rëndohen qytetarët.
Aerordomet do ishin sugjerim për kryeministrin dhe zonjën Balluku. Hiqni dorë nga aeroportet e korrupsionit. Kemi studime fizibiliteti të gatshme për aerodrome të brendshme për të zhvilluar transportin e brendshëm ajror dhe rajonal.
Sot që flasim, aeroporti i Tiranës ka personel 360 vetë dhe kapaciteti i shfrytëzimit ka rënë në 35%. Atëherë kur nuk plotëson kërkesat i vetmi aeroport ndërkombëtar që kemi, si do ketë rezultat një aeroport ne Kukës? Apo mos duhen si aeroporte jo rentabël që të përdoren për qëllime të errëta?
Koha do ta vërtetojë këtë shqetësim të cilin e kam ngritur në mënyrë të vazhdueshme.
*Ish-Drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit dhe Agjencisë Nacionale të trafikut Ajror, sot ALBCONTROL